Jo se deri më sot, kur deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, është në kohët e fundit të shtatzënisë së saj të parë, gazetarët nuk janë interesuar të dinë detaje nga “jeta e re” e politikanes. Vetëm se ajo, fundja, siç ka qenë përherë, ka zgjedhur të mos jetë shumë prezente në media, e të shijojë vetëm për vete emocionet e pritjes së parë më të rëndësishme. Tani që pritja nuk do ta mundojë edhe për gjatë, Olta vendosi të ndajë me ne ca përjetime, që nuk i ka jetuar më parë. Sado që është e rezervuar dhe nuk ndryshon dot nga karakteri i saj, në këtë intervistë na zbulon se, ashtu siç kishte dashur ndofta që në imagjinatat e saj të parashtatzënisë, bebja që po pret të lindë do të jetë vajzë. Megjithëkëtë, as ajo e as i shoqi, deputeti i PS, Artan Gaçi, nuk janë marrosur pas çdo kordeleje o fustani me ngjyra, që mund të shohin nëpër vitrina dyqanesh. Sigurisht, po bëjnë gati gjithë ç’do t’i duhet fëmijës kur të vijë në jetë, por pa e kthyer të gjithën në mani. Por, përpara se të gëzohej me lajmin e pritjes së një fëmije, si ka nisur historia e dashurisë mes dy kolegëve, pjesë e të njëjtës parti? Nëse prisni të lexoni skenarin klasik ku ai pikasi një vështrim që nuk ia kishte vënë re më parë o një buzëqeshje që të ishte vetëm e tija, nuk është ky rasti i tyre. Përkundrazi, sinjalet e para të mendjes kanë rrahur në rrethana, që jo shumëkush mundet t’i jetojë. Ku? Olta Xhaçka na i tregon vetë. Ashtu, me masën e pikatores që ka bërë gjithmonë.
Qysh prej martesës, kohë kur keni qenë në muajt e parë të shtatzënisë, nuk kemi dëgjuar të flitet për ju. Si kanë qenë këta muajt e përvojës së re?
Kam qenë pak fanatike që zhvillimet në jetën time të ndodhin sa më larg mediave apo gazetave, për aq sa është e mundur. Po kaloj një periudhë të qetë, shumë të lumtur, duke qenë se bëhem nënë për herë të parë dhe emocionet që më kanë përshkuar këto kohë kanë qenë shumë të bukura e të veçanta në përjetimin tim.
A ka qenë angazhimi politik njësoj si më parë?
Fatmirësisht, shtatzënia ime ka qenë e mbarë dhe më ka krijuar mundësitë që të mos ndryshoj thuajse asgjë në angazhimet e mia. Kam vazhduar të ndjek njëlloj seancat e komisionet parlamentare, sikundër edhe shumë prej impenjimeve të tjera.
Dikur, referuar atyre çka janë shkruar rreth jush, keni thënë se politika nuk është ajri i duhur për të njohur njeriun e jetës. Çfarë ndryshoi në rastin tuaj, çfarë kishte ndryshe deputeti Artan Gaçi që ju bëri të ndryshonit mendim?
I përmbahem parimit, por kjo nuk do të thotë se nuk ka përjashtime. Ajo me Tanin ishte një miqësi e mirë, që u rrit ngadalë. Tani është një njeri shumë i bukur në kuptimin më të gjerë të fjalës dhe vlerësimi dhe respekti për të u bë baza për subjektivitetin e ndjenjës që erdhi më pas, dashuria. Politika mund të mos jetë ajri i duhur për të njohur njeriun e jetës, por paradoksalisht ne na ka sjellë më pranë. Fakti që bëjmë të njëjtën punë, ndajmë të njëjtat shqetësime apo aspirata, vetëm ka forcuar lidhjen tonë dhe unë ndihem fatlume për këtë.
Me aq sa mund të themi, si ka nisur marrëdhënia juaj? Përfytyroj një ambient të përbashkët ku spikat pikërisht për veshët tuaj batuta e tij apo të tjera rrethana të ngjashme….
Jo, në fakt! Nuk kanë qenë as batutat e as shkëmbimet e shpenguara që na kane bërë t’i biem në sy njëri-tjetrit. Ka qenë një miqësi e fortë e lidhur në ditët e vështira të grevës së urisë e protestave të shumta të opozitës në atë kohë, mes përpjekjesh pa fund për të vendosur drejtësi për gurthemelin e demokracisë – zgjedhjet e lira e të ndershme e transparencën e tyre. Mes sakrificash besoj njerëzit duken më qartë për atë që janë.
Që ju jeni diskrete, kjo them se ju është njohur sapo jeni bërë pjesë e politikës. Një farë konfirmimi ishin edhe rojat e sigurisë në ceremoninë e martesës, por nga ana tjetër kishte pa fund të ftuar gazetarë, që nuk se i kishin fikur telefonat e tyre “të zgjuar”. Pra, një zgjedhje pak kontradiktore…
Nuk kishte roje sigurie për të mbajtur larg gazetarët, përkundrazi, e thatë edhe ju, një pjesë e madhe, miqtë tanë, ishin pjesë e të ftuarve, përfshirë edhe nga redaksia juaj. Nuk kishte absolutisht asnjë kusht për të mos mbajtur telefonat apo për të mos bërë fotografi. Atje nuk kishte asgjë për të fshehur. Për ne ishte e rëndësishme që të mos abuzohej me informacionin, siç në fakt u bë me tendencë ose gabimisht në disa media, a thua se ceremonia zhvillohej në Kala të Prezës e për disa, në Kala të Petrelës, kur në të vërtetë ceremonia zhvillohej në një lokal në të dalë të Tiranës, te një miku ynë artist, që i jemi shumë mirënjohës për gjithçka na vuri në dispozicion.
Sidoqoftë, nga aq sa munda të shoh, ishte një ceremoni e thjeshtë. Jeni të dy të tillë, apo për shkak të të qenët në politikë shijet duhet të jenë të matura?
Pëlqejmë të bukurën, por jo ekzagjerimet. Ne bëmë ceremoninë që deshëm, brenda mundësive tona. E deshëm të thjeshtë, sportive, buffet, dhe jo darkë të mirëfilltë, duke u dhënë mundësinë edhe të ftuarve të qëndronin aq sa dëshironin pa iu imponuar në kohë. Organizimi i kaloi pritshmëritë e mia në fakt, pasi atmosfera që u krijua ishte vërtet e këndshme duke e kthyer atë ceremoni, falë miqve tanë, në një festë të bukur.
Duhet të jeni, siç thuhet, në ditët tuaja. Kur parashikohet të lindë bebja? Do të jetë vajzë apo djalë? Në secilin rast, a kishit një preferencë paraprake?
Gjithmonë kam dashur një vajzë, meqë më pyesni për preferenca paraprake e, me sa duket, dëshira ime do të plotësohet.
Ç’emër keni menduar?
Për këtë nuk mund t’u them, pasi është ende herët për të marrë një vendim përfundimtar. Më mbetet edhe pak kohë deri në fund. Gratë shtatzëna mund të kenë privilegjin të koten ca më shumë se të tjerat. Sidomos në rastin e një pune të zhurmshme si e juaja duhet të jetë e domosdoshme. A shihni gjatë këtyre orëve gjysmë përgjumjeje se si do të jetë dita juaj nesër, kur të keni fëmijën në krah? Si e parafytyroni të gjithën?
Më duket pak e tepërt kjo pyetje. Është e vërtetë që kur gjërat të ndodhin për herë të parë duket sikur po i kalon vetëm ti, a thua se të tjerët nuk kanë përjetuar të njëjtat gjëra. Në fakt, nuk më duket aspak se do më duhet të bëj ndonjë heroizëm, aq më pak të flas për të. Do të bëj atë që bën çdo grua që ndan kohën mes familjes e punës së saj, duke i balancuar ato me kujdes. Ajo që parafytyroj e që pres me padurim, është fakti që do më shtohet një dashuri e madhe, siç është ajo e nënës për fëmijën, që siç thonë ato më të vjetrat, është një ndjenjë e pakufi, që të zgjon nga gjumi kur fëmijët janë të vegjël e të lë pa gjumë kur ata rriten…
A do të riktheheni shpejt në punë?
Besoj se po. Do marr aq kohë sa është e këshillueshme e më pas me pak ndihmë do mundohem të balancoj sa të mundem mirërritjen e fëmijës me angazhimet e mia politike.
Na tregoni pak, a jeni kujdesur këto kohë të bëni blerjet e bebes, shtratin, rrobat e para… Si është atmosfera në shtëpi? Po bashkëshorti juaj a është i vëmendshëm o më mirë thënë “tipi” i këtyre gjërave?
Jemi të gjithë shumë të vëmendshëm për të krijuar atmosferën e duhur. Kam blerë vetëm gjërat e domosdoshme, që do të më nevojiten në fazën e parë. Për të tjerat nuk kam asnjë ngut.
Di që kuzhina është ndër ambientet e shtëpisë ku ju rrini me dëshirë. A është rritur dëshira tani, pas martese, dhe si e parafytyroni të jetë kur të bëheni tre?
Kulinaria më ka tërhequr gjithnjë. Pa modesti mund t’ju pohoj se ndihem një kuzhiniere shumë e mirë. Eksperimentoj me shumë kultura kulinarie, përfshirë ato aziatiket dhe jam e bindur se kënaqësia që e shoqëron këtë proces do të reflektohet edhe në kujdes më të madh për familjen time.
Edhe sot, prej njohjes në distancë, nuk përfshiheni në imazhin agresiv të politikaneve… Me këtë nuk u referohem rasteve specifike, por një panorame të përgjithshme të politikës… Duke e njohur atmosferën, si dhe pse i hytë kësaj rruge?
Unë kam studiuar Shkenca Politike e për disa vite kam qenë lektore e disa lëndëve mbi mendimin e organizimin politik dhe të qenët agresiv, në kuptimin e “të bërtiturit”, nuk bën kurrkund pjesë në botëkuptimin tim. Fatkeqësisht, politika e tranzicionit në Shqipëri është ravijëzuar më shumë nga “muskujt” se nga idetë e kjo është një e metë e madhe e organizimit tonë politik që koha dhe vullneti i mirë si pasojë e një vizioni të ri qeverisës, shumë më bashkëkohor e demokratik se ai që shkoi, duket se ka filluar ta venisë. Si një ndër të rinjtë e politikës, unë ndihem dyfish përgjegjëse që t’ju hap derën, njësoj siç bënë dikur për mua, të gjithë atyre që kanë zotësinë që politikën ta animojnë me fantazinë e aspiratave të tyre e jo me forcën e muskujve apo britmat e vokalit.
Nëse do të gjendeshit sërish në dilemat rinore mes historisë së artit, filozofisë e politikës, do ta rizgjidhnit këtë të fundit?
Unë e kam marrë vendimin tim prej kohësh tashmë. Historia e artit e filozofia mbeten pasione me të cilat takohem nëpër radhë librash në kohën e lirë. E shoh politikën si artin e të bërit të mundur gjëra të mëdha e mundësia për të lënë gjurmë, apo kontributi sado modest në përmirësimin e cilësisë së jetës e rritjes së standardeve ma bën krahasimisht profesionin tim shumë më tërheqës se zgjedhjet e tjera, që mund të kisha bërë para se t’u hyja studimeve për Shkenca Politike.
ANI JAUPAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al