Shkoi për Mesin dhe luajti vetëm 5 ndeshje, Aguero i kërkon 3 milionë euro dëmshpërblim Barcelonës

Oct 8, 2024 | 18:01
SHPËRNDAJE

Serxhio Aguero ëndërronte që të ishte shok skuadre me Mesin në një klub dhe kur firmosi për Barcelonën, kishte bindjen se do ta bënte realitet këtë ëndërr të tij. Por te katalanasit ai jo vetëm nuk luajti me shokun e tij të ngushtë, i cili u largua gjatë verës së atij viti drejt PSG-së, por edhe vetë Aguero u detyrua pas pak javësh të tërhiqej nga futbolli i luajtur.  

aguero

Aguero firmosi një kontratë dyvjeçare me katalanasit pasi këta të fundit i siguruan që do të mund të luante me Mesin i cili do të rinovonte marrëveshjen me ta. Gjë që nuk ndodhi për shkak të telasheve financiare të katalanasve, e më pas edhe për shkak të problemeve shëndetësore të sulmuesit argjentinas.

Ai luajti vetëm 5 takime me fanellën e katalanasve para se t’i zbulohej një problem kardiak që do i rrezikonte jetën nëse do të vazhdonte të luante si profesionist. Për këtë arsye, Aguero vendosi të mbyllte kontratën me katalanasit dhe karrierën në fushë, duke hequr dorë nga viti i dytë i marrëveshjes me ta, por jo nga i pari, meqë kishte luajtur me këtë klub ndeshjet e fillimit të sezonit.

Barcelona i premtoi se do i paguante rrogën prej 3 milionë eurosh të vitit të parë, por që nga ajo kohë kanë kaluar tre vite dhe Aguero ende nuk është paguar. Ndaj ish-lojtari i ka çuar një letër klubit ku i ka kërkuar ta paguajnë, përndryshe do i çojë në gjyq, duke dëmtuar edhe më shumë imazhin e klubit i cili refuzon ta paguajë duke pretenduar se “El Kun” ishte në dijeni që më para të problemeve të tij shëndetësore. Tani mbetet në dorën e Barcelonës nëse do të shkojë të zgjidhë këtë çështje para gjykatës, apo nëse do të gjejë një akord me Agueron për pagesën në fjalë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura