EMISIONI VETTING
Grabitja e pronës, “krim shtetëror”
Me një bregdet të gërshetuar ranor dhe shkëmbor, që fillon nga Adriatiku në Shkodër e përfundon në detin Jon në Konispol, Shqipëria është një mundësi e artë për zhvillimin e turizmit dhe tregun e pasurive të paluajtshme.
Por, nëse Zoti e ka dhënë kaq të begatë bregdetin dhe natyrën shqiptare, Ai nuk ua ka mbajtur dot dorën dhjetëra zyrtarëve në këto vite, të cilët në vend të zgjidhjes kanë futur në një ngërç ligjor pronarët, duke bërë që ky bregdet, nga një shans për zhvillim, të kthehet në një motiv për konflikt.
Sipas Endri Shabanit nga Nisma “Thurje”: “Korrupsioni ka prodhuar një grup, se nuk do thoja as klasë jo, një grup njerëzish që e kanë bërë shtetin të padrejtë dhe e kanë bërë qytetarin dy herë më të dobët. Më të dobët se shkon përballet me një kriminel, që shkon i merr një pronë që nuk i takon, por e kanë bërë më të dobët se ky kriminel ka në krah shtetin.”
Në nyjen e pazgjidhur gordiane, Lezha është ndër qytetet kampionë në Shqipëri ku prona, në vend të zhvillimit, ka prodhuar kacafytje të fortë. Problemi mbetet i pazgjidhur për shkak se në ngërçin e pazgjidhur janë futur ish-prokurorë e gjyqtarë dhe politikanë të zonës, duke bërë që pronarët të mos marrin zgjidhje edhe kur kanë vendim gjykate të formës së prerë.
Ky ngërç me pronësinë shihet qartë edhe te ekspertët e pasurive të paluajtshme, të cilët i këshillojnë investitorët të bëjnë kujdes për çështjen e pronësisë.
Gjin Gjoka, ekspert i pasurive të paluajtshme thekson për Vetting se: “Ju bëj thirrje juristëve, avokatëve, noterëve, të cilët mundohen të kalojnë, të gjithëve të jeni rigorozë, konseguent dhe me shumë kërkesë llogarie, për të pasur një zbatim ligji në lidhje me pasaportën e pronës.”
Nik Palokaj është një nga banorët autoktonë të Malit Shëngjin në Lezhë dhe së bashku me fisin e vet Palokaj janë ndër ish pronarët më të mëdhenj në Lezhë. Por gjithçka për ta ka ngecur pasi një prokure false, e firmosur nga noterja Zana Dema, e cila ka hedhur në erë planet për investim.
Fisi Palokaj zotëron 101.7 dynym tokë në Malin e Shëngjinit, ndërkohë që 180 dynym në Malin e Rençit janë në Gjykatën e Apelit për kthim dhe kompensim prone. Sipas dokumenteve zyrtare, 101 dynymët Nikollë Palokaj i ka fituar nga Komisioni i Kthimit të Pronave me vendim gjykate të vitit 2005.
Por historia e Nik Palokajt është dramatike, sepse ai, edhe pse është bashkëpronar i tokës me vendim gjykate, prej 18 vitesh nuk merr dot pronën e tij. Këtë herë, nuk është regjimi si në diktaturë, por është “regjimi i ri i zyrtarëve të korruptuar” që po e privon nga prona e tij.
Per Vetting Nik Palokaj thekson: “U plaka tu kërku dhe s’po dil me i dal në fund, s’po më dalin rreshtat kurrkund”.
Nga tjetër avokati Mevlut Derti shprehet se: “Drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar”.
Por kush e bllokon pronën e fisit Palokaj?
Në këtë episod “Vetting” do të sjellë për herë të parë pengesat që kanë prodhuar një sërë institucionesh publike, duke filluar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës Lezhë, Prokuroria dhe Gjykata. Të gjithë këto, mbështetur nga një pjesë e politikës, kanë bllokuar prej 18 vitesh një pasuri të fisit Palokaj që shkon 6-7 milionë euro.
Kadastra Lezhë, nën hetim për të njëjtën shkelje
Në janar 2024, me vendim të Gjykatës së Lezhës u pezulluan nga detyra 11 zyrtarë të kadastrës së Lezhës sepse nuk zbatuan një vendim gjykate për pronat në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin.
Rasti në fjalë lidhej me tjetërsimin e 234 mijë metrave katrorë tokë shtet ranishte, tokë për të cilën është dënuar me burg edhe ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj me ish-zyrtarë të tjerë.
Sipas prokurorisë, gjykata kishte vendosur asgjësimin e praktikave për këtë pronë, por ASHK-ja Lezhë nuk kishte zbatuar vendimin e Gjykatës së Lezhës.
Ajo që të bën përshtypje është fakti se Nik Palokaj ndodhet në të njëjtën situatë, pasi pret zbatimin e vendimit të gjykatës, por në këtë rast Prokuroria nuk ka filluar hetimet për të marrë masa ndaj drejtuesve të Kadastrës edhe pse ka patur vazhdimisht kallëzime.
Por çfarë ka ndodhur në rastin e Malit Shëngjin?
Në vitin 2005 është hartuar një prokurë false nga noterja Zana Dema në Lezhë së bashku me dy persona të tjerë, të cilët kanë shitur tokën e fisit Palokaj, duke falsifikuar firmën e tyre, vepër penale për të cilën noterja dhe bashkëpunëtorët e saj janë dënuar nga Gjykata e Lezhës.
Me anë të vendimit 442/2006, kjo gjykatë i ka shpallur si të pavlefshme veprimet e kryera nga prokurat e falsifikuara dhe ka urdhëruar ish-Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës Lezhë, që të bëjë regjistrimin e pasurisë në emër të të gjithë ish pronarëve.
Madje, në transaksionet me prokurën e falsifikuar ka indicie për evazion fiskal, pasi sipërfaqja prej 101 mijë metra katrorësh është blerë me vlerë totale 2 milionë e 500 mijë lekë, një shifër shumë e ulët, përsa i përket vlerës së tokës në atë kohë.
Denoncuesi Nik Palokaj ka kërkuar nga ish-Zyra e Regjistrimit të Pasurive regjistrimin e pronës, por ASHK-ja ka dalë mbi vendimin e gjykatës duke deklaruar se transaksionet mbi pronën janë realizuar përpara vendimit të Gjykatës Lezhës në 2006.
Sipas përgjigjes në vitin 2016, ish-Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka deklaruar se vendimi 442 i vitit 2006 është i pavlefshëm pasi prona është tjetërsuar te palë të treta.
Gjithashtu ish Zyra Qendrore asokohe deklaronte se vendimi nuk sillte asnjë pasojë juridike dhe në vendimin e Gjykatës nuk është marrë parasysh interesi i palëve të treta.
Avokati Mevlut Derti shprehet se: “Kemi të bëjmë me një shpërdorim detyrim, moszbatimi i një vendimi gjykate, për një institucion shumë të rëndësishëm siç është Agjencia Shtetërore e Kadastrës Lezhë”.
Për “Vetting”, Nik Palokaj pohon se mori një përmbarues privat për të rimarrë pronën e tij, por kjo nuk ndryshoi asgjë sepse e njëjta përgjigje vinte nga ish-Zyra e Regjistrimit.
Në disa raste, përmbaruesi privat i ka vendosur gjobë drejtuesit të Zyrës së Regjistrimit Lezhë, Bledar Mulaj me vlerë 50 mijë lekë.
Denoncuesi Nik Palokaj rrëfen kalvarin e sorollatjeve: “Ia çova këtij përmbaruesit, pagova ato detyrimet shtetit, filloj përmbaruesi bam-bam. Hoqën një jurist prej pune prokuroria e Lezhës, u shua kjo punë duke u bo palë juristi, ky përmbaruesi u bë palë me palën hajdute, e paguan më shtrenjtë, ku di unë se si u bë ajo punë e këtyre, por veçse sa herë kur shkoja unë i thosha unë; “Hë mo ca je duke ban, u plaka, do vdes”.
Nik Palokaj rrëfen se e ka patur të pamundur të bëjë regjistrimin e pronave dhe nuk ka lënë institucion publik pa iu drejtuar, por deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar.
“I gjithë bregdeti është i uzurpuar nga grupe të strukturuara kriminale ose nga oligarkë ose nga ata që janë një cik kështu edhe një cik ashtu. Pra, është e vështirë t’i ndash grupet e strukturuara nga oligarkët dhe padyshim që këtyre u duhen instrumentet dhe këto instrumente janë institucionet si në rastin e kadastrës, si policia, si bashkia.”- shprehet Endri Shabani.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al