Një komandant i lartë ushtarak iranian thotë se Garda Revolucionare është e përgatitur të nisë një tjetër sulm raketor ndaj Izraelit me “intensitet të shumëfishuar”.
Shefi i përbashkët i shtabit të forcave të armatosura, gjenerali Mohammad Bagheri tha se Irani do të godasë infrastrukturën izraelite nëse ndërmerr ndonjë veprim kundër territorit iranian.
“Nëse regjimi sionist, që është çmendur, nuk përmbahet nga Amerika dhe Evropa dhe synon të vazhdojë krime të tilla, ose të bëjë ndonjë gjë kundër sovranitetit apo integritetit tonë territorial, operacioni i do të përsëritet me përmasa shumë më të larta dhe ne do të godasim të gjitha infrastrukturat”, tha ai.
Gjenerali Bagheri tha se Irani nuk shënjestroi civilët izraelitë në sulmin e tij, pavarësisht se ishte “plotësisht i realizueshëm”.
Mbrëmjen e kaluar, Irani lëshoi rreth 180 raketa në Izrael. Korpusi i Gardës Revolucionare tha se sulmi ishte në hakmarrje për vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah në Bejrut javën e kaluar dhe shefit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran në korrik, dhe pason fushatën ajrore dhe tokësore të Izraelit kundër aleatëve të Iranit, Hezbollahut në Liban.
Ushtria amerikane ndihmoi në rrëzimin e raketave të Iranit pas një urdhri të drejtpërdrejtë nga Joe Biden.
Mbretëria e Bashkuar tha se forcat britanike “luajtën rolin e tyre” në përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon.