Konsulentja financiare, Irena Beqiraj, është shprehur se vendimi për rritjen e pagave të deputetëve dhe ministrave është një vendim i marrë shpejt që prish piramidën e pagave.
Komentet Beqiraj i bëri teksa ishte e ftuar në emisionin “Log” në Panorama TV, ku tha se ka shumë arsye pse pagat e tyre duhet të ishin rritur, por sipas saj, kjo gjë duhet të ishte shumë e mirëstudiuar.
Ajo me ironi shtoi se një pjesë e deputetëve kanë një punë aq të vështirë, sa që edhe vetë nuk e dinë me çfarë merren.
“Po të merrni parasysh sesi u shpall rritja e pagave, u shpall 1 ditë para zgjedhjeve nga vetë Edi Rama, ndërkohë që kishte premtuar se nuk do të rriteshin pagat e ministrave dhe deputetëve. Në Kuvend edhe kryeministri i kuptoi se duhet të mbante një piramidë për pagat. Unë mendoj që ka pasur problemin që ka qenë vendim i marrë shpejt.
Prandaj mendoj se ka ndodhur gjithë kjo ngatërresë. Edi Rama në fillim mori një vendim që fshinte një pjesë të piramidës. Në këtë moment prishet piramida. Para ca kohësh më mori një gazetar dhe më pyeti se çfarë mendoja për rritjen e pagës së deputetit.
Dhe unë i shpjegova që ishte e nevojshme rritja e pagës së deputetit, por një pjesë e tyre e kanë punën aq të vështirë sa nuk e dinë se me çfarë merren. Vështirësia tjetër e punës së deputetit është se ata janë zborist me kohë të plotë. Ka eksperienca të ndryshme, përshembull kemi eksperiencën amerikane që nuk e ka një piramidë të tillë pagash”, u shpreh Beqiraj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al