VALENTINA MADANI/ Brukseli apelon për intensifikim të përpjekjeve për kryerjen e reformave integruese përmes dialogut në Kuvend.
Pas dorëzimit të raportit të progresit dhe hapjes së negociatave për grupkapitullin e parë, BE kërkon nga politika shqiptare bashkëpunim për realizimin e reformave të kërkuara. Teksa mori pjesë në hapjen e edicionit të nëntë të shkollës së Integrimit që organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, ambasadori Silvio Gonzato kërkoi mbështetje të gjerë ndërpartiake. “Do të jetë thelbësore që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave. Nisja e negociatave për grup kapitullin e parë nënkupton gjithmonë e më tepër monitorim rigoroz nga BE dhe shtet anëtare. Paketa e zgjerimit të 2024 të miratuar nga Komisioni Evropian ofron udhëzues të qartë për atë se çfarë duhet bërë në të gjithë sektorët. Kjo kërkon udhëheqje të fortë, mbështetje të gjerë ndërpartiake”, – deklaroi ai.
Silvio Gonzato përforcoi mesazhin se Komisioni Evropian është gati për të mbështetur planet ambicioze të Shqipërisë, teksa nënvizoi se është thelbësore tashmë që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave. “Nisja e negociatave për grup-kapitullin e parë nënkupton gjithmonë e më tepër monitorim rigoroz nga ana e BE-së dhe shteteve anëtare, sepse në fund të fundit, siç e dini, vendimi iu takon shteteve anëtare”,- theksoi Gonzato, i cili shtoi se, “nuk ka kohë për të hezituar apo për t’u zvarritur, sepse standardi apo piketa për çdo vendim rregullator të marrë nga ky parlament, nga qeveria apo nga pushteti vendor duhet të jenë “acqui”-të e BE-së”, tha Gonzato.
Ambasadori i BE-së nënvizoi se rruga tashmë është e qartë dhe duhet të jetë thelbësore tashmë që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave. “Na duhet të përfitojmë nga kjo mundësi, sepse në kontekstin gjeopolitik më shumë sesa kurrë, vendet e BE-së kuptojnë që duhet të kompletohemi, jo të zgjerohemi, por të kompletohemi që t’i japim fuqinë dhe kapacitetin për të vepruar BE-së. Kemi po kështu nevojë që të kompletojmë për të ndjekur ambicien tonë të autonomisë strategjike”, – deklaroi ai.
Sipas Gonzato “Paketa e zgjerimit e 2024-ës e KE-së, e miratuar në fillim të kësaj jave, ofron udhëzues të qartë për atë çfarë duhet bërë në të gjithë sektorët, për këtë duhet udhëheqje e fortë dhe konsistente, mbështetje ndërpartiake e gjerë, një strukturë e konsoliduar dhe efiçente e negociatave, po kështu edhe mekanizma efikase konsultimi me aktorët e shoqërisë, duke qenë se flasim për një proces gjithë shoqëror”,- theksoi ai.
Gonzato nënvizoi se, Shqipërisë i duhet që të bëjë reforma jetike dhe të përfundojë transformimet ekonomike dhe politike duke sjellë të gjithë aktorët nga të gjitha anët e spektrit politik dhe nga shoqëria civile.
“Anëtarësimi në BE është më shumë sesa një proces teknik, është një zgjedhje breznie, mbështetur në vlerat dhe parimet themelore të Unionit, që duhet, në fakt, reflektuar në politikën e jashtme e të brendshme të Shqipërisë qysh prej asaj që mësojnë fëmijët në shkollë. Shqipëria është në një pozitë të favorshme. Duket yjet janë në vijën e duhur. Në Shqipëri shumica dërrmuese vazhdon të jetë mbështetëse e palëkundur e integrimit të vendit në BE. Dikush mund të thotë që mbështetja e Shqipërisë për BEnë këtu në vend është ndoshta më e lartë se edhe mes shteteve anëtare të BE-së. Kjo është e sigurt. Ky është një avantazh i jashtëzakonshëm dhe duhet të punojmë së bashku për ta ruajtur këtë nivel të lartë mbështetjeje vitet që vijnë”, deklaroi ambasadori i BE-së. Në raportin e progresit të publikuar javën e shkuar BE theksonte se Shqipëria synon që negociatat e integrimit t’i mbyllë brenda vitit 2027./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al