Nëntori nuk ka qenë shumë pozitiv për kursimet në banka, sidomos ato në valutë, që kanë rënë për të dytin muaj radhazi, ndërsa depozitat në lekë kanë shënuar një rritje fare të lehtë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në muajin nëntor, stoku i depozitave në lekë arriti në 605.2 miliardë lekë. Në raport me muajin e mëparshëm, kursimet u rritën me 0.1%, ose 853 milionë lekë më shumë. Në krahasim me tetorin, kur kursimet në lekë u rritën me nivele rekord prej 12.6 miliardë lekë, ritmet janë ngadalësuar ndjeshëm.
Të dhënat e detajuara tregojnë se kjo tendencë është ndikuar nga dy faktorë. Së pari kursimet e rezidentëve janë shtuar me 3.1 miliardë lekë. Në kahun e kundërt ka ndikuar sektori jo financiar publik, kursimet e të cilëve kanë rënë me rreth 3 miliardë lekë.
Ndonëse janë në rritje, kursimet e individëve po orientohen serish drejt depozitave pa afat, duke reflektuar rënien e normave të interesit, pas politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.
Me bazë vjetore, kursimet në lekë janë rritur me 7%, ose 40 miliardë lekë më shumë.
Ndryshe nga kursimet në lekë, ato në valutë kanë rënë për të dytin muaj radhazi. Në nëntor ishin të depozituara në banka 8 miliardë euro, ose 21 milionë euro më pak se muaji i mëparshëm. (“Monitor” raporton të dhënat e depozitave në valutë të shprehura në euro, për të shmangur efektin e kursit të këmbimit).
Me bazë vjetore, kursimet në euro janë rritur me 10%, ose 724 milionë euro më shumë. Ritmet e rritjes së depozitave në euro ishin të larta në korrik gusht e shtator, duke reflektuar efektet sezonal të prurjeve të emigrantëve si dhe të të ardhurave nga turistët. Gjithsesi ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm. Një vit më parë (nëntor 2023/nëntor 2022), kursimet në euro ishin rritur me gati 1 miliardë euro./Monitor
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al