BETI NJUMA/ “Të bësh poezi është si të bësh dashuri: kurrë nuk mund ta dish nëse do ta bashkëndash gëzimin me dikë” shkruante Cesare Pavese, poeti që i ushqeu veprat me dashuritë e jetës së tij, ndonëse u vetëvra tragjikisht, për shkak të dashurive të pamundura. Preç Zogaj, që dashurinë e ka lëndë të parë të vargjeve e fjalëve bashkëndan sot me ne jo thjesht një gëzim, por dashurinë e madhe të jetës së vet, poezinë, esencën e një krijimtarie të gjatë letrare 40 vjeçare që kulmon me vargun.
“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” është volumi i poezive të përzgjedhura 1984-2024 që na lejon të rindërtojmë rrugëtimin e tij poetik, botëkuptimin estetik, evoluimin si njeri dhe shkrimtar, çka na jep edhe një panoramë të zhvillimit të poezisë bashkëkohore shqipe. Është libri që Zogaj e konsideron më të rëndësishmin. Për mua si lexuese e tij, padyshim edhe më i bukuri.
Ky vëllim është apogjeu i një krijimtarie që poeti e ka ushtruar si një lloj kulti duke e ndriçuar jetën e përditshme me një dritë së cilës sot mund t’ia përthithim të gjitha grimcat, ndërsa frekuenca e vlerës mbetet konstante.
Ata që kanë lexuar “Kufiri”, “Finalja”, “Vera e Përjetshme”, “Shëtitorja”, “Anja nuk u zgjua”, “Bija e vjetër e nënës së re”, apo memuaret publicistike “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”, “Institucionet e tranzicionit”, “Fillimet” e shumë të tjera e dinë se njeriu i letrave, politikani i dikurshëm, kritiku i mprehtë, intelektuali autoritar, opinionisti i toneve të qeta e analizës së thukët ka një pikë të dobët. E ajo është poezia. Përgjatë katër dekadave me angazhime të shumta, vargjet e kanë gjetur gjithmonë një shteg për të depërtuar, si një takim i pashmangshëm dhe i domosdoshëm, së pari me shpirtin e mandej me lexuesin.
Përzgjedhja e poezive nuk ngjan të jetë rastësore, por përmbajtësore, tejet personale dhe përfaqësuese ku ligjërimi poetik dhe tematika kanë rëndësi parësore. Janë njëmbëdhjetë vëllime poetike që kanë kaluar në sitë, nisin në 1986 me “E pakryer”, vijojnë me “A thua do të vish duke qeshur” 1988, “Qielli i gjithkujt” 1990, “Këmbësor në qiell”1994, “Kalimi”1999, “Pas erës së re” 2004, “Gjallë unë pashë” 2008, “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë” 2010, “Fundi, Një fëmijëri tjetër” 2013, “Ushtrimet e melankolisë” 2016 dhe përfundojnë me “Një e tretë, Dashuria” 2021.
Çdo poezi e përzgjedhur është një histori e vetvetes, autobiografi e ngecur në ndjenja të përjetuara në mënyrë tërësore, e lidhur ngushtë me kërkimin dhe ndërtimin e identitetit, si njeri dhe shkrimtar. Tani s’na mbetet veç ta lexojmë, shijojmë dhe interpretojmë, të analizojmë, dhe arsyetojmë për strukturat dhe shtresëzimet që karakterizojnë tekstin poetik, gjuhën, sintaksën dhe tingujt.
Në këtë kuptim, ky libër poetik nuk është një rrugëtim që ka mbërritur në një destinacion, por kulmi i një procesi krijues që autori e përkufizon me një varg domethënës tek “Zgjimet Marsiane”: “Të gjitha kujtimet i kam liruar/ si Aristoteli skllevërit e tij”.
Gjejmë në vëllim një ndër krijimet e para të 1986 “Eja në botën e poezisë!” që shërben sot e gjithë ditën si një ftesë e përhershme në hapësirat mes fletëve. Zogaj personifikon thuajse gjysmë shekulli të poezisë shqipe, lindur në kapërcyell të dy epokave, asaj kur poezia lexohej e shijohej dhe kësaj të sotmes ku më shumë citohesh se lexohesh. Dhe kantieri poetik i këtij artizani të vargut ia ka dalë më së mirë të përballojë sfidat e realiteti të ri, pak real e shumë virtual, ku bukuria dhe qarkullimi jo vetëm maten por edhe blihen me “lajka” dhe “views”. Poeti është shndërruar kësisoj gati-gati në “një prift të padukshëm” po të përdornim përkufizimin e Wallace Stevens. Grigja e tij e lexuesve, të vjetër e të rinj, e ndjek pas me një dashuri të sinqertë e të pakushtëzuar që përmbush kushtin e një tjetër kolosi të vargut. Në kohërat kur shoqëria duket se e ka humbur vlerën e fjalëve, Federico Garcìa Lorca na kujton se “Poezia kërkon dashnorë dhe jo ndjekës”. Të tillë janë lexuesit e Zogajt që zotërojnë sekretin universal të “masonerisë” së vargut. Të privilegjuarit e një “lozhe” që poezinë e ushtrojnë dhe shijojnë si një lloj shenjtërie.
“Të dielën herët” është poezia që çel përmbledhjen, e shkëputur nga vëllimi “E pakryer” i 1986, kohë e largët e fillimeve të hershme të atij që do të njihet si produkt i grupimit letrar të Lezhës. Janë vitet kur vargjet e para nisin të botohen në faqet e revistave e gazetave letrare të kohës, Drita, Zëri i Rinisë apo Nëntori, të pakta por të plotësisht të mjaftueshme për të spikatur talentin e ri që po shfaqej në horizont.
Zogaj ka lindur në Manati të Lezhës, vendi ku u ndje i lirë nga kufizimet familjare, shoqërore por edhe dogmatike të kohës dhe që luajti një rol të rëndësishëm në gjenezën formimin dhe pjekurinë poetike. Në këtë përmbledhje shohim nga njëra anë se si poezia shpërfaqet si artikulimi ritmik i mendjes, e nga ana tjetër ndiejmë nevojën e njeriut të përballet me identitetin e shkrimtarit. Përveç rindërtimit të kontekstit historik, gjeografia është thelbësore për të kuptuar një autor si Zogaj dhe përsiatjet e tij në disa plane: materiale, shpirtërore, etike dhe filozofike.
“Paralindja e fëmijës” mbyllet me vargun kuptimplotë: “Edhe te burri ndihet gjallë fëmija”. Zogaj si Odiseu, kthehet në kërkim të vendlindjes dhe origjinës si “vendi i ligjshëm i fëmijës”. Kurdiset kujtesa e fëmijërisë së mbështjellë me “qiell e përralla” dhe “numëron sekondat”. Më kot lodhet poeti sepse “Njerëzit me të cilët u rrit po vdesin…/ zmadhohet, vjetrohet vetmia ime…./Jeta na mundi.” Fëmijëria mbetet një terren i preferuar i kërkimit substancial, pikërisht në oborr, aty ku “nisin rrugët e gjata të birit”. Nga porta e shtëpisë, në një horizont qyteze provinciale lind bota e panjohur me nyjet e shumta nëpër të cilat poeti shpesh do të ngatërrohet, me rastësitë, pasionet dhe trillet që shoqërojnë jetën.
E nëse ka një “qortim” për atin kur shkruan: Fjalë të këqija asnjë, asnjë ankesë/për atin tonë, o motra, o vëlla./ Na hoqi shpejt nga lodrat, e di./ Na dërgoi herët në ara, e di/ Po ku mund të na çonte tjetër, ku?; nëna mbetet figurë referimi, prania më domethënëse në të gjithë opusin letrar të Zagajt, në prozë dhe vargje. Krijesë e ëmbël e kryelartë, që i del zot vetes e bijve, ajo është heroina e çdo dite. E mbështjellë me një tis melankolie dhe figurë e pazëvendësueshme ajo ngërthen shpirtin e pastër dhe me dinjitet për të cilën poeti ndien dhimbje: “Unë e shkoj natën duke mbledhur kohës gjurmët e nënës/ por ah si rënkojnë në frymëmarrjen time rënkojnë, rënkojnë!”
Por Zogaj është edhe poeti i ekzistencës së perceptuar si mungesë kur si një sentencë shkruan: “Të jesh tu mos qenë, kjo është çështja!” Apo akoma: “Nuk më verbon prania, por mungesa.” Si një strateg i mençur, falë poezisë ai zhvat gjithmonë diçka nga bindja në shkretëtirën që krijon mungesa dhe përkohësia. Tek “Papushim kërkon të ndalet zemra ime” ndjehet bilanci jetësor i poetit. Vetëm ajo nuk është ndalur kurrë,/ E vetme ka shënuar rrjedhën e jetës sime,/ Duke zmbrapsur shigjeta, sulme, hile, rrengje,/ Duke pastruar helme e fashitur klithma…. / Vetëm ajo, gjithmonë ajo, zemra….Më i mirë se jam do të kujtohem.
Poetit i pëlqen të tregojë përvoja të forta, të ndajë me lexuesin emocionet e tij dhe një boshllëk që duhet ta mbushë. Është ndjesia se banon në një botë të plotësuar e të përfunduar në vetvete, por që vazhdon kërkimin tjetërkund, në një hapësirë jashtë kohe: “Tani në parakohë rropatemi të kapim/ një jetë të harxhuar, që s’e kemi jetuar/ që nuk e mbajmë mend.”
Është poezia e dashurisë ajo që përbën pikën më të lartë të krijimtarisë poetike të Zogajt, e sintetizuar në vargun “Bashkëudhëtar kam dashurinë”.
“Poezia e dashurisë” ky përkufizim kaq i lehtë dhe i qartë që humbet menjëherë konturet, që ndryshon dimensionin, formën, ngjyrën, nëse përpiqemi ta kufizojmë. Sido që ta konturonim do të tingëllonte sipërfaqësore dhe reduktuese ndaj le ta sjellim të rafinuar, simbolike e të thellë siç vjen në metaforat e poetit. Herë me konceptin e së madhërishmes e herë tokësores e reales, me ngarkesën lirike që krijon përjetimi i brishtë dhe i ndjerë i një kujtimi.
Gruaja si “”prani e gjallë joshjesh” si “zemër e paepur” që “vret me shikime dashurie” apo ku “nuk verbon prania por mungesa”.
Në ligjërimin poetik të Zogajt, rëndësi të dorës së parë ka edhe figura e intelektualit në shoqëri, në kërkim të vazhdueshëm të përgjigjeve. Shqetësimet e tij, ndjenja e kontradiktës dhe tjetërsimit janë të ligjshme para një realiteti shqetësues ku “Fëmijët po rriten/ Shqipëria po shëmtohet” apo “A ka një tokë intime, një atdhe/ për fëmijët e mi dhe të tutë.”
Në fund edhe dy fjalë për gjuhën e Preç Zogajt, si zë metafizik i qenies individuale. Poetët janë ithtarë të fjalës dhe mendimit dhe gjuha mbetet instrumenti esencial i ndërtimit të marrëdhënies specifike me lexuesin. Kur gjuha arrin nivelin më të lartë poezia bëhet pashmangshmërisht bartëse shumëdimensionale e një përvoje jetësore që vlen për gjithkënd e në çdo kohë.
Profetik mbetet vargu: “Sepse lindim përjetësohemi. “Në këtë kuptim poezia e Zogajt mbetet në gjirin e të përgjithmonshmes, pasqyrë e një “mëkati” të jetuar bukur e në tërë plotërinë e vet!
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al