LEZHE– Porositi dy atentate në harkun e një muaji, bie në prangat e Policisë. Në operacionin e koduar “Kurbini”, uniformat blu të Drejtorisë Vendore të Lezhës bënë të ditur se arrestuan një 57-vjeçar që kishte porositur dy atentate brenda një muaji dhe sërish shënjestra kishte arritur të shpëtonte.
Në prangat e Policisë ka rënë shtetasi Fran Gjoka. Ky i fundit herën e parë do të eliminonte shtetasin Ndue Kola, duke përgatitur një atentat me tritol në makinë, ngjarje kjo e ndodhur më 18 korrik të vitit të kaluar në Milot të Kurbinit.
Shënjestra e atentatit shpëtoi dhe një muaj më vonë, atij iu bë një pritë me armë zjarri ku mori vetëm disa plagë. Për rastin e tritolit, Gjykata e Kurbinit kishte vendosur para 2 ditësh masën e arrestit për dy vajza nga Vlora, të cilat u kishin dhënë kartat SIM atentatorëve dhe falsifikuan dokumente.
Vajzat e arrestuara janë shtetaset me iniciale A.I., 23 vjeçe, banuese në Vlorë dhe I.K., 20 vjeçe, banuese po në Vlorë. Ndërkohë, identiteti i personave, që vunë tritolin në makinë dhe kryen një plagosje, nuk është bërë i ditur nga Policia.
Sipas burimeve, Fran Gjoka do të merrte hak ndaj shtetasit Ndue Kola, pasi në vitin 1997 ky i fundit e kishte plagosur Gjokën dhe vrau dy të tjerë, krime për të cilat kishte vuajtur dënimin me burg. e.h
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al