Sfidohen 2 vëllezërit Turam, sulmuesi i Interit: Derbi special, babai është me Juven

Oct 25, 2024 | 10:27
SHPËRNDAJE

Në familjen Turam ka nisur derbi… Ditën e diel Interi do të presë Juventusin në një prej ndeshjeve më spektakolare dhe më historike të futbollit italian.

TURAM2

Këtë herë do të jetë ndryshe për legjendën franceze Lilian Turam, që të dy djemtë e tij do të zbresin në fushë dhe do të jenë rivalë, Markus me Interin dhe Kefren me Juventusin. Zemra e tij sigurisht që është e ndarë në dy pjesë, por Markus nuk ka dyshime. Ai thotë se babai do të bëjë tifo për Juventusin, nisur nga fakti që ka luajtur aty. Sulmuesi i Interit ka folur për derbin e Italisë pas fitores në Bernë kundër Jang Bojs, ku ishte vendimtar me golin e tij në frymën e fundit.

DERBI- Markus thotë se të dielën e gjithë familja do të jetë në stadium për të parë këtë ndeshje. “Do të jetë ditë e bukur për familjen time. Të dielën është ndeshje spektakolare. Mendoj se im atë do të bëjë tifo për Juventusin. Mund ta kuptoj vendimin e tij sepse aty ka luajtur në të shkuarën dhe për më tepër luan tani vëllai i vogël”, tha fillimisht Turam. Më tej ai theksoi se kjo ndeshje është e rëndësishme, por shumë herët për të folur për titullin. “Çdo ndeshje vlen 3 pikë dhe ne do të provojmë t’i marrim. E dimë çfarë rivali është Juventusi. Ata janë kandidatë për titullin kampion, por ne duhet të shohim veten. Kërkojmë të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje”, tha Turam.

CHAMPIONS- Sigurisht që ai u ndal edhe te fitorja ndaj Jang Bojsit në Ligën e Kampionëve. “Shumë e rëndësishme kjo fitore për ne. Jemi një skuadër që nuk dorëzohemi kurrë. Nuk kemi pësuar ende gol në Champions dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në Champions të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe delikate. Fituam në transfertë dhe ka shumë motive për të qenë të lumtur”, shtoi heroi i zikaltërve. Ai gjithashtu ka zbuluar se çfarë folën në dhomat e zhveshjes. “Trajneri tha që nuk duhet të dilnim nga vetja dhe ta kërkonim fitoren si të çmendur. Duhet thjesht të luanim ashtu siç dimë të bëjmë ne. Tani kemi shumë ndeshje të vështira përpara, por jemi gati dhe duam që të lëmë gjurmë në të dyja kompeticionet”, përfundoi sulmuesi francez.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura