E ftuar në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, në një diskutim mbi librin në Ballkan, shkrimtarja e re nga Maqedonia e Veriut, Ivana Trajanoska, tha se kjo nismë do të hapë vizione të reja në raportet kulturore në rajon.
“Barrierat e gjuhës gjithnjë kanë sjellë një mosnjohje të ndërsjellë të kulturave të njëri-tjetrit, një lloj refuzimi për të njohur fqinjët, por është e rëndësishme që të komunikojmë në terrene të reja kulturore dhe kjo mund të vijë përmes një lëvizjeje më të lirë, që do të sillte më shumë kulturë”, tha Trajanoska, duke vlerësuar diskutimin ku ishte e ftuar, si një mjet i mirë për të reflektuar.
“Open Balkan” është çelësi për të parë sesa të ndryshëm jemi, tha ajo. Për drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Alda Bardhyli, përkthyesit janë një element i rëndësishëm në procesin e një njohjeje dhe hapjeje ndaj kulturave të tjera.
“Mbështetja ndaj përkthyesve të gjuhëve të rajonit, ashtu si dhe ndaj përkthimit në tërësi ka qenë nën optikën e vazhdueshme të punës sonë. Ne vazhdojmë të përkthehemi në disa nga gjuhët e rajonit nga gjuhë të dyta dhe shumë pak janë përkthimet e drejtpërdrejta nga gjuha origjinale, për shkak të mungesës së përkthyesve.
‘Open Balkan’ do të jetë një mundësi e mirë që të rrisë dhe kureshtjen ndaj njohjes së gjuhëve të rajonit, përmes lëvizjes së lirë, bashkëpunimeve, apo takimeve e forumeve të përbashkëta që synojnë këtë nxitje.
Një program për ‘Libra për një Ballkan të hapur’ është në vëmendjen tonë.
Botuesit, shkrimtarët, përkthyesit, librarët do të kenë më shumë interes nga kjo lëvizje”, u shpreh Bardhyli, duke thënë se integrimi i kulturave të vendeve të vogla është një debat aktual në letërsinë botërore. Por çfarë e bën një vepër botërore?
“Sigurisht që gjuha është një element i rëndësishëm, pasi letërsia varet prej përkthyesve dhe leximi është një hartë e rëndësishme në këtë debat”, tha Apolloni, duke vërejtur se duhet nxitur dhe një botim më cilësor i veprave të shkrimtarëve të rajonit, duke qenë se një pjesë e autorëve që përkthehen në këto gjuhë nuk janë në nivelin e duhur.
Shkrimtari Besnik Mustafaj tha se ka qenë karakteristikë e vendeve të rajonit një mungesë e kureshtjes për të njohur njëri-tjetrin, e kjo vjen për shkak të historisë. Çdo shkrimtar i rajonit e ka historinë e së shkuarës pjesë të veprës së tij dhe ka ardhur koha të shkohet përtej së shkuarës.
Ivana Trajanoska, shkrimtare, përkthyese, studiuese dhe as/pedagoge në Kolegjin Universitar Amerikan të Shkupit në Maqedoninë e Veriut. Ajo mban titullin Doktor për Studime anglofone nga Universiteti “Paul Valery” në Montpelier të Francës.
Diplomuar në Universitetin “Ss Cyril and Methodius” në Shkup, për gjuhë dhe letërsi angleze dhe franceze. Trajanoska është pjesëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Fjalës dhe Muzikës (WMA). Përkthyese nga anglishtja dhe frëngjishtja. Ndër veprat e saj të botuara mund të përmendim: “Dessa”, “Një anije që nuk lundron”, “Shkupi kujton”, “Speca të mbushur”, “Gjellë me fasule”, “Torta me shurup” dhe “Kartolina”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al