SHBA akuzon rusët për krijimin e videos së rreme për votimet në Xhorxhia

Nov 1, 2024 | 23:30
SHPËRNDAJE

Inteligjenca amerikane akuzoi më 1 nëntor “aktorët e ndikimit rus” për krijimin e videos, që supozohet se shfaq një imigrant nga Haiti i cili pretendon se ka votuar disa herë në shtetin amerikan të Xhorxhias.

shba votim

Tri agjenci të inteligjencës – Zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Byroja Federale e Hetimit dhe Agjencia për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës – lëshuan një deklaratë të përbashkët lidhur me këtë video.

Videoja shfaq një person i cili pretendon se është imigrant nga Haiti, e i cili flet se si ai synonte të votonte disa herë për nënpresidenten, Kamala Harris, në dy qarqe të Xhorxhia.

Xhorxhia është një nga shtatë shtetet ku do të zhvillohen betejat kryesore për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, ku garojnë Harris dhe ish-presidenti Donald Trump.

Sekretari i Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, tha më 31 tetor se videoja “sigurisht që është e rreme” dhe ka të ngjarë të jetë krijuar “nga hakerët rusë… të cilët tentojnë të nxisin mospajtime dhe kaos në prag të zgjedhjeve”.

Ai tha se zyra e tij u vu në dijeni për këtë video që supozohet se shfaq një imigrant nga Haiti me disa letërnjoftime të shtetit të Xhorxhias, e i cili ka pretenduar se ka votuar disa herë më 31 tetor.

“Kjo video është e rreme dhe është shembull i dezinformimit që kemi parë në këto zgjedhje. Me gjasë është ndërhyrje nga jashtë në përpjekje për të nxitur mospajtime dhe kaos në prag të zgjedhjeve”, tha ai përmes një deklarate.

Zyrtarët e inteligjencës thanë se videoja është krijuar nga “aktorët e ndikimit rus” dhe është pjesë e “përpjekjes më të gjerë të Moskës për të ngritur dyshime të paqëndrueshme lidhur me integritetin e zgjedhjeve në SHBA dhe për të nxitur ndasi në mesin e amerikanëve”.

Në deklaratën e agjencive të inteligjencës u tha po ashtu se rusët kanë krijuar edhe videon e rremë ku shfaqet një person që thotë se është i lidhur me fushatën e demokratëve dhe që pretendon se ka marrë ryshfet nga një artist amerikan.

Për muaj të tërë, komuniteti amerikan i inteligjencës ka thënë se operacionet e ndikimit të Rusisë synojnë të përhapin narrativë përçarës dhe të promovojnë mbështetje për Trumpin, akuza që janë hedhur poshtë nga Rusia./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura