“Serbia po na provokon sërish”- Albin Kurti publikon fotot: Trupat serbe rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, synojnë nxitjen e tensioneve

Oct 12, 2024 | 22:25
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka publikuar imazhe, për të cilat thotë se janë trupat serbe 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës.

trupat serbe

Kurti shkruan se Serbia po i provokon sërish dhe se ushtria e tyre ka për qëllim nxitjen e tensioneve.

Ndër të tjera, ai shkruan se Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës.

Postimi i Kurtit:

Serbia sot ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës.

Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve.

Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë.

Sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët e aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë.

Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës.

Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës.

462677093_1090451919115201_1407393221392993084_n 462680723_1090451949115198_3506566429332724168_n 462747549_1090451915781868_343345690164704510_n 462704932_1090451939115199_5911199571547283177_n 462598656_1090451855781874_6008686487415104309_n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura