Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, përfundon pas 5 orësh gjyqi në GJKKO! Caktohen datat e dy seancave të radhës

Oct 18, 2024 | 14:28
SHPËRNDAJE

Ka përfunduar pas pesë orësh seanca në ngarkim të personave që akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

jan prenga

Seanca e radhës u la në datë 1 dhe 24 nëntor, ku do dëshmojë sërish Ndrek Prenga dhe vëllai tjetër Anton Prenga.

Edhe ky i fundit ka shprehur dëshirën për të dëshmuar. Ndrekë Prenga erdhi mbrëmë nga Londra për të dëshmuar ditën e sotme në GJKKO.

Ndrek Prenga ka rrëfyer se në vitin 2020 ka qenë në burg në Londër dhe se çdo ditë kishte kontakte me familjarët, gruan dhe fëmijët, me të cilët komunikonte përmes telefonit të burgut.

Ai tregoi para togave të zeza se me vëllain e tij Jan Prenga, trupi i të cilit ende nuk është gjetur, ka folur rreth një javë përpara se të rrëmbehej dhe më pas të vritej.

“Një shtetas me ngjyrë më ka futur në dhomë një telefon të tipit “Iphone”, me anë të së cilit ka telefonuar një person me prefiks të huaj, duke u prezantuar si Gentjan Funiqi”, tregoi Ndrek Prenga, duke shtuar se ky i fundit i tha se ishte me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës.

“Më tha që: ‘Ma jep gjënë’,”– rrëfeu Prenga dhe sipas tij Gentjan Funiqi i referohej sasisë prej 260 kilogramë kokainë që rezultonte e humbur dhe dyshohej të ishte vjedhur nga vëllai tjetër i tyre, Astrit Prenga së bashku me mikun e tyre të familjes, Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian.

Gjatë dëshmisë, Ngrek Prenga shtoi se Gentjan Funiqi, gjatë bisedave, i kishte thënë se kishte tentuar të komunikonte edhe me vëllain tjetër, Astritin, por nuk kishte arritur. Pas këtij mesazhi, Ndrek Prenga iu është përgjigjur se nuk ishte në dijeni se për çfarë bëhet fjalë.

Ai sqaroi se ka marrë në telefon Astritin, por edhe ky i fundit iu ishte përgjigjur se nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur.

“Pas një apo dy ditësh jam njoftuar nga nusja se Jani është marrë peng dhe se pas kësaj, jam përpjekur të merrte vesh se çfarë ka ndodhur”, rrëfeu ai.

Pas pak ditësh, Ndrek Prenga është vënë në dijeni se bëhet fjalë për një sasi prej 260 kg kokainë që ishte vjedhur në port dhe gjatë komunikimeve që ka pasur me Gentianin, ky i fundit i ka kërkuar që të dorëzojë atë “gjënë” duke iu referuar sasisë së drogës me qëllim për të liruar pengun.

Ngrek Prenga tha se xhaxhai i tij dhe një person tjetër kanë shkuar në Shkodër për të takuar familjarët e Gentian Docit, ku kanë gjetur babin e tij.

Por, ky i fundit i është përgjigjur se nuk kishte dijeni dhe përgjegjësi se çfarë bën djali i tij.

Ndrek Prenga shtoi se pas ndërprerjes së mesazheve me Gentianin, me të cilin fliste edhe me kamera, një tjetër numër i ka shkruar duke iu prezantuar si Gramoz, i cili ka pretenduar se kokaina e vjedhur nga Astrit Prenga ishte e tija.

Sipas dëshmisë së Prengës, pasi policia ka ndërhyrë në kompleksin Golden në Shijak, nga ai moment ka ndërprerë komunikimet me të gjithë personat që kishte folur.

Që nga mosha 13 vjeç, tregoi dëshmitari, është larguar nga Shqipëria dhe është shpërngulur në Britani.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura