EMISIONI VETING
Dy standartet e drejtësisë me dokumentet e falsifikuara
Një nga problemet sociale më të mëdha në Lezhë është problemi i pronave, ku tjetërsimi i tyre nga persona të tretë është kryer me mbrojtje nga institucionet publike, por edhe me neglizhencën e drejtësisë. Rasti i Nik Palokajt tregon mënyrën se si drejtësia ka sjellë një lëmsh me pronat, që ka ardhur si pasojë e mos eleminimit të dokumenteve të fallsifikuara nga Gjykata dhe Prokuroria.
Banori autokton nga Mali Shëngjin ka qenë viktimë e tjetërsimit të pronave në këtë zonë, të cilat ai dhe rrethi i tij farefisnor i kanë marrë nga Komisioni i Kompensimit të Pronave me vendim të Gjykatës së Lezhës.
Por pas tjetërsimit të pronave nga palë të treta dhe pas vendimit të Gjykatës së Lezhës për anullimin e këtyre veprimeve si të pavlefshme, përsëri Nik Palokaj nuk ka mundur të rimarrë pronat pasi Gjykata dhe Prokuroria nuk kanë kërkuar eliminimin e dokumenteve të fallsifikuara.
Këtu del në skenë përsëri prokurori i Lezhës Erjon Shehaj, i cili edhe pse ka marrë kallëzimin nga Nik Palokaj për këtë rast, ai nuk i ka kërkuar Gjykatës së Lezhës eliminimin e këtyre dokumenteve, por ka bërë pushimin e cështjes. Por Palokaj nuk është ndalur me kaq pasi në shtator 2021 ka bërë ankesë te Prokuroria e Posaçme për Erion Shehaj, e cila ia ka referuar çështjen Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Palokaj ka bërë ankesë edhe në ILD jo vetëm për prokurorin Shehaj, por edhe për prokuroren Blerta Hamza. Në ankesë Nik Palokaj pretendon se drejtuesi i Prokurorisë Lezhë dhe Prokurorja Hamza kanë vepruar në kundërshtim me ligjin duke pushuar cështjen.
Të dyja këto ankesa, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë i ka marrë dhe i ka bashkuar në një çështje të vetme, duke i arkivuar në janar 2022, vendim që është kundërshtuar te Këshilli i Lartë i Prokurorisë nga Palokaj.
Në ankesën e dorëzuar në nëntor të vitit të kaluar, Palokaj pretendon se dy ankesat nuk duhet të ishin trajtuar në të njëjtën çështje nga ILD-ja. Kjo pasi rasti i Erion Shehajt lidhet me sjelljen e këtij magjistrati në mbrojtje të interesave të njerëzve me pushtet dhe kolegëve të tij ndërsa rasti i Blerta Hamzajt lidhet me kallëzimin ndaj kolegut të saj Shehaj prej Nik Palokaj.
Por Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ka mbyllur çështjen, duke mos marrë asnjë masë disiplinore.
Duhet theksuar se në vendimin për pushimin e çështjes, Shehaj ka pranuar ekzistencën e dokumenteve të fallsifikuara, por nuk ka marrë asnjë masë për eleminimin e tyre.
Por nëse për çështjen në Malin Shëngjin Shehaj nuk ka eleminuar dokumentet e fallsifikuara, përsëri në një rast tjetër ai ka kërkuar eliminimin e dokumenteve të fallsifikuara, që lidhen me çështjen te Rana e Hedhun. Madje në janar 2024, Shehaj kishte filluar procedimin penal për punonjësit e kadastrës Lezhë, pasi grupi i punës i ngarkuar për zbatimin e vendimi të Gjykatës Lezhë nuk e kishte ekzekutuar urdhrin.
Analogjia në këtë rast është e njëjtë, pasi në të dyja çështjet kemi falsifikim dokumentesh, por në rastin e Malit Shëngjin, Shehaj nuk ka kërkuar eliminimin e dokumenteve, edhe pasi ka marrë kallëzim nga Nik Palokaj.
Vetting iu drejtua me një kërkesë për informacion Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë për dy dosjet e transferuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit te ILD-ja, por kjo e fundit ka refuzuar të vendosi në dispozicion këto informacione. Në këtë rast, “Vetting” ka dashur të identifikojë personin me rekorde kriminale, për të cilin komisioneri publik ka evidentuar mangësi profesionale nga ana e prokurorit Shehaj.
Madje Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka arkivuar të dyja rastet dhe nuk ka vendosur në dispozicion informacionin vendimin.
Sipas Endrit Shabani nga “Nisma Thurje”, që Shqipëria të mbijetojë si shoqëri dhe jo vetëm si nocion gjeografik, që të vendosen disa themele drejtësie, neve do na duhet pjesa më e madhe e shoqërisë që janë njerëz të ndershëm, që jetojnë me punë të ndershme, të mobilizohen politikisht, që të përfaqësohen politikisht.
Rastet e drejtuesve të Prokurorisë së Rretheve tregojnë më së miri se Vettingu ka patur probleme dhe duhet të ketë një filtër të dytë për Gjyqtarët dhe Prokurorët, filtër i cili mund të kryhet sot për sot vetëm nga Prokuroria e Posaçme.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al