Rose Wilder Lane. Propozimi për martesë nga Zogu dhe flirtet me politikanët e kohës. Eleni Laperi zbardh anët e fshehta të gazetares amerikane

Dec 15, 2014 | 15:58
SHPËRNDAJE

Gjatë një muaj qëndrimi në shtëpinë e gazetares amerikane, studiuesja Eleni Laperi ka shfrytëzuar dorëshkrime, letërkëmbime e ditarë të Rose Wilder Lane. Për herë të parë vjen Shqipëria e viteve ’20 nën këndvështrimin e një gruaje të huaj, të lakmuar nga politikanë të kohës. Letrat me të ëmën mbi propozimin e Zogut, flirti me Xhemil Dinon dhe mbrëmjet me gramafon në shtëpinë e saj në Tiranë, te të cilat shkonte paria e vendit

Studiuesja e artit, Eleni Laperi, nuk e dinte saktësisht se ku mund ta çonte ideja që i zhvillohej në kokë, pas çdo faqeje që shfletonte nga libri “Majat e Shalës”, i gazetares, shkrimtares e politologes së njohur për shqiptarët, Rose Wilder Lane. E mori vendimin dhe kaq. Do të ecte në gjurmët e saj 10 dekada më vonë. Ishte e bindur që nuk do të dështonte, sepse edhe nëse nuk gjente asnjë shenjë të Rose nëpër malet e Thethit a Dukagjinit, do të bënte pa dyshim dallimin mes banorëve të të dy kohëve. Rose i ka përshkruar aq mirë në “Majat e Shalës”, saqë nuk ke fare nevojë të jesh e atyre viteve (1921-1926) për t’i kuptuar.
Në librin “Gra udhëtare”, shkrimtarja bashkëkohore amerikane
Meri Moris thotë se ndryshimi midis shënimeve të grave që udhëtonin nëpër botë dhe shënimeve të burrave udhëtarë, është se gratë flasin për udhëtimet, për njerëzit dhe vendet ku ato kalonin duke u nisur edhe nga ndjenjat e tyre, pasi bëheshin pjesë e mjedisit; ndërsa burrat nuk përfshihen emocionalisht kur shkruajnë përshtypjet e tyre mbi udhëtimet, sepse mbeten pjesë e jashtme e ngjarjes.
Prandaj, ndoshta, për të shijuar plotësisht fuqinë e Roz Uajlldër Llejn dhe vlerën e shkrimeve të saj do duhej të nisesh një ditë nëpër shiun e rrëmbyer e dëborën e malësive të një vendi të huaj, për të ndihmuar disa njerëz të panjohur, duke rrezikuar të marrësh edhe ndonjë plumb pa e ditur nga mund të vijë, të ecësh për orë të tëra në të ftohtë, qull deri në palcë, të fshehësh me durim urinë, duke pritur të zotët e shtëpisë me mirësjellje, derisa të shtrojnë një darkë të varfër në një dhomë përdhese bashkë me tufën e bagëtive. Të gjitha këto rrëfime, Eleni Laperi i ka të studiuara një më një nga 54 arkat me dokumente, dorëshkrime e fletë ditari që gjendeshin në shtëpinë e Rose, në Amerikë. “Qëndrova atje për një muaj me mbështetje të Ambasadës Amerikane. Shfrytëzova çdo minutë për të lexuar prej saj e rrjedhimisht për të kuptuar atë e Shqipërinë e asaj kohe. Më mahniste çdo gjë e re që lexoja, ashtu siç më mahniti që në leximin e parë libri ‘Majat e Shalës’, ai që më bëri të ndërmerrja këtë rrugëtim”. Prandaj edhe të gjitha fragmentet e mëposhtme, shkëputur nga libri i sapodalë në treg i Laperit, janë të pabotuara më parë. Asnjë shqiptar nuk kishte shkuar të “gërmonte” në arkivin e gazetares për të treguar një botë më të plotësuar të sajën. Atë botë në të cilën ajo gjendej mirë, si në jetën e shfrenuar të Parisit, ashtu edhe në malësitë e Dukagjinit. Këto ekstreme i ka jetuar të dyja në vitet ’20. Më  poshtë do të njihni një Rose që flet hapur për seksualitetin e saj. Flet hapur e me emra për të gjithë ata me të cilën flirtonte në Tiranën e atyre viteve. E megjithatë, pavarësisht gjithë supozimeve e hamendësive që i dashuri i saj i atëhershëm ka qenë ky apo ai ministër, nga letrat e saj (dhe guxim për ta pranuar kishte sa të doje), kuptohet se ajo ka pasur vetëm një dashuri të madhe, djaloshin që jetonte në Amerikë e të cilit i shkruante vazhdimisht.  

Propozimi i Zogut për martesë
Qëndrimi i dytë në Shqipëri i Llejn zgjati gjashtë muaj. Ajo ishfrytëzoi këta muaj për të mbledhur fakte për artikujt e saj, por edhe për të udhëtuar në Mat e në Dibër. Pothuaj të gjithë autorët, kur shkruajnë për udhëtimin e saj në Shqipëri në 1922-shin, përmendin një propozim që Ahmet Zogu, Mbreti i ardhshëm i shqiptarëve, i pati bërë për martesë. Ata nisen nga një letër e saj drejtuar nënës, më 21 mars të atij viti. Në letër, Llejn nuk e përmend emrin e Zogut, pasi shkruan se letrat mund të kontrollohen në Itali, nga kalonte posta për në Amerikë. Ajo i shkruan nënës se shumë gjëra emocionuese i kanë ndodhur në ato ditë, ndër to edhe një propozim për martesë nga një “princ”, si e përkthen ajo titullin “bej”.
“Të gjithë e njohin emrin e familjes së tij dhe më e bukura është se ai e ka një grua, është i fejuar, ndonëse ai nuk e di që unë e di. Por ai është muhamedan, pra, propozimi është krejt i rregullt”. Llejn nuk kishte pranuar të ishte Zonja numër dy.

* * *
Sido që të ketë ndodhur, Llejn gjithë jetën ruajti një simpati për Ahmet Zogun, edhe pse nuk mënonte të vinte në dukje të metat e gabimet e tij.
Megjithatë, ato kohë të trazuara të vitit 1922, kur në Tiranë kishin zbritur nga të gjitha anët kundërshtarët e armatosur të qeverisë, për ta rrëzuar atë, kur plumbat arrinin deri në muret e dhomave të selisë së Kryqit të Kuq, Llejn mori vërtet një propozim për martesë, por nga Xhemil Dino, i cili atëherë ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Historia e dashurisë mes Xhemil Dinos dhe Rose
Xhemil Dino shkonte në selinë e Kryqit të Kuq, ku ato ishin vendosur. Shkonte vetë ose me ministrin e Punëve Botore, Spiro Kolekën, shtatvogël dhe nervoz, që ajo e krahason me një lepur, për ta këshilluar të mos dilte në rrugë e të ruhej nga plumbat, apo për ta shoqëruar në shëtitjet nëpër qytet. Një ditë, gjatë një bisede për “sqimën e dashurisë”, Dino i kishte thënë se ishte shumë i palumtur, pasi ajo ia kishte thyer zemrën. Në një letër të mëparshme, Llejn u kishte thënë prindërve se mund të martohej me atë burrë simpatik, për të cilin mendonte se do shkonte larg në fushën e diplomacisë.
“Beu im”, siç e quan ajo Xhemil Dinon, fliste shkëlqyeshëm anglisht dhe frëngjisht. Ata rrinin shumë kohë bashkë: ajo duke gjuajtur fakte për një artikull mbi Shqipërinë për “Harper’s”, ai duke u përpjekur me shkathtësi t’ia fshihte faktet. “…Pyes veten çfarë do të ndodhte po të martohesha me një bej shqiptar”, u shkruan Llejn prindërve.

* * *
Po flirti nuk përfundoi në martesë. Katër vite më pas, kur Llejn erdhi përsëri në Shqipëri me mendimin se do rrinte përgjithnjë, Xhemil Dino, tashmë i martuar, me nota romantike në zërin e tij, ia kujtoi se sa ndryshe do kishte qenë jeta e tyre sikur ato ditë të vitit 1922 ajo të kishte pranuar propozimin e tij. Megjithëse Llejn ia tregon me ironi këtë fakt një mikut të saj, ajo ndoshta mbeti e mikluar nga sjellja e tij lajkatuese, se më vonë shkroi edhe një libër me titullin “Romancë”, personazh kryesor i të cilit është Xhemil beu. Librin nuk e botoi kurrë, por në tregimin “Ruaza blu” gjejmë detaje nga mënyra si silleshin me gratë burrat dhe personazhet e politikës shqiptare të atyre viteve.
Ballot me gramafon dhe flirtet e ministrave

Eleni Laperi në gjurmët e Rose, në Bjeshkët e Namuna
Pasi e mobiluan shtëpinë dhe krijuan disa lehtësira që u mungonin shtëpive shqiptare të asaj kohe, ato porositën edhe një gramafon Vitrola në Itali. Sapo erdhi gramafoni, në shtëpinë e tyre nisën të organizoheshin mbrëmje, ndonjëherë krejt spontane, ku vinin për të vallëzuar zyrtarët e lartë të Tiranës. Në shtëpinë në Rrugën e Kavajës, me sallonin e madh si të ndërtuar enkas për ballo, hynin e dilnin apo kalonin pasditet, pasi dilnin nga zyrat mjaft ministra, sekretarë ministrish, intelektualë, diplomatë të huaj. Portretet e tyre Llejn i ka përshkruar në shënimet e saj. Xhemil Dino nisi t’i vinte rrotull përsëri; Kostandin Mima, shoqëruesi i tyre në çdo mbrëmje vallëzimi në qytet, kurdiste gramafonin sapo hynte; Sotir Martini i shoqëronte në shëtitjet nëpër Tiranë; Mithat Frashëri i ftoi për çaj në shtëpinë e tij; Kostandin Çekrezi ulej në kopshtin e shtëpisë së saj për biseda të gjata mbi Shqipërinë e shqiptarët dhe shpresonte të botonte një artikull të Llejn në gazetën e tij “Telegraf”; Rrok Perrolli e shoqëroi edhe në udhëtimin në Mat e në Bulqizë; Mihal Sherko shkonte t’u jepte mësime në gjuhën shqipe; një personazhi të tregimit “Rruaza blu” ajo i vuri emrin e Spiro Kolekës; nxënësit e Shkollës Teknike këndonin te porta e tyre në vigjilje të Krishtlindjeve… Vetëm Ahmet Zogun, tashmë president, ajo nuk do ta takonte kurrë më. Sepse “… ai pothuaj nuk del nga pallati. Rreth 600 gjakmarrje rëndojnë mbi të dhe ai ka pamje prej të sëmuri…”

Jetesa në shtëpinë e Shehrajve në rrugën e Kavajës

Shtëpia që Rose u ndërtoi prindërve në Amerikë
Si e mbaj mend Rozën? Kur ato të dyja kan ardh në shpinë tonë, unë isha nja pesë a gjashtë vjeç. I mbaj mend që një ishte e shkurtër, me flokë të shkurtra, e tjetra ishte e gjatë. Ato në fillim flisnin me gishta, se nuk dinin gjuhën. Më kujtohet një here kur kjo e shkurtra (Llejn, sh. im) erdhi te nana e duke bërë shenjë rrethi me duar, pastaj duke rrahur tavolinën sikur rendiste diçka, e pastaj sikur kthente diçka, përpiqej t’i kërkonte diçka nanës. Ou, tha nana, do tepsi! I mbaj mend, e mbaj mend edhe bahçevanin Ibrahim.
E pyeta zotni Hamidin në e mbante mend sorkadhen, që dy amerikaneve ua kishte dhuruar z. Adams dhe ato e mbanin në kopsht.
– E mbaj mend, si s’e mbaj, – më tha. – Ajo bridhte e lirë në gjithë bahçen, se nuk e prekte kush.
Kurse motra Bedrie, që ajo e përmend në libër, ishte 18 vjeç kur u martua; i shoqi, djali i madh i Mustafa Marës, ishte 19 vjeç. Ato të dyja erdhën te shpia jonë e të gjithë u hapën vend, vunë dy karrige që ato të uleshin në krye, e pastaj filluan t’u tregonin ato çfarë kishte sjell nusja: ja këto janë për nanën, këto për babën, për vllezër, xhaja, motra e kështu me radhë. Ajo e shkurtra kapi faqet me dorë, ja kështu, se u habit e nuk e kuptonte pse duheshin gjithë ato dhurata. Ndërsa e gjata thirri: Uaaaau! I mbaj mend si tani.
Shtëpia ku rrinim ne dhe shtëpia ku rrinin ato nuk ishin të ndara me mur, po ne nuk shkonim t’i bezdisnim. Karshi vendit ku është sot shkolla “Avni Rustemi”, ishte klubi i tenisit. Abdullah Shehri, vllai im, ishte ndër më të mirët në tenis. Kurse ne të vegjlit rrinim pas rrethimit të lartë me rrjetë teli. E kur ndonjë top kalonte nga ana jonë, ne e merrnim e iknim me vrap. Lojna fëmijënie, – shton ai si me ndroje. – Atje luanin gjithë ata të ambasadave, sekretarë, gjithë të huajt. Lagjja jonë quhej “lagja e re” dhe shtëpiat ishin ndër më të bukurat.
Dhurata (Shehri) më kishte sjellë edhe disa fotografi të vjetra, ku ishte edhe gjyshi i saj, i zoti i shtëpisë ku kishte ndenjur Llejn. Ajo më tha se e kishte dëgjuar nga gjyshja që kosin e zinin me bistak ftoi, si shkruan Llejn në një prej shkrimeve të saj; por se si, as ajo, as e ëma nuk e dinin. Pastaj më falënderoi që i zbulova një faqe të historisë së familjes së saj, të cilën nuk e njihte. Sepse kurrë në shtëpinë e tyre nuk kishin folur për dy amerikanet – një temë tabu në vitet e monizmit – së bashku me historitë e tjera u kishte sjellë shumë vuajtje.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura