Më shumë gra se burra vdesin nga sëmundjet e zemrës, edhe pse përgjithësisht besohet e kundërta
Ataku në zemër i vret gratë “në heshtje”, ndërsa stresi dhe depresioni shton riskun sidomos për gjininë femërore.
Të gjitha gratë përballen me rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Të jesh e vetëdijshme për simptomat dhe rreziqet e veçanta që këto sëmundje sjellin te gratë, si dhe të ushqehesh me dietë të shëndetshme e të bësh ushtrime, mund t’ju ndihmojë të mbroheni.
Edhe pse sëmundja e zemrës është menduar si një problem që lidhet së shumti me burrat, më shumë gra se burra vdesin çdo vit nga sëmundja e zemrës. Sipas “National Heart, Lung, and Blood Institute”- (NIH), në SHBA, 1 në 4 gra vdesin nga sëmundjet e zemrës. Kjo mund të lidhet me faktin se, disa simptoma të sëmundjeve të zemrës te gratë mund të jenë të ndryshme nga ato të burrave. Për fat të mirë, gratë mund të ndërmarrin hapa të kuptojnë simptomat e tyre dhe të fillojnë të ulin rrezikun për sëmundje të zemrës. National Heart, Lung, and Blood Institute (NIH), por jo vetëm, bëjnë të ditura simptomat e atakut të zemrës te gratë dhe rrëfejnë se si ato mund të mbrojnë zemrën e tyre.
Simptomat e atakut të zemrës te gratë
Simptoma më e zakonshme e atakut të zemrës te gratë është një lloj dhimbjeje, tension apo parehati në kraharor. Por kjo nuk është gjithmonë e fortë apo simptoma më e dallueshme. Dhe, disa herë gratë mund të kenë atak në zemër, pa pasur dhimbje kraharori. Ato, ka më shumë gjasë se burrat të kenë simptoma të atakut në zemër, që nuk kanë lidhje me dhimbjen e kraharorit, si: qafa, nofulla, shpatulla, parehati në pjesën e belit apo të barkut, frymëmarrje të zorshme, dhimbje të krahut të djathtë, ndjesi të vjelle, djersitje, marrje mendsh, lodhje jo të zakonshme. Gratë mund ta përshkruajnë dhimbjen e kraharorit si presion ose ngushtim. Kjo mbase, sepse gratë kanë tendencën të kenë bllokime, jo vetëm në arteriet e tyre kryesore, por gjithashtu edhe në arteriet më të vogla që furnizojnë zemrën me gjak, një gjendje e quajtur sëmundja e enëve të vogla të gjakut ose sëmundje mikrovaskulare. Simptomat mund të ndihen më shpesh kur ato janë duke pushuar apo madje kur janë duke fjetur. Stresi mendor gjithashtu mund të rëndojë këto simptoma.
Faktorët e riskut te gratë
Edhe pse faktorët e zakonshëm të riskut për sëmundjet e zemrës, si kolesteroli i lartë, presioni i lartë i gjakut dhe obeziteti ndikojnë, si te burrat dhe te gratë, disa faktorë të tjerë luajnë rol më të madh në zhvillimin e sëmundjes së zemrës te këto të fundit. Për shembull: Diabeti rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës më shumë te gratë se te burrat.
Sindromi metabolik — një kombinim i sasisë së yndyrave (apo ajo që shpesh e quajmë “tule” a bel i trashë) rreth pjesës së barkut, presioni i lartë i gjakut, sheqeri i lartë në gjak dhe trigliceridet e larta, kanë më shumë ndikim te gratë.
Stresi dhe depresioni gjithashtu ndikojnë më shumë në sëmundjet e zemrës te gratë sesa te burrat.
Pirja e duhanit është gjithashtu një faktor më i madh rreziku për gratë për sa i përket zemrës.
Mungesa e aktivitetit fizik është një faktor i rëndësishëm që ndikon negativisht.
Nivelet e ulëta të estrogjenit pas menopauzës janë po ashtu një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare në enët e vogla të gjakut.
Komplikacionet e shtatzënisë, si presioni i lartë i gjakut dhe diabeti i shtatzënisë mund të jenë po ashtu faktorë risku për sëmundje të zemrës, si te nëna dhe te fëmija.
Është sëmundja e zemrës diçka për të cilën duhet të shqetësohen vetëm gratë e vjetra në moshë?
Jo. Jo vetëm gratë nën moshën 65 vjeç dhe në veçanti ato që kanë në familje histori të të afërmve me sëmundje të zemrës, duhet të kenë më shumë kujdes. Por të gjitha gratë, të të gjitha moshave duhet të jenë të kujdesshme.
Çfarë duhet të bëjnë gratë për të ulur riskun për sëmundjet e zemrës?
• Ndalo duhanin nëse e pi!
• Bëj 30 deri në 60 minuta ushtrime thuajse çdo ditë, ose 60 deri
në 90 minuta nëse është e nevojshme të humbësh në peshë.
• Mbaj dietë të shëndetshme.
• Ha ushqime që kanë pak yndyrë të ngopur, kolesterol dhe kripë.
• Gjithashtu keni nevojë të merrni mjekime të përshtatshme për presionin e gjakut, hollues të gjakut dhe aspirinë.