Serbia armatoset, Shqipëria… “pispilloset”

Sep 4, 2024 | 7:41
SHPËRNDAJE

NGA XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

Pas nënshkrimit me reklamë dhe jehonë të madhe e fort të amplifikuar më 19 korrik 2024, në Beograd, të marrëveshjes me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholz për litiumin, me vlerë disa miliarda euro, Presidenti i Serbisë, i dëshmuar qysh nga rinia dhe bashkëqeverisja me Slobodan Milosheviçin si filorus i flaktë dhe antishqiptar i tërbuar, Aleksandar Vuçiç arrin një sukses apo fitore tjetër të madhe, jo vetëm politike e jo vetëm për atë individualisht, si president! Po me reklamë të tejfryrë mediatike dhe diplomatike ai firmos brenda një harku kohor as tamam 6 javësh, saktësisht pas 40 ditësh, një marrëveshje për blerje të 12 avionëve ushtarakë të markës “Rafale” e me vlerë në rreth 2.7-3 miliardë euro gjatë vizitës në Beograd më 29- 30 gusht 2024 të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron! Është për t’u theksuar se të dyja këto marrëveshje apo “dhurata” për Serbinë dhe Vuçiçin janë bërë me dijeninë e plotë dhe “nën hundën” e BEsë, NATO-s, Shtëpisë së Bardhë e të DASH!?

Me këtë marrëveshje me faturë kaq të lartë financiare, Franca bëhet një nga vendet aleate parësore apo më me peshë për Serbinë. Pra, mbasi është armatosur deri në dhëmbë me avionë, dronë, raketa, armë artilerie të kalibrave më të rëndë e ndër më modernët nga Rusia “nënë”, nga Kina “motër”, nga Irani… Serbia do t’i shtojë arsenalit të saj tepër të pasur e të fuqishëm ushtarak edhe këta 12 avionë francezë, me shumë gjasa prodhime të muajve të fundit të vitit 2024 ose të muajve të parë të vitit 2025.

Për më tepër nga Franca, një nga vendet themeluese të NATO-s dhe BEsë e me pretendime për të rritur peshën e saj në këto dy unione e përtej tyre! Por, edhe me synimin, bashkëshoqëruar me përpjekje diplomatike e mediatike, për të reklamuar veten i dashamirëse e “tutore” e paanshme edhe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Është e kuptueshme se fatura në afro 3 miliardë dollarë është tejet sforcuese për buxhetin ekonomiko-social-ushtarak të Serbisë! Mund të mendohet edhe se mund t’i dalin para të hedhura kot, në një periudhë kur shumica e popullit serb kanë të ardhura të ulëta mujore e nivel mirëqenieje rreth të paktën 5-fish më të ulët se të francezëve! Nga iluzioni dhe euforia se po përfiton ushtarakisht, Vuçiç mund të jetë “dehur” sa të mos kuptojë se po sakrifikon ndjeshëm nga djersa e popullit të tij dhe për një të ardhme të tij shumë më të mirë se e sotmja!

Nuk mund të përjashtohet kategorikisht edhe opsioni i shfrytëzimit të këtyre 12 avionëve dhe i gjithë arsenalit ushtarak për një skenar të afërt e ca më të largët të Putinit, për t’i hapur një front lufte pas shpine, pas Ukrainës, NATO- s, me shumë gjasa në Ballkan (Kosovë)! Merret me mend se kjo mund të dalë një aventurë me rrjedhoja rrënuese apo “vetëvrasëse” për Serbinë shumë më të rënda se sa në 24 mars-12 qershor 1999! Pa përjashtuar edhe ndëshkimin e Vuçiçit me fatin dhe fundin e Millosheviçit.

Kësaj “fature” të tmerrshme i duhen shtuar edhe rrjedhojat shumëdrejtimëshe për Serbinë, deri në shtyrjen për në “kalendat greke” të anëtarësimit në BE, nga armiqësimi dhe konfliktimi i dytë me NATO-n, për një ëndërr të varrosur përfundimisht më 9- 12 qershor 1999! Merret me mend se kundër cilëve vende mund t’i përdorë ushtria e Serbisë këta 12 avionë, ndër më modernët dhe të fuqishmit në qiejt e luftërave! Pa fare vramendje e dyshime jo “për t’u mbrojtur” nga Rusia e Bjellorusia, Koreja e Veriut, Irani…, por vetëm kundër armiqve historikë, shqiptarëve, domethënë kundër Kosovës dhe Shqipërisë. Nënkuptohet, edhe për të përmbushur ëndrrën e moçme ruso-serbe për të dalë në brigjet e Adriatikut, mundësisht edhe deri në Durrës e për t’u rikthyer në hartën e Jugosllavisë së parë, të paktën në kufijtë e marsit 1999…!?

Nuk mund të mos mendohet se duke e fshehur keq synimin dhe objektivin e parë me interesat financiare dhe ekonomike të kompanisë prodhuese Dassault Aviation dhe të dy vendeve, kjo marrëveshje, që i lumturoi dy presidentët, sa u përqafuan si vëllezër apo si miq të ngushtë, është shprehje dhe dëshmi e re e dashurisë me Serbinë dhe e antishqiptarisë rreth 250-vjeçare nga Franca! Kjo dashuri e vjetër dhe marrëveshje e re frankoserbe, nënkuptueshëm edhe në interes të drejtpërdrejtë të Rusisë së Vladimir Putinit, shpjegon edhe arsyet e qëndrimit të hapur të njëanshëm, në mbështetje të qeverisë së Serbisë dhe të presioneve dhe masave bllokuese e ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës, sidomos ndaj kryeministrit Albin Kurti nga qeveria e Francës e personalisht nga Presidenti Macron në Paris, Bruksel, Prishtinë…!

Është parë e dëgjuar disa herë, sidomos gjatë viteve 2023 e 2024, se nga goja e vetë Presidentit Macron dhe e bashkëpunëtorëve dhe misionarëve të tij diplomatikë, është shprehur pa dorashka favorizimi i Serbisë dhe qëndrimi kritik, deri në nëpërkëmbje të sovranitetit dhe integritetit territorial e shtetëror të Kosovës. Lakuriqësinë e njëanshmërisë të diplomacisë franceze dhe individualisht të Emmanuele Macronit e shpreh edhe kjo deklaratë e tij, kur duke iu referuar Kosovës, kujton dhe përmend vetëm komunitetin serb në Kosovë!

“Donim të ndihmonim rajonin të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamata, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë. Ajo krijon mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë, duke respektuar ligjin, por pa iu cenuar identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë, si dhe është një garanci për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”. Po kaq trashë apo keq, Franca fsheh edhe garën e kahershme me aleaten e saj më të ngushtë të këtyre rreth 75 viteve, Gjermaninë, për të pasur ndikim sa më të fortë e të shumanshëm në Serbi e Ballkan. Kjo marrëveshje e re franko-serbe, ashtu si ajo gjermano-serbe e 17 korrikut për litiumin, justifikohen në Berlin e Paris, në Bruksel e në Uashington me synimin dhe dëshirën e kotë, fantaziste apo ëndërrore, për t’ia rrëmbyer Serbinë dhe Aleksandar Vuçiçin, atyre që e mbajnë dhe do ta mbajnë me thonj e dhëmbë, Rusisë dhe Vladimir Putinit nga zemra, mendja, gjoksi, prehri, xhepi… e për ta pasur anëtare të sinqertë e besnike në gjirin e BE-së e të NATO-s.

Pra, mesazhi apo nënteksti i marrëveshjes franko-serbe të 29 gushtit 2024 zbulohet, kuptohet apo përkthehet lehtësisht nga serbishtja e frëngjishtja: Shqiptarë, mos u besoni buzëqeshjeve, përqafimeve, lajkave… franceze, sepse pas tyre do t’u bien mbi kokë predha, flakë, vdekja… edhe nga avionët “Rafale”! Paradoksalisht apo papërgjegjshmërisht, me euforinë e mbrojtjes 100% apo 1.000% nga ombrella e NATO-s, ndryshe nga ajo serbe, që armatoset pareshtur dhe pa u kursyer, me armë jo mbrojtëse, por edhe me avionë gjuajtës bombardues, qeveria shqiptare vazhdon të mbajë një ushtri, që do të na mbrojë nga “armiqtë e jashtëm” 3 herë më të pakët në numër se policia, që do ta mbrojë nga… populli shqiptar!? Për më tepër e më keq, kthen nga “kokoshi në një thelë” bazën detare të Pashalimanit, në resorte turistike e artistike edhe Ishullin e Sazanit, edhe bazën e nëndetëseve të Porto Palermos si dhe në qendër rezidence për refugjatë afrikanë bazën e avionëve të Gjadrit…, edhe, edhe…!

Kjo i jep shumëkujt arsye të përpunojë lehtë edhe një shprehje popullore: Serbia armatoset, Shqipëria “pispilloset” nëpër pasqyra të WC-ve në shtëpi e zyra; nëpër plazhe, krevate, lokale…! Apo, edhe më rëndë: “lakuriqësohet dhe harbohet”, edhe veten duke harruar e rreziqet duke i nënvleftësuar…!? Listën e plotë të objekteve strategjike ushtarake e të mbrojtjes së vendit nga toka, deti e qielli hequr nga përdorimi, funksionet dhe misioni në këta 33 vjet, mund ta bëjnë më mirë se unë ushtarakët me grada të larta në forcat tokësore, detare, ajrore, në detyrë ose në pension! Do të hynin në histori ata që do të kishin burrërinë dhe shqiptarinë t’ua linin mbi tavolina ose t’ua kujtonin në media këtë listë me gjëma ndaj mbrojtjes së vendit ministrit të ri të Mbrojtjes, Pirro Vengu e sidomos Presidentit Bajram Begaj dhe Kryeministrit Edi Rama! Përse jo, edhe ishpresidentëve, ish-kryeministrave, ish-ministrave të Mbrojtjes të mëparshëm, të gjallë e kuq si molla e verërat e mira e të shtrenjta, që kanë pirë e pinë shpesh për dreka e darka, nga 1992 deri më sot…!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura