Një gjykatë në Rusi e ka gjobitur Google me një vlerë të çmendur e të palexueshme, prej 2,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000 dollarë, e thënë ndryshe, një 2 i ndjekur nga 36 zero pas.
Vetë vlera e Google është 2 trilion dollarë, por kjo gjobë tejkalon dhe çmimin e kompanisë.
Arsyeja e kësaj gjobitje, sipas gjykatës ruse, është për kufizim të kanaleve të mediave shtetërore ruse në Youtube.
Sipas Agjencisë së Lajmeve Ruse Tass, një avokat ka sqaruar se Google ka një afat prej 9 muajsh për të paguar këtë gjobë, në të kundërt pas kësaj periudhe do të nisë dyfishimi i kësaj vlere të çmendur.
BBC i ka kërkuar Google një koment për këtë gjobitje, por kjo e fundit nuk i ka kthyer asnjë përgjigje.
Gjoba në Google lidhet me kufizimin e përmbajtjes së 17 kanaleve të mediave ruse në YouTube.
Ndërsa kjo filloi në vitin 2020, ajo u përshkallëzua pas luftës ndaj Ukrainës nga Rusia dy vjet më vonë.
Mediat ruse u ndaluan gjithashtu në Evropë – duke nxitur masa hakmarrëse nga Moska .
Në vitin 2022, dega lokale e Google u shpall e falimentuar dhe kompania ka ndaluar ofrimin e shërbimeve të saj tregtare në Rusi.
Megjithatë, produktet e saj nuk janë plotësisht të ndaluara në vend.
Ky zhvillim është përshkallëzimi i fundit midis Rusisë dhe gjigantit të teknologjisë amerikane.
Në maj 2021, rregullatori rus i medias Roskomnadzor akuzoi Google për kufizimin e aksesit në YouTube në mediat ruse, duke përfshirë RT dhe Sputnik, dhe për mbështetjen e “aktivitetit të paligjshëm të protestës”.
Më pas, në korrik 2022, Rusia gjobiti Google me 21.1 miliardë rubla (301 milion £) për dështimin për të kufizuar aksesin në atë që e quajti material “të ndaluar” në lidhje me luftën në Ukrainë dhe përmbajtje të tjera.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al