Njerëzit mbipeshë, që kanë një akumulim të përqendruar të dhjamit në zonën përreth belit, janë më të rrezikuar nga mungesa e vitaminës D. Gjetjet e një studimi nënvizuan rolin e dëmshëm të mbipeshës në shëndetin e njeriut.
Mungesa e vitaminës D reflektohet në dendësinë kockore, por edhe rrit rrezikun për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, imunitetit dhe zemrës.
Ekspertët thonë se ka një lidhje shumë të fortë mes akumulimit të yndyrave në zonën abdominale me nivelet e ulëta të vitaminës D.
Mbipesha dhe vitamina D
Sipas të dhënave të studimit, burrat obezë kanë më pak vitaminë D në organizëm. Nga ana tjetër, tek femrat mbipeshë, dhjamosja e mëlçisë është ajo që luan rol të fortë në uljen e nivelit të vitaminës D në organizëm.
Burimet e vitaminës D
Njeriu e merr pjesën më të madhe të vitaminës D nëpërmjet rrezeve të diellit. Kur këto rreze, sidomos ato të mesditës, bien në kontakt me lëkurën, nxisin prodhimin e vitaminës D.
Njerëzit që jetojnë në vende me klimë të ngrohtë, përfitojnë më shumë vitaminë D.
Vitaminën D mund ta gjeni në këto ushqime siç janë:
- Qumështi
- Drithërat
- Salmoni
- Peshku ton
- Skumbria
- Vaji i papërpunuar i peshkut
- Vaji i mëlçisë së merlucit
Ngrënia e këtyre ushqimeve, shkakton një sërë reagimesh pozitive në mëlçi dhe veshka. Këto organe e transformojnë vitaminën D në formën e përshtatshme për organizmin.
Sa vitaminë D duhet të marrë një i rritur?
Të rriturit duhet të konsumojnë 600 njësi të vitaminës D në ditë, pra rreth 15 mikrogramë. Të moshuarit mbi moshën 70 vjeç duhet të konsumojnë 800 njësi të kësaj vitamine në ditë, pra rreth 20 mikrogramë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al