Robespierristët e vegjël mes nesh

Oct 24, 2024 | 8:45
SHPËRNDAJE

-640-0-genc-pollo-1jpg-149GENC POLLO

Disa komente ndaj postimit tim mbi arrestimin e z. Ilir Meta mund të përmblidhen kështu: mirë ja bënë maskarait, kriminelit, hajdutit që e arrestuan ashtu si e arrestuan.

Disa mendime sërish për ketë temë:

Në postimin fillestar nuk u shpreha nëse kemi të bëjmë me fajtor apo të pafajshëm. Parimisht sepse vlen parimi i prezumimit të pafajësisë e i dinjitetit njerëzor dhe se personalisht këtë opinion për rastin konkret mund ta formoj mbasi të njihem me aktakuzën dhe pleduajenë. Po kështu gjykata që do të japë verdiktin. Gjithashtu, shpreha opinionin se paraburgimi ishte i panevojshëm e i pabazuar në ligj dhe se arrestimet e krerëve opozitarë praktikisht forcojnë regjimin autoritar kleptokratik që aktualisht kemi.

Por nxitimi për të shprehur gëzim kur dikush dhunohet e poshtërohet publikisht e pa shkak nga Policia e Shtetit, sidomos kur viktima ka qenë dikushi, ka preçedentë në histori: Kështu në Francën revolucionare të Robespierre-it turmat bërtisnin “aristokratët në litar” dhe xhelatët nuk humbnin kohë me procedura. Në Bashkimin Sovjetik po kështu me borgjezët e kulakët; në Rajhun e Tretë me hebrenjtë dhe të tërë antinazistët; në Shqipërinë e pas 1945 me çdo element antiparti.

Në secilin nga këto raste të së shkuarës nuk kemi të bëjmë vetëm me fanatikë të frustruar e turma histerike. Një pjesë e kanë bërë me përkushtim idealist dhe me besim se i shërbenin kauzës së drejtë. Distanca historike nga këto ngjarje të ndihmon të kesh qartësi morale. Po kur pasioni politik dhe emocioni njerëzor është i fortë ndërgjegjja qytetare zbehet dhe qartësia morale turbullohet. Ka që thonë se arrestimi tek Casa Italia i shërben demokracisë, shtetit ligjor dhe integrimit europian. Disa syresh edhe mund ta besojnë këtë. Por ata nuk janë veçse i fundmi variacion historik i turmave robespierriane.

Sikur nesër apo pasnesër, mosozot, po t’i ndodhë kështu Edi Ramës (siç i ndodhi edhe Robespierre-it) vlejnë sërish parimet e mësipërme./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura