Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nëse Serbia nuk dënohet apo nuk i vihen sanksione për sulmin terrorist të Banjskës më 24 shtator, “definitivisht nuk do të ketë dialog”.
“Nëse nuk ka dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”, ka thënë Kurti në një intervistë për “Financial Times”. “Do të përfundojmë në menaxhim të dështuar të krizave dhe do të harrojmë fare për normalizim”.
Siç shkruan “FT”, liderët e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen të enjten në Bruksel, për herën e parë qëkur paramilitarë serbë sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
“Financial Times” ka thënë se, sipas Kurtit, Perëndimi duhet t’i shuajë shpresat për rikthim të bisedimeve në rrugë të duhur, nëse “nuk shtrëngon” Serbinë.
Po ashtu Kurti ka akuzuar sulmuesit e Banjskës se kanë tentuar të nisin një luftë të re për të aneksuar veriun e Kosovës. Ai ka përsëritur se pas sulmit të 24 shtatorit “gjithçka ka ndryshuar”.
Kurti i ka kërkuar emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, që të mos e konsiderojë Serbinë si një “ari që duhet t’i hidhen qengja për ta kënaqur”. “Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes dhe sigurisë”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al