Shallari i qetë pas hekurave, çfarë tha kur u pyet për vrasjen e Cukut

Jun 14, 2017 | 12:19
SHPËRNDAJE

Paraditen e djeshme, Mikel Shallari doli për herë të parë para Gjykatës për Krimet e Rënda.

MIKEL-SHALLARI-NE-GJYQ

I arrestuari 24-vjeçar, i dyshuar si ekzekutori i ish-shefit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, nuk jepte përshtypjen e një njeriu të penduar, shkruan “Panorama”.

I veshur sportiv, me bluzë, xhinse dhe atlete, Shallari u shfaq i qetë në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit.

Me mjekrën mbështetur mbi dy duart e lidhura grusht, ai ndoqi me sy gjatë gjithë kohës çdo detaj të komunikimeve të prokurorit Henrik Ligori, teksa ky rrëfeu se ishte identifikuar Shallari si autor i dyshuar i ngjarjes dhe kërkoi izolimin e tij në qelitë e paraburgimit.

Prokurori tha se nga hetimi i deritanishëm dyshohet se vrasja e Cukut ka ndodhur për motive gjakmarrjeje dhe se Prokuroria shtriu hetimet paralelisht dhe në dy pista te tjera. Shallari u përfaqësua nga një mbrojtëse e caktuar kryesisht nga gjykata.

Ai nuk pranoi të flasë në lidhje me akuzën. “Për momentin nuk kam asgjë për të shtuar”, tha Shallari, pak sekonda pasi mbrojtësja Edlira Naqellari kërkoi një masë më të butë sigurie për të. “Do konsultohem me avokaten dhe do të flas në një moment tjetër”, shtoi ai.

Më herët, gjyqtari Kurushi i shpjegoi të dyshuarit të drejtën për të dhënë ose jo deklarime dhe faktin se deklarimet e dhëna prej tij në sallën e gjyqit mund të përdoreshin kundër tij në një proces gjyqësor në të ardhmen, ku ai mund të jetë i pandehur.

Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 24-vjeçarin, i dyshuar për akuzën e “vrasjes me paramendim për hakmarrje apo gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim. Gjatë zhvillimit të seancës, në sallën e gjyqit, përveç gazetarëve dhe punonjësve të Policisë, nuk ishte i pranishëm asnjë familjar i tij.

Prokurori kërkon “burg pa afat” për Mikel Shallarin

Prokurori i çështjes dorëzoi në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest ne burg” për Mikel Shallarin, me akuzën “vrasje për gjakmarrje” sipas nenit 78/A të Kodit Penal, siç është referuar nga policia, pa ndonjë provë konkrete për këtë version. Seanca u mbajt ditën e sotme, ndërsa i akuzuari për këtë vepër nëse shpallet fajtor, rrezikon dënim nga 25 vjet deri në burg të përjetshëm. Në kërkesën për caktim mase, Prokuroria evidenton se ka prova shkencore që e implikojnë Mikel Shallarin, në vrasjen e komisarit Artan Cuku mbrëmjen e 8 prillit 2017 në pallatin ku ai banonte në Tiranë.

Prokuroria ka theksuar se ka nxjerrë urdhër ndalimi ndaj 24-vjeçarit, pasi policia i referoi provat shkencore në fjalë, përfshi gjurmët e ardhura nga policia zvicerane përmes Europolit dhe analizën e ADN-së në rrobat e gjetura në vendngjarje.

Ka qenë pikërisht e shkuara kriminale në Zvicër, që ka zbuluar implikimin e Shallarit në vrasjen e Artan Cukut. Organet zvicerane të Drejtësisë kanë identifikuar Shallarin, pasi atje ai ka qenë i dënuar me 3 vite burg për shpërndarje të lëndëve narkotike, madje ka vuajtur disa vite burg. Pas përfundimit të burgut, autoritet e policisë zvicerane e kanë depërtuar drejt Shqipërisë më 24 qershor të 2016. Shallarit i është ndaluar për 5 vite hyrja ne vendet e BE-së.

Pas kthimit në Shqipëri, Shallari nuk ka precedentë penalë, mirëpo mbetjet biologjike të gjetura në rrobat që ishin hedhur tek Posta nr.8 në kazanët e plehrave, u përputhën me ADN-në që policia zvicerane i kishte skeduar Shallarit që në vitet 2013-2014. Policia ka njoftuar Prokurorinë rreth 20 ditë më parë në lidhje me përputhjen e ADN-së dhe, pas administrimit në dosje të kësaj prove, ka nisur ndjekja e të dashurës së 24-vjeçarit. Pikërisht gjatë kësaj ndjekjeje, policia ndaloi mëngjesin e të dielës Mikel Shallarin, bashkë me të dashurën pranë Pallatit me Shigjeta në Tiranë.

ARMAND BAJRAMI-PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura