Sejko: BSH e sheh amnistinë fiskale me kosto e benefite. Duhet të shmangen paratë që vijnë nga kriminaliteti dhe korrupsioni

Oct 6, 2022 | 8:33
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, thotë se nisma e amnistisë fiskale i shërben formalizmit të ekonomisë dhe do të ndihmonte buxhetin e shtetit, por duhet shmangur sipas tij rreziku për pastrimin e parave që vijnë nga kriminaliteti dhe korrupsioni.

1644319518_gent

“Opinioni i BSH-së është thënë edhe para Kuvendit dhe konferenca për shtyp. Pavarësisht draftit, BSH-ja e sheh amnistinë me kosto e benefite, por në funksion të formalizmit të ekonomisë, rritje e përfshirjes financiare formalizmin e ekonomisë. Amnistia ka impakt pozitiv dhe do të sjellë likuiditete e do të ndihmonte buxhetin e shtetit.

Kostot janë rreziku nga pastrimi i parave, duhet shmangur ky rrezik dhe paratë që vijnë nga kriminaliteti e korrupsioni. Kemi theksuar që Amnistia duhet bërë e studiuar që të jetë instrument që të funksionojë për përmirësim të administrimit fiskal, për të shmangur evazionin fiskal”, tha guvernatori Sejko në konferencën e zhvilluar dje për vendimmarrjen e politikës monetare. Nisma ligjore e Qeverisë që i hap rrugë deklarimit vullnetar të pasurisë deri në 2 milionë euro pa penalitete është rikthyer në vëmendje sërish pas gati dy vitesh. Por për shkak të kritikave të shprehura hapur nga faktori ndërkombëtar, përfaqësuesit e biznesit, ekspertët dhe opozita, qeveria vendosi të marr më tepër kohë për draftin final, teksa ka bërë të qartë që nuk do të heq dorë nga nisma.

INFLACIONI

Prej fillimit të vitit, vendi po përballet edhe me valën e rritjes së çmimeve. Kjo ka sjellë edhe rritjen e mëtejshme të normës së inflacionit që për muajin gusht ka kulmuar në 8.0 për qind, niveli më i lartë ky që nga viti 1998. “Inflacioni u rrit më tej në muajt korrik e gusht, duke shënuar vlerat respektive prej 7.5% dhe 8.0%. Kontributi kryesor në inflacion vijon të vijë nga rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës.

Megjithatë, tendenca e rritjes së çmimeve po bëhet prezente në një gamë gjithnjë e më të gjerë mallrash dhe shërbimesh. Forcimi dhe zgjerimi i presioneve inflacioniste pasqyron si rritjen e përshpejtuar të çmimeve në tregun global ashtu edhe intensifikimin e presioneve të brendshme. Lufta në Ukrainë përkeqësoi problemet ekzistuese të ofertës globale dhe shkaktoi probleme të reja, kryesisht në tregjet e ushqimeve bazë, të lëndëve energjetike dhe të lëndëve bazë.

Si rezultat, çmimet e këtyre produkteve u rritën shpejt në tregjet globale dhe në vendin tonë. Paralelisht me to, rritja e kërkesës agregate në vend ka mbështetur zgjerimin e punësimit dhe të pagave dhe ka shtuar presionet e brendshme inflacioniste”, tha guvernatori Sejko. Në përgjigje të kësaj situate banka e Shqipërisë vendosi të rrisë sërish normën bazë të interesit, nga 1.75 që ishte në 2.25 për qind. “Këshilli Mbikëqyrës vendosi: të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 2.25%; të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë në nivelin 1.25%; të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar atë në nivelin 3.25.

Në gjykimin e Këshillit, normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni tejet stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ky normalizim i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë dhe përmirësimit të mirëqenies sociale” .

ECURIA EKONOMIKE

Lidhur me ecurinë ekonomike, guvernatori Sejko tha se edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 vijoi rritja, ndonëse ritmet e saj u ngadalësuan ndjeshëm në tremujorin e dytë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, rritja ekonomike zbriti në nivelin 2.2%, nga 6.5% në tremujorin e parë. Reduktimi i rritjes pasqyroi, në masën më të madhe, ngadalësimin e shpejtë të aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe të industrisë.

Megjithatë, shenja të ngadalësimit ishin të pranishme edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. “Përditësimi i parashikimeve sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndonëse ritmi i rritjes do të jetë disi më i ulët. Përkeqësimi i perspektivës ekonomike në Evropë, ndikimi negativ që çmimet e larta kanë në fuqinë blerëse të familjeve, si dhe reduktimi i stimulit fiskal, pritet të ngadalësojnë konsumin familjar dhe investimet e bizneseve në vijim. Nga ana tjetër, niveli i lartë i depozitave, rritja e punësimit dhe e pagave, rritja e kredisë bankare dhe paketat e rezistencës sociale pritet të sigurojnë mbështetje për bilancet e sektorit privat”, shtoi më tej Sejko

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura