(Ri)triumfi i Trump-2, mesazhe të forta shprese përtej SHBA!

Nov 9, 2024 | 7:53
SHPËRNDAJE

NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ  piro ahmetaj 1

Establishmenti politik, kancelaritë, mediat dhe opinioni publik, në Washington, kryeqytetet e NATO/BE dhe botën, mbeten ende të “të ekzaltuara” nga një kakofoni histerike e urimeve të kortezisë, apo edhe të sforcuara, për rikthimin triumfalist të Sh.T Donald John Trump si President i 47 i SHBA-ve. Jo vetëm më 2017 (i ftuar dhe pjesëmarrës pa zero pagesë në ceremoninë e marrjes së detyrës nga Trump-1 në Washington DC), por edhe në këtë rast/2024, jam ekspozuar publikisht si mbështetës i Trump2. Thënë këto, sigurisht iu bashkohem urimeve për Presidencën e tij të dytë, në misionin e “çlirimit/shërimit nga Deep State dhe demokracia burokratike” jo vetëm në SHBA.

Pa përsëritur anësinë dhe besimin, që kam artikuluar në disa shkrime/statuse të posaçme, në vijim po paraqes një opinion përmbledhës mbi “10 betejat e fituara” nga z. Trump, por edhe “5 mesazhe shpresëdhënëse” për ardhmërinë euroatlantike të kombit tonë (RSH dhe Kosovës):

(1). I luftuar pothuaj nga të gjitha anët, faktorët dhe aktorët, tashmë e pranojnë se z.Trump ka bërë histori në zgjedhjet e USA, duke i fituar të gjitha, pra: “Rreth 300 votat elektorale për President (nga 270 të mjaftueshme), shumicën vendimmarrëse në Senat, Kongres si dhe votën popullore”!

(2). Rifitoi me shumë meritë mandatin e dytë, por edhe besimin e qytetarëve amerikanë për t’i finalizuar reformat e nisura nga Trump-1, duke forcuar fuqinë e Shtëpisë së Bardhë (Presidentit); për t’u përballur me pasojat e krizës ekonomike, korrupsionin, emigracionin e paligjshëm, abortin; me rikthimin e besimit te demokracia funksionale, te modeli “Amerika e para” si dhe ndryshime radikale në politikën e jashtme; në marrëdhëniet me NATO-n, BE, Ukrainën, Lindjen e Mesme, Ballkanin, Rusinë, Kinën, Iranin etj..

Tashmë edhe kundërshtarët e pranojnë se, rikthimi edhe më i fuqishëm i Trump u mundësua nga projekti tij i bazuar në: “Një paketë politikash konservatore për të çliruar SHBA-të, nga “Deep State”, pra nga interesat e aktorëve të nëndheshëm (të pavotuar), burokracia me kollare demokratike, korrupsioni, filantropistët etj.”. Me fjalë të tjera, e gjunjëzoi statuskuonë e së majtës Obama/Biden dhe fitoi me meritë projekti Trump-2, për ta ç’burokratizuar, reformuar dhe forcuar pushtetin e Presidentit, si garant për ta: “ribërë Amerikën edhe më të madhe, ose një superfuqi të pakonkurrueshme edhe për shekujt që vijnë”!

(3). Në 4 vitet që lamë, u përball si burrë i madh shteti duke fituar me dhjetëra procese gjyqësore, fatkeqësisht të inspiruara jo vetëm nga kundërshtarët politik/majtët brenda Shtëpisë Bardhë, nga fuqia imponuese e oligarkisë që kanë pushtuar/kapur institucionet shtetërore, por edhe nga lufta brenda llojit, pra nga të ashtuquajturit kockat e Partisë Republikane.

(4). Ndoshta “Zoti vetë e shpëtoi nga dy atentatet për ta vrarë me armë zjarri”, sipas shërbimeve të Inteligjencës): “të inspiruara jo vetëm nga shtetet/organizatat terroriste, por edhe nga tentakulat dhe fryma armiqësore e Deep State”. Por siç z. Trump kishte premtuar “të gjithë të interesuarit për ta pasur në burg, ose të vdekur”, përfshi terroristët e fshehur mbas atentateve e morën përgjigjen me vota në 5 nëntor 2024.

(5). U përball si askush dhe i poshtëroi me shumë se asnjë tjetër më parë, pronarët si dhe çirakët/sekserët e industrisë mediatike, pra fake-news, deepfake, dezinformimin dhe exit pollet, …. “F*ck you, adresuar ekspertëve të sondazheve” ishte mesazhi i merituar pas zgjedhjeve…!

(6). Përtej fjalëve, me vepra/prova nga Presidenca e parë (dëshmitarë +qindra mijë familje shqiptare), të gjithë u gjunjëzuan (ose pranuan kokulur) se biznesmeni suksesshëm, z. Trump paraqiti projektin me bindës për ekonominë dhe përmirësimin e ndjeshëm të mirëqenies së qytetarëve amerikanë. Konkretisht: “Kalimi nga taksat mbi të ardhurat në vetëm një taksë konsumi”, thjeshtimin e taksave mbi të ardhurat individuale nga: “15% mbi të ardhurat në pagën bazë dhe 30% të ardhurat mbi të, uljen e normës së taksës së korporatave nga 21% në 18%, ndërsa gjatë Trump-1, e uli nga 35% në 21%”

(7). Fitoi dhe e diskretitoi, makinerinë e dezinformimeve, se: “Trump do e shkrinte NATO-n si dhe do linte në mëshirën e Ariut të uritur Rus vendet që nuk përmbushin detyrimet 2%”. Ndërsa z. Trump me vendosmërinë e tij të pakrahasueshme, ka rikonfirmuar projektin Trump-2: “Për SHBA të pakonkurrueshme, por edhe nevojën për NATO dhe BE më e fortë, pra për një botë edhe më e sigurt”. Ndërkohë, sjell në vëmendjen publike që falë edhe këtij “kërcënimi të shumëpërfolur”: “nga më pak se 5 (para 2017), sot (2024), 25 nga 32 vendet anëtare (përfshi RSH) kanë rritur shpenzimet ushtarake në 2% të GDP, ndërsa BE arriti në 500 miliardë euro për mbrojtjen”. Sigurisht të vërtetat/veprat (do) flasin më fort se gënjeshtrat.

Një qasje edhe më agresive se në mandatin e tij të parë, do të aplikohet nga Trump-2 në marrëdhënie me Kinën, që e konsideron një kërcënim serioz për ekonominë dhe interesat e USA. Prandaj ka paralajmëruar Pekinin se do vendosë tarifa të larta ndaj importeve kineze, por ka lënë hapur mundësinë e një marrëveshjeje të re tregtare me Xi Jinping, duke tejkaluar 4 vitet e stanjacionit të ngathët/mplakur të Presidencës Biden.

(8). Përtej propagandës internacionaliste, programi Trump-2 bazohet në një politikë edhe më të rreptë (përveç muritdigjital) për emigrantët e paligjshëm, që shërbejnë edhe si bazë e krimit të organizuar, drogës, trafiqeve njerëzore etj.. Sipas një sondazhit të fundit, kjo qasje fortë (disa e quajnë të ashpër), ishte një ndër arsyet e fitores historike, pasi 65% e amerikanëve në shtetet kufitare votuan Trump-2. Nga ana tjetër, gjykoj se me këtë përqasje “të ashpër” ndaj vetëm emigrantëve të paligjshëm, kontribuon në luftën kundër krimit të organizuar edhe në vendet respektive nga vijnë emigrantët, pasi kjo industri kërcënon jo vetëm punësimin dhe sigurinë e amerikanëve, por edhe të tyre të origjinës.

(9). Sigurisht, ka korrur këtë fitore spektakolare, edhe për shkak se që në krye të herës, ka mbjellë projektin konservator (Reganian) mbi familjen që mbështetet në parimet e djathta, duke adresuar pabarazitë racore dhe programe që mbështesin komunitetet e margjinalizuara. Trump-2 ka premtuar se do të krijojë: “Departamentin e Jetës”, duke promovuar “Medicare Advantage” për pensionistët, por edhe një përpjekje për të rritur konkurrencën në tregun e kujdesit shëndetësor. Trump-2 parashikon të anulojë urdhrat ekzekutivë të Presidentit Biden për programet e mbrojtjes nga ndryshimet klimaterike, përfshirë ligjet e Agjencisë së Mjedisit etj., të cilat ai i konsideron: “si nxitësit e industrisë së korrupsionit klimatik ….”!

(10). Fitoi betejën kundër propagandës majtiste/cinike, që e cilësonin Trump-2 si “Projekt e izacionalist”, nga jo vetëm kundërshtarët politik brenda USA. Si i privilegjuar/dëshmitar në ceremoninë e 20 janarit 2017, Trump ka rishpalosur dhe konfirmuar edhe më qartë gjatë kësaj fushatë, se, po citoj: “Ndërsa garantoj se po, do bëj gjithçka për një Amerikë edhe më të madhe/fuqishme”, gjithashtu u bëj thirrje, udhëheqësve të BE, Gjermanisë, UK, Francës etj. që: “T’i bëjnë edhe më të forta vendet e tyre respektive, kështu të gjithë bashkë e bëjmë botën më të sigurt”. Me fjalë të tjera, është shumë e përafërt, me qasjen e themeluesit të Turqisë, Ataturk: “Peace at home Peace in the world”, ose e Shqipëruar: “Pa pasur paqe në shtëpi, nuk mund të ndërtosh paqe në botë”!

Për më tepër, ka fituar përqasja e Tij e “ekspozimit të forcës në dialog” për ta gjunjëzuar ekonomikisht, ushtarakisht (po qe e nevojshme) dhe gjeopolitikisht Rusinë – Putinist në Ukrainë si dhe ka paralajmëruar Iranin se, “do të përballet me fuqinë dërrmuese të SHBA nëse përdor armët bërthamore kundër aleatit strategjik, shtetit demokratik të Izraelit, apo kundër statuskuosë dhe interesave gjeopolitike të USA në Lindjen e Mesme”. Kjo “gjuhë e forcës” u konfirmua edhe në takimin me Presidentin Zelensky në Washington: “Nëse do ishte z. Trump President, Putini që e njeh mirë vendosmërinë, prandaj as nuk do kishte ndërmarrë këtë marrëzi në shkurt 2022”, – ndërsa garantoi se: “Do ta mbyllë shumë shpejt luftën”. Gjithsesi, mbetet të elaborohet si/ kur (?), ndërsa zgjedhjet provuan se 60 % e amerikanëve besojnë se USA duhet të jetë më e ashpër ndaj Rusisë, por edhe ndaj Iranit dhe terroristeve në Lindjen e Mesme.

NË SHTESË, Pse/sa fitorja e Presidentit Donald Tump mbart edhe “pesë mesazhe shpresë”(?):

Së pari, uroj që kjo fitore të shërbejë zgjimin e aspiratës fisnike të shqiptarëve për t’u përballur dhe tejkaluar “shtetin e pushtuar nga politikanët e korruptuar, demokracia fasade, pluralizmin e privatizuar nga kryetarët e pavdekshëm, si dhe fuqinë elektorale e Partisë në Pushtet”!

Së dyti, përtej garës së pështirë, se kush të gjejë fjalët më të madhërishme për ta uruar Presidentin e sapo zgjedhur z. Trump, jo emrat e pronarëve të partive apo pushtetarëve të emëruar, por, “partneriteti strategjik me USA mbetet me rëndësi kritike, në mos jetik për interesat reciproke RSH-ShBA në rajon dhe Mesdhe si dhe ardhmërinë euroatlantike të Shqipërisë dhe Kosovës”.

E thënë fare shkoqur, mbetem shumë i sigurt se kushdo qoftë që përçudnisht përpiqet të shpërdorojë Presidentin e SHBA për ta “bërë palë në agjendën e tyre bolshevike” do të (keq)zhgënjehet. Kjo, pasi z.Trump ka konfirmuar se qendra e gravitetit të angazhimeve të Tij mbetet SHBA, pra: “Nuk ka as kohë, as vullnet dhe as plan, të merret me çdo pushtetar të korruptuar, apo çdo egocentrik që i del/dalldis rrugës”.

Së treti, pa kujtuar dalldisjet e (mbi)pushtetit që: “Trump” përbën kërcenim për USA dhe marrëdhëniet me Shqipërinë”(!?), si në 33 vitet që po lëmë pas, edhe gjatë Trump-2 do të dështojnë me turp edhe opozitarët vulëhumbur në Tiranë si dhe sovranistët-markist të Prishtinës zyrtare, që mesazhet diplomatike, fotot me Presidentin Trump apo me senatorët, darkat informale apo “mëngjeset e lutjeve”, etj.; “t’jua shesin shqiptarëve si mbështetje partiake apo edhe me keq, personale”. Në të kundërt, si dhe Presidentet e USA në 112 vjet, edhe z. Trump ka rikonfirmuar fuqishëm se prioritet nr.1 nuk janë emrat e pronarëve/kryetarëve të partive politike, por për SHBA: “Kanë qenë dhe mbeten vetëm shqiptarët si dhe ndërthurja e interesat gjeopolitike të SHBA me ato të RSH në rajon, Mesdhe etj.”. Kaq e thjesht!

Së katërti,, konsideruar peshën/mesazhet e kësaj “fitore spektakolare” besoj edhe më fort se pas 33 vjetësh, Shqipëria ka domosdoshmëri jetike të “vetëprodhojë një Trump dhe një Lëvizje Trumpiste” për t‘u përballur dhe tejkaluar krizën e demokracisë, pluralizmin fasadë, pasojat e shtetit të dështuar, duke ju rikthyer me këllqet e saj të djathtës (TRUMP), ku të privalojnë: “Familja, atdheu, Zoti, vota, tregu, interesat kombëtare, balancat demokratike të pushteteve dhe orientimi euroatlantik i kombit”.

Së pesti, shpresoj po ashtu që krahas mbështetjes konstante nga USA për “njohjen e pavarësisë 112 vjet më parë, çlirimin e Kosovës 1999, anëtarësimin në NATO 2009 etj.”, do të skalitet në memorien e mirënjohjes (mbarë)kombëtare edhe “Marrëveshja e Paqes e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, nën përkujdesjen e Presidentit Donald Trump-1 (shtator 2020)” nga dy vendet sovrane (Kosovë-Serbi), ose një: “Paketë me investime gjeostrategjike si autostrada e paqes Beograd-Prishtinë, port rajonal në ujërat e thella të Adriatikut, si dhe qershia mbi torte, njohja nga Izraeli e Kosovës etj.”. Për hatër të së vërtetës, duhet të shtojmë se, asnjë njohje e re për Kosovën përgjatë Presidencës Biden-Harris!?

Duke kujtuar këtë, besoj edhe më shumë që kjo marrëveshje paqe (+), e përditësuar, do të “imponohen nga Presidenca Trump-2”, përkundër riciklimit të oshilacioneve të Millosheviçit, sovranistëve marksist etj., bolshevik mendjendryshkur jo vetëm në Kremlin, Banja Luka, Beograd, Prishtine dhe Tiranë.

Së fundmi, mbetem shpresëplotë se përballë dalldisjes së makinerisë elektorale të pushtetit, si dhe përtej “luftës së pisët” për në listën e të ndenjurave të opozitës në kuvendin e ardhshëm (përfshi trima/et pas betejave turpëruese të Gase/ërve në 8 janar 2022 etj., apo edhe krye-euroatlantikasin qesharak, që edhe me qeveri teknike më 2017 mori “Noc-Rrokun” ose 43 deputetë-sekserë), shqiptarët e frymëzuar edhe nga kjo fitore historike e z. Trump, do të zgjojnë vetëdijen fisnike, duke ju bashkuar misionit të së djathtës moderne, që Shqipëria të bëhet demokratike edhe për inat të këtij sekti politikanësh zullumqarë, shtetarësh kusarë, filantropësh globalë, sovranistësh marksistë dhe sekserëve të gjithëpushteteve që 33 vitet e fundit kanë pushtuar vlerat konservatore dhe sundojnë me “kollare demokratike” kombin tonë të bekuar.

Zoti e bekoftë fitoren e Presidencës Trump-2, partneritetin strategjik mes RSH dhe SHBA si dhe ringjalljen e shpresës së shqiptarëve, për ta bërë Kombin si SHBA dhe gjithë Europa Demokratike!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura