Shkolla e mesme profesionale jopublike “Shën Jozefi Punëtor”: Të ndërtojmë së bashku të ardhmen e të rinjve shqiptarë!

Jan 13, 2022 | 11:07
SHPËRNDAJE

Shkolla Profesionale “Sh. Jozefi Punëtor” është themeluar në Rrëshen, në rrethin e Mirditës, në Verilindje të Shqipërisë, në Shtator të vitit 2004, është në pronësi të Dioqezës Rrëshen dhe administrimi i saj i është besuar Kongregatës së Etërve Somaskë të cilët kanë qindra shkolla të tilla në shumë vende të botës dhe që punojnë në këtë sektor që në shek.  XV kur themeluesi i tyre Shën Jeronim Miani u shërbente të rinjve të braktisur dhe jetimëve.

Shkolla ka status jofitimprurës, nën siglën Qendra Profesionale “Shën Jozefi”.

Duke patur parasysh rëndësinë e formimit profesional sidomos për vende në zhvillim siç është Shqipëria, theksohet rëndësia e këtij realiteti shkollor në vend. Infrastruktura e dhe veprimtaria e saj e paraqet si të vetmen e këtij lloji në Verilindje të Shqipërisë dhe ndër Shkollat profesionale më të mirëorganizuara në Shqipëri. Shkolla është në pozicion strategjik për tu arritur nga nxënës të rretheve të shumta të Veriut të Shqipërisë Kukës, Pukë, Tropojë, Dibër, Bulqizë, Mat, Lezhë, Kurbin, si dhe të Qendrës së Shqipërisë, Tiranë, Durrës, Fushë-Krujë. Çdo vit, një numër gjithnjë e më i madh familjesh zgjedhin këtë realitet shkollor edhe për aktivitetete edukative të veçanta për promovimin njerëzor dhe socialkulturor, të perfeksionuar vit pas viti.

Shen Jozef Punetori1

Nga viti 2004 – 2012 ky realitet ka funksionuar si Qendër e Formimit Profesional dhe janë realizuar kurse profesionale 4 mujore, 1 vjeçare dhe 2-vjeçare, përkatësisht në profilet: Elektrike, Hidraulike, Informatike, Mekanike, në një strukturë të ndërtuar në vitin 2004 nga organizatat Renovabis (Gjermani) dhe OTAA (Zvicër), me klasa dhe laboratorë të nevojshëm për formimin përkatës. Në 8 vite funksionimi si Qendër profesionale janë çertifikuar rreth 900 kursantë. Këta të kualifikuar kanë punuar që në fillim me firma vendase dhe të huaja që punonin në Veri të Shqipërisë, sidomos në projektin e autostradës që lidh Shqipërinë me Kosovën e që nis nga Rrësheni, por edhe në firma dhe ndërmarrje të tjera.

Disa prej tyre kanë emigruar dhe na rezulton se punojnë në profesionin e përfituar nga këto kurse, sidomos në Shtetet Itali, Greqi dhe Gjermani. Më datë 2 Maj 2012, MASH (Ministria Arsimit dhe Shkencës) nëpërmjet QKL, liçenson Qendrën profesionale si Shkollë e Mesme Profesionale Jopublike duke u futur në sistemin parauniversitar të Republikës së Shqipërisë. Drejtimet profesionale të liçensuara: Instalime sistemesh termo-hidraulike, Elektroteknike, Shërbime mjetesh transporti, Hoteleri – turizëm, Shërbime sociale dhe shëndetësore, të gjitha të ndara sipas niveleve 2+1+1 vite dhe TIK (Teknologji informimi dhe komunikacioni) 2+2 vite.

Në vitin 2013 u inagurua struktura e 2-të e kësaj Shkolle me financimin e RENOVABIS – Gjermani, duke shtuar kapacitetin e klasave dhe laboratorëve duke shtuar dyfish infrastrukturën e Shkollës, përkatësishtm me 18 klasa teorie, 8 laboratore praktike, 2 salla polivalente, një sallë konference me kapacitet 300 persona, 3 salla studimi për pasditen, 1 palestër, 2 salla mësuesish, 1 sallë shërbimi psikologjik, 5 ambjente zyrash dhe administrate, 2 ambjente kuzhine, 2 salla ngrënieje. Përveç kësaj, ka edhe dy ndërtesa me 15 dhoma të cilat përdoren për studentët që vijnë nga larg. Aktualisht janë 90 studentë, të cilët janë nën kujdesin e 8 edukatorëve.

Numri i studentëve në vitin akademik 2021 – 2022 është 416 (prey tyre 70 janë vajza) dhe është e qartë tendenca në rritje e interesit të regjistrimit. Personeli i shkollës përbëhet nga 56 persona: 4 Misionarë Somaskë që administrojnë shkollën, 32 mësimdhënës, Drejtori Didaktik i Shkollës, 2 sekretare, 17 persona mbështetës (shkollë – konvikt). “Shën Jozefi” vazhdon veprimtarinë e saj edhe si Qender Formimi Profesional, e cila vetëm në këto tre vite të fundit, me kurse formimi 3 mujor, ka certifikuar më shumë se 250 të rritur në profilet përkatëse: Hoteleri – Turizëm, Elektroteknike, Shërbime Mjetesh dhe Transporti, Instalues Sistemesh Hidrosanitare, me financim të organizatës gjermane GIZ dhe Ente të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Qendra është pajisur me licencën për zhvillimin e kursit 9 mujor në fushën e Elektroteknikës.

Shen Jozef Punetori

Nga Dhjetori i vitit 2019 ka nisur projekti 3 vjeçar i Partneritetit të Arsimit Profesional (PAP) i mbështetur nga Oda e Zejtarisë në Dortmund dhe i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), me partneritet midis kësaj Ode Zejtare të Dortmundit, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Shkollës Profesionale “Shën Jozefi” në Rrëshen. Në këtë projekt strategjik kombëtar, në këto dy vite të para janë ndërmarrë sondazhe për sipërmarrjet që bashkëpunojnë me Shkollën dhe të tjera sipërmarrje që kanë veprimtarinë e tyre, kryesisht në Qarkun e Lezhës. Më tej, janë zhvilluar trajnime online, me më shumë se 400 subjekte, edhe në kohë pandemie që e bëri të pamundur ardhjen fizikisht të docentëve nga Gjermania, në Drejtimet Elekroteknike, Mekanike, Termo-hidraulike, si dhe në përpunimin preciz të Metaleve dhe të Saldimit. Ky bashkëpunim me Odën Zejtarë të Dortmundit, tashmë në vitin e tretë, disponon laboratorin e përfunduar me standarte ndërkombëtare në fushën e Saldimit dhe Përpunimit preciz të metaleve.

Për këto dy fusha, partneri gjerman do të formojë instruktorët e “Shën Jozefit” për module të ndryshme profesionale, si dhe do ti pajisë me certifikatë ndërkombëtare. Gjatë këtij viti 2022, PAP ka parashikuar të ndërmarrë disa lloji veprimtarish formuese dhe informuese, mes partnerëve në projekt dhe duke përfshirë sa më shumë sipërmarrje private të mesme dhe të vogla në Shqipëri, si dhe Institucione të ndryshme shtetërore vartësie ose interesi ndaj zhvillimit të arsimit dhe formimit profesional dhe ndaj tregut të punës dhe ekonomisë së Vendit. Të ndërtojmë së bashku një të ardhme më të ndritur për të rinjtë! Shkolla “Shën Jozefi” e konsideron arsimimin e të rinjve si mënyrën e vetme për një të ardhme më të mirë.

Të udhëhequr nga slogani “Dashuria edukon” dhe të nxitur nga rëndësia e formimit social kulturor të të rinjve, Shkolla ka për qëllim të zhvillojë gjithnjë e më mirë potencialet e veta, të ideojë e të realizojë projekte të reja formuese, të disponojë pajisje moderne që nxisin tek studentet dëshirën për të mësuar gjëra të reja dhe për ti realizuar më pas në praktikë në laboratoret e shkollës, të realizojë trajnime dhe kualifikime të vazhdueshme për trupën mësimore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura