SHBA dhe aleatët, shumë pranë finalizimit të huasë prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën

Oct 22, 2024 | 23:10
SHPËRNDAJE

Sekretarja amerikane Thesarit, Janet Yellen, tha të martën se vendet e G7-s dhe aleatët e Bashkimit Evropian janë “shumë pranë” finalizimit të një huaje prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, ku kontributi amerikan llogaritet në rreth 20 miliardë dollarë. Ajo theksoi se kontributi amerikan do të paguhet nga të ardhurat që sigurohen nga pronat ruse, dhe jo nga taksapaguesit amerikanë.

yellen

Zonja Yellen tha në një konferencë shtypi në fillim të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore se ajo ka një shkallë të lartë besimi se pronat e ngrira ruse, kryesisht të konfiskuara në Evropë, do të mbeten të tilla, pavarësisht nevojës së vazhdueshme për rinovimin e këtij vendimi nga BE-ja, çdo gjashtë muaj.

“Ne jemi shumë afër finalizimit të pjesës që i takon Amerikës në këtë pakete kredie prej 50 miliardë dollarësh”, tha Yellen kur u pyet për negociatat përfundimtare mbi kredinë që synohet të shkojë në Ukrainë deri në fund të këtij viti.

Kandidati republikan për President Donald Trump është zotuar se do ta nxjerrë vendin nga lufta Rusi-Ukrainë, duke nënvizuar planet e aleatëve të G7-s për të finalizuar çështjen e kredisë përpara zgjedhjeve amerikane të 5 nëntorit.

Ligjvënësit e BE-së miratuan më herët të martën planin e bllokut për të përdorur pronat e ngrira ruse për një kredi deri në 38 miliardë dollarë.

Yellen tha se SHBA-të janë të përgatitura të kontribuojnë rreth 20 miliardë dollarë në formë kredie dhe se në këtë proces “nuk ka mbetur asgjë e rëndësishme për të cilën duhet të diskutohet”, siç tha ajo.

SHBA-të i kishin bërë presion BE-së për garanci më të forta se fondet, do të mbeten të ngrira për një periudhë të gjatë, edhe nëse do të kishte një armëpushim që do t’i japë fund luftimeve në Ukrainë. Kjo do të zvogëlonte rrezikun që taksapaguesit amerikanë të jenë përgjegjës për shlyerjen e kredisë.

Yellen tha se SHBA-të ishin të përgatitura të pranonin që BE-ja t’i mbajë të ngrira pronat për një kohë të gjatë, veçanërisht duke pasur parasysh rrjedhën aktuale të luftës.

“Mendoj se këto garanci ekzistojnë. Ndjehemi mirë që kjo është një kredi e sigurt që do të paguhet nga pronat ruse, nga Rusia dhe jo nga taksapaguesit amerikanë”, tha ajo.

Yellen tha se javën e ardhshme Shtetet e Bashkuara do të bëjnë publike sanksione të reja të forta që synojnë frenimin e makinerisë ruse të luftës në Ukrainë, përfshirë “ndërmjetësit në vendet e treta që po furnizojnë Rusinë me pajisje kritike për ushtrinë e saj”.

Ajo nuk pranoi të thotë konkretisht se cilët prej tyre do të jenë objekt i sanksioneve, kur u pyet nëse masat amerikane do të përfshijnë edhe sanksione dytësore kundër institucioneve financiare.

Një urdhër ekzekutiv presidencial i vitit të kaluar që siguroi mundësi për t’u bllokuar bankave qasjen tek dollari, nëse ato lehtësojnë transaksionet me entitetet e sanksionuara ruse, ka pasur tashmë një efekt të rëndësishëm në frenimin e një aktiviteti të tillë, tha Yellen.

“Pra, veprimet e mëtejshme të kësaj natyre mbeten gjithashtu nën radarët tanë”, shtoi ajo./voa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura