Rrëfimi i rapsodit, nga takimi me ish-kryeministrin Adil Çarçani, tek kalvari vuajtjeve pa fund deri ditën e demokracisë: Më larguan nga policia ditën kur u arratis kushëriri

Dec 26, 2023 | 17:36
SHPËRNDAJE

ÇANO NORA/ është autori i shumë këngëve polifonike që janë interpretuar në Festivalet Folklorike të Gjirokastrës, po sakaq edhe dhe poeti i disa librave me poezi. Është i thjeshtë e modest dhe me një shoqëri të zgjeruar.

Mufit Çeli

I lindur në Medar të Kurveleshit në një familje me tradita, i qëlloi të kryente arsimin profesional shumë larg vendlindjes, në shkollën mekanike në Shkodër, për të vijuar pastaj në radhët e Policisë së Shtetit. Shërbeu disa vite aty ku dalloi për profesionalizëm dhe korrektësi, për t’u larguar përdhunshëm ditën kur ju arratis njëri nga të afërmit e tij. Që këtej jeta e rapsodit të njohur do të merrte tjetër rrjedhë.

Tashmë nuk do të ishte më ai djali krenar e ballëlartë, polici shembullor e këngëtari që e afronin të gjithë në shoqëri, por thjesht një i përndjekur i papunë. Një dramë e papritur përshkoi jetën e poetit vetëm e vetëm për shkak të aventurës së djalit të hallës, që u arratis pas mesnate nga kufiri.

Mufit Çeli rrëfen për gazetën “Panorama” historinë me ulje-ngritjet e jetës, për kohët që bëri karrierë si dhe atëherë që u ndëshkua rëndë nga titullarët e lartë të tij. Po ai, djali nga Medari i Kurveleshit, me burrërinë dhe karakterin e një labi të vërtet, s’e humbi toruan, por u përballë me ata që donin “t’i hanin” kokën dhe qëndroi gjithnjë krenar duke mos i humbur shpresat për jetën asnjëherë.

Mufit Çeli2

Zoti Mufit, ju njiheni si autor i dhjetëra këngëve të festivalit folklorik të Gjirokastrës dhe autor i disa librave me poezi. Diçka më shumë për jetën tuaj…?

Jeta ime e thjeshtë si e shumë të tjerëve. Kam kryer shkollën fillore në vendlindjen time në Medar dhe atë të mesme në Picar. Në Shkodër vazhdova studimet në shkollën e mesme mekanike. Për kohën më pëlqente ajo degë, se kishte shumë mundësi për t’u punësuar. Edhe pse isha mirë me mësime, studimet e larta s’i vazhdova dot atëherë. Unë e dashuroja profesionin.

Qyteti i Shkodrës më pëlqente shumë. Edhe si qytet, por sidomos si njerëz. Kur kryeja studimet, aty u njoha edhe me shkrimtarë e poetë të njohur, të cilët do të ishin mbështetësit më të mirë për të vazhduar të shkruaja dhe të botoja.

Nga Shkodra u kthyet në Gjirokastër, me se jeni marrë pas përfundimit të shkollës mekanike?

Punë për herë të parë fillova në S.M.T-në e Gjirokastrës. Mekanik i mjeteve bujqësore. Aty kisha më tepër mundësi për të zbuluar sa më shumë të fshehtat e profesionit. Dua të them se përfitova nga përvoja e mjeshtërve të vërtetë. Ndërkohë shkova ushtar. Ushtrinë e bëra në Rinas, në Aviacion. Kur isha ende i vogël, bëhesha kureshtar, por gjatë tri viteve, aty mësova shumë të fshehta që mbante në vetvete ai shërbim. Aty u njoha nga afër me ushtarakun dhe poetin, Zeqo Camën.

Isha me fat që eprorin tim për tri vite rresht do të ishte dhe një udhërrëfyes dhe redaktor në krijimtarinë time, që sapo kisha nisur të botoja. Zequa më dha një dorë të mirë, më mbajti afër dhe më ndihmoi për të ecur dhe unë i sigurt në atë udhë që kisha nisur. Fillimisht botova në gazetën “Luftëtari” për aviatorët shqiptarë, të cilët stërviteshin dhe sfidonin çdo vështirësi të kohës, ata që bënin sakrifica gjer në vetëmohim.

Pra, për herë të parë ke botuar kur kryeje shërbimin e detyrueshëm ushtarak…

Në fakt, kisha filluar më herët të shkruaja. Që kur isha në fshat, kam bërë poezi të ndryshme, por që akoma nuk ma mbushnin mendjen për t’i botuar. Sidoqoftë, ushtria dhe sidomos ndihma e mbështetja që më dha aty poeti Zeqir Cama, më dhanë dorë e më futën në rrugën e krijimtarisë, tashmë më të qartë e më të kristalizuar…

Pas shërbimit ushtarak, keni filluar në degën e Brendshme të Gjirokastrës me detyrën e policit. Si e kujtoni këtë përvojë?

Pas procedurave specifike e intervistimit nisa detyrën e policit. Ishte një profesion që e kisha ëndërruar që i vogël. Pa provuar emocionet e para të punës, më dërguan për t’u specializuar për teknikën e aparaturave të kufirit. Ishte kjo një periudhë fatlume, por që nuk zgjati shumë. Një ditë të bukur, djali i hallës u arratis e dajaku krahas të tjerëve ra dhe mbi kurrizin tim. Nga ky moment më përjashtuan menjëherë nga policia. Edhe pse pak bëra me kolegët e tjerë të policisë, me ta krijova marrëdhënie të mira.

Befas një urdhër i titullarëve të Degës rrokullisi gjithçka në ëndrrat e mia dhe çdo gjë të bënte pas për mua. S’më erdhi vetëm mua çudi për këtë, por të gjithë atyre kolegëve të të policisë, të cilët e shprehnin në heshtje se s’ia mbante asnjërit të dilte e të kundërshtonte ballë për ballë. Arratisja e kushëririt tim s’mund të harrohej pa u bërë dhe ndëshkimi im i radhës. Pastaj pasojat diheshin, për mua dhe për gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes. S’kisha ku të ankohesha fare, se murit nuk i bihej me kokë. Ai sistem ishte, ato “çudira” arrinte që të bënte për të bërë njerëzit të pakënaqur dhe t’u vinin dhimbjet gjer në kockë.

Që nga ai moment nuk pate më lidhje me policinë?

Që ditën e parë që më larguan nga puna, e përjetova keq. Nga unë nisën që të tjerët të distancoheshin. Shkëmbehesha me ta në rrugë dhe bënim si të mos njiheshim me njeri-tjetrin. Disa mendonin se përgjoheshin dhe nuk shkëmbenim më as edhe një përshëndetje në rrugë, ndërsa të uleshim për një kafe as që bëhej fjalë. Pra, shokë e miq bënë një kthesë 180 gradë.

Edhe ata s’kishin faj se kështu i kishin porositur, se përndryshe do t’u hiqnin veshin. E çuditshme, dikur shokë të një ideali, në krahë të njëri-tjetrit për të bërë detyrën e shenjtë të punonjësit të policisë, e atëherë filluan të më largoheshin kolegët një e nga një, më lanë vetëm, që nga ai moment vetëm me policinë nuk do kisha më lidhje, për shkak të arratisjes së kushëririt tim, të cilit i kishte shkrepur në kokë të kalonte kufirin dhe një ditë ta shihte veten në anën tjetër në dhe të huaj.

A trokite diku për të kërkuar të drejtën për përjashtimin nga policia dhe cila ishte përgjigjja?

Po pse një herë? Mbeta në dyert e policisë duke pritur për të marrë një përgjigje me shkrim, që të kishte një firmë dhe një vulë, të ishte zyrtare. Ngushëlloja veten se ata eprorët e mi që më njihnin dhëmbë e dhëmballë do të vinin dorën në zemër dhe të më rikthenin ditën tjetër në detyrë. Por në çdo derë të policisë që trokisja, për mua mbylleshin të gjitha.

Ma prisnin shkurt: “Është me urdhër nga lartë, s’është në dorën tonë kjo punë”. U enda rrugëve për të gjetur ndonjë punë tjetër, por si te policia, kudo që shkoja s’u ndjeva kurrë. Biografisë sime tashmë i ishte shtuar njolla dhe jeta për mua kishte marrë për teposhtë. Nga të gjithë drejtuesit e policisë në Gjirokastër kisha marrë vetëm të njëjtën përgjigje, atë të moskthimit në detyrë. Ta harroja policinë. Dhe s’kisha se ku të ankohesha më, se të gjithë ku trokita, më vinin përpara arratisjen e djalit të hallës. Kaq mjaftonte që unë të rropatesha kot poshtë e lartë.

Po familjarët e tjerë u persekutuan?

Të gjithë u persekutuan në një farë mënyre. Familjarët e mi aty në Medar, në kooperativë punonin, por më shumë u vranë shpirtërisht, se po t’iu hiqnin kazmën dhe lopatën, do të blinin të tjera. Edhe sigurimasat i mbanin nën kontroll, por ndjeheshin edhe të përbuzur nga fshatarët e tjerë. Presion nga të gjitha anët. Në një farë mënyre atë ngjarjen e ikjes të kushëririt jashtë shtetit e ndjemë dhe e vuajtëm të tërë si familje. U vramë moralisht dhe ekonomikisht. Me një fjalë u fundosëm nga regjimi. Dënoheshin dhe persekutoheshin njerëzit edhe të pafaj.

Thonë se keni pasur dhe përplasje me drejtuesit kryesor të rrethit në atë kohë…

Ka qenë një përplasje që më kushtoi shumë në ato vite. S’më hiqet nga mëndja dhe sot e kësaj dite. Kisha bërë një tekst kënge për Gjirokastrën. Sekretari i parë, Manxhar Binaj donte që ajo të këndohej nga grupi i Lazaratit, marrës i të cilit ishte Xhelil Shkurti, ndërsa në anën tjetër, Flamur Çani, kryetar i komitetit ekzekutiv përpiqej që të bindte të tjerët se atë këngë duhej që ta këndonte grupi i Mashkullorës, nga ku e kishte vendlindjen ai.

Meqenëse në Gjirokastër do të vinte dhe udhëheqja e Tiranës, Adil Çarçani me shokë, Flamuri donte që të krenohej me Mashkullorën. Këtu nisi edhe “sherri” mes Manxhar Bines dhe Flamur Çanit, në fund u vendos për ta “marrë” në dorë situatën Lazarati. Unë si autor i tekstit e kisha marrë dhe një goditje atë të pushimit nga puna dhe kjo goditje më duhej. U përhapën fjalë se përse s’u bënë dy tekste nga Mufiti dhe mbyllej çdo mëri mes grupeve. Shpëtova paq, se s’kishte më kohë për tekst tjetër. Kënga u vlerësua dhe i kishte mbetur në mëndje dhe kryeministrit Adil Çarçani, i cili pas disa kohësh kur vizitonte Gjirokastrën më thirri në një takim.

Çfarë kujtoni nga biseda me Adil Çarçanin, asokohe kryeministër i vendit?

Jam takuar me të në shtëpinë e pritjes, e cila ishte afër poliklinikës së qytetit .Ishte ditë e diel. Me Adilin ishte dhe Shefqet Peçi. Isha i ndrojtur kur shkova për t’i takuar. Të dy rrinin në ballkon dhe vështronin nga rruga. Sa u takuam, Adili m’u drejtua me një lloj përzemërsie: “Sa mirë që erdhe more djalë! Tani do pimë kafen bashkë”.

Në tavolinë kishin shtrirë një paketë me cigare dhe më thanë që ta ndezja. Kisha vendosur që veç për këgën të mos i shqetësoja me hallet e mia. Adili që e donte me shpirt këngën labe dhe kishte informacion të bollshëm për të, aty për aty përmendi dy vargjet e këngës sime për Gjirokastrën dhe u kthye nga unë: “Bravo more djalë! Vazhdo ë shkruash, se do kesh edhe ndihmë time e të Shefqetit”. Vetëm kaq folëm atë ditë bashkë, por mua më mbeti në mendje që nuk i thashë gjë për shtëpi, se atëherë isha pa shtëpi…

Nuk kishit shtëpi në qytet atë kohë?

Puna e shtëpisë ishte një histori më vete. E kisha të vështirë të vija në punë nga Medari im gjer në qytet, në Gjirokastër çdo ditë. Mjete transporti s’kishte. Kërkova shtëpi disa herë, por s’më jepnin. Banoja në një ambient në Teqenë e Kodrës së Shtufit, në një dhomë 3 me 3, të lagësht e pa dritë. Isha si i burgosur. Fëmijët 4 dhe 6 vjeç më sëmureshin gjithnjë. Pas disa muajve, këshilli i qytetit ndau disa hyrje për qytetarët. Edhe pse isha i pari në listë, përsëri s’më dhanë shtëpi ku të futja kokën me gjithë familjen.

Ia qava dhe njëherë hallin kryetarit Flamur Çani, por ai m’u përgjigj: “Tani do të fut tavën në furrë dhe do pjek një hyrje për ty”. Unë u preka shumë nga ironia e tij, por nuk ia zgjata më. Me vete kisha dhe vajzën e vogël përdore. Tek xhamia e qytetit, fare pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, ishte stenda e fletë-rrufeve, fenomen për atë kohë, ku atje publikoheshin të metat nëpërmjet fletë-rrufeve. Kisha bërë disa vargje kritike për Flamur Çanin direkt, por ç’ndodhi! E vura fletë rrufenë në orën 5 të mëngjesit dhe në orën 6 e tridhjetë minuta e hoqën. Në fund kisha vendosur dhe emrin tim, se ndryshe do ta kisha pasur punën pisk dhe këtë herë. Kritika i vuri në lëvizje titullarët, ata që kishin në dorë për të më strehuar mua me familjen time dhe më në fund e mbylla me një dry të madh dhomën 3 me 3 në Teqenë e Shtufit.

Ndërkohë erdhën vitet ’90, ndryshimi i sistemit…

Në vitin 1990, me ndryshimin e sistemit, diçka do të ndryshonte edhe për mua. Fillova dhe unë që të merrja frymë lirisht. Këto që them ishin një realitet i prekshëm dhe jo hamendësime. Më thirrën për të filluar punë në Policinë e Shtetit, aty ku ishte lënë në harresë për mua në shumë vite papunësia. Unë kisha një dosje të pastër dhe se isha larguar padrejtësisht nga ligjet e atij sistemi. M’u njohë e drejta e mohuar.

Që nga ajo ditë dhe gjer sa dola në pension, nuk u shkëputa më kurrë nga Policia e Shtetit. Për 11 mijë ditët që shërbeva aty, kisha kohë të mjaftueshme për të kryer kurse, specializime e trajnime, për të shërbyer denjësisht në polici dhe për të ngjitur shkallët e karrierës. Ndryshimi i sistemeve mua më shpuri në vend dinjitetin e nëpërkëmbur nga regjimi komunist.

Mufit Çeli1

Diçka për botimet tuaja…

Botimi im i parë ishte vëllimi me poezi me titull “Më mbuloni trupin me këngë” dhe pastaj vazhdova me librat “Dafina” dhe këtë të fundit “Në krahët e dhimbjes”.

Po me tekstet e këngës… 

Nuk i kam ndarë asnjëherë këngët nga poezitë. Ato janë dashuria ime e madhe. Nëpërmjet tyre kam njohur dhe kam bërë shumë shokë e miq në jetë. Përditë jetoj me to, përditë krijoj për njerëzit, për Medarin tim, për Labërinë dhe për çdo gjë që më ngacmon në shpirt. Po nëpërmjet këngës jam njohur dhe me të madhin Lefter Çipa. Tekstet e këngëve të mia janë rreth 400. Janë kënduar në disa festivale folklorike kombëtare. Në vitin 1983 dhe në 1988 u kënduan disa nga tekstet e mi.

Që prej atëherë unë kam qenë dhe jam anëtar i komisionit të përzgjedhjes së teksteve për rrethin e Gjirokastrës. Por unë s’isha i vetmi poet që krijoja dhe krijoj tekste për këngët labe. I pari ishte Lefter Çipa dhe pas tij vinim ne të tjerët. Kemi vite bashkëpunimi me dhjetëra grupe të Labërisë nga Vlora, nga Gjirokastra, nga Tepelena, Delvina e Saranda. Nga të 400 tekstet e deritanishme do të veçoja atë për Lefter Çipën, që e këndojnë Lushi Kërra nga Zhulati dhe Sefer Muho nga Fushëbardha me shokët e tyre.

Tani jeni pensionist, a vazhdoni të shkruani?

Edhe në këtë moshë unë s’e shoh veten të lodhur. Gjithnjë shkruaj me atë frymëzimin e parë, me pasionin dhe dashurinë e parë. S’më lodh krijimtaria, më lodhin bisedat boshe dhe të ndenjurit nëpër kafene. Çdo çast jetoj me njerëzit, jetoj me gëzimet dhe hallet e tyre dhe çdo çast jam duke hedhur në letër një poezi, një tekst kënge, një shkrim për në gazetë apo për në një libër të ri. Krijimet ma bëjnë ditën më të lumtur. Aktualisht kam në dorë dy vëllime me poezi dhe një monografi.

Nga përvoja juaj si poet, çfarë do t’u këshillonit krijuesve të rinj?

Që të kesh një emër duhet punë, shumë punë e net pa gjumë. Të gjithë kur janë fëmijë shkruajnë vargje, por disa e lënë në mes të udhës e disa vazhdojnë që të kenë një karrierë të tyre. Asnjëherë nuk bën të humbasësh shpresat. Të gjithë kështu e kanë nisur. Me fillimet tona në krijimtari herë kemi bërë gjëra të bukura për lexuesit e herë kemi nxjerrë ndonjë produkt letrar, që s’na ka pëlqyer as vetë neve dhe në këtë rast kemi marrë lapsin dhe një fletore e kemi vazhduar nga e para me pasion e përkushtim. E rëndësishme është që të mos bëjmë në vendnumëro, por të ecim gjithnjë përpara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura