“Shoh një armik të jashtëzakonshëm te Kombëtarja”, analiza e Hafizit: Abrashi grumbullohet kot, Silvinjo tregoi frikë dhe mosbesim (E PLOTË)

Sep 12, 2024 | 22:56
SHPËRNDAJE

Pas një fitoreje me Ukrainën dhe një humbje me Gjeorgjinë, Kombëtarja shqiptare do të rikthehet në tetor për të luajtur dy sfidat e radhës.

tit hafizi

Por, si ishte paraqitja e ekipit kombëtar në këto dy përballje, çfarë nuk shkoi në ndeshjen e dytë dhe si ishin zgjedhjet e Silvinjos? Për të gjitha këto, “Panorama Sport” ka realizuar një intervistë me Astrit Hafizin, ish-trajnerin e Kombëtares.

Çfarë nuk shkoi në ndeshjen me Gjeorgjinë?

Kjo ishte një vazhdë e përfundimit të Kampionatit Europian i cili u përshkrua nga një delir i jashtëzakonshëm, për atë që u “arrit” dhe e shoqëruar me fitoren që bëmë me Ukrainën në Çeki, e cila u mor si një ndeshje që zgjidhi të gjitha problemet e skuadrës sonë dhe tani jemi “top” në të gjitha drejtimet. Ia kisha frikën ndeshjes me Gjeorgjinë dhe është një eufori e cila ka përshkruar gjithë skuadrën dhe stafin e federatës. Janë dy ndeshje që nuk i ngjajnë njëra-tjetrës dhe unë shoh një armik të jashtëzakonshëm të ekipit tonë që po përsëritet. Euforia!

Pse nuk ishte edhe në ndeshjen e dytë ajo Shqipëri e freskët që luante me ritëm të lartë?

Pasojat e ndeshjes me Ukrainën. Normalisht ne arritëm një rezultat dhe kuptohet që fitorja është e mirë. Mos harrojmë që atë fitore edhe mund të mos ta merrnim në minutat e fundit ku skuadra nuk kishte freski fizike. Kjo është ajo që unë në aspektin teknik e shikoj ku trajneri po mundohej të ruante me çdo kusht fitoren. Por, nga ana tjetër nuk mori masa për zëvendësimet. Kishte 5 dhe bëri vetëm 2 dhe skuadra u lodh. Detyrimisht kur formacioni ishte i njëjtë me përjashtimin e Hoxhës në vendin e Laçit. Minimumi duhet të bënte 3 zëvendësime. Edhe skuadrat e mëdha i bëjnë disa ndërrime në ndeshjen tjetër. Kjo tregon edhe një frikë nga ana e Silvinjos dhe një mosbesim ndaj lojtarëve që ka në stol. Këtu lind pyetja pastaj. Këta lojtarë ky a i zgjedh vetë apo ia sjellin të tjerët? Kështu duket në pamje të parë.

Nëse Çekia është e fortë në ajër, Ukraina qarkullon topin, Gjeorgjia mbyllet në mbrojtje dhe pret kundërsulmin, po Kombëtarja jonë çfarë strategjia ka?

Harrohen gjërat kryesore. Duke dëgjuar fjalët e trajnerit, vijohet në delirin e madhështisë së skuadrës. Si mund të thuash që Gjeorgjia është skuadër shumë e fortë?! Ajo as nuk është Franca, as Holanda dhe as Spanja, sepse për kombëtare të këtij niveli kemi thënë që janë shumë të forta. Për Gjeorgjinë mund të thuhet se është një skuadër pak më e mirë sesa na, kjo po. Ata patën një rritje në Europian duke i dhënë Silvinjos shkëndijën.

Por, mendoj se nuk është studiuar aq sa duhet, ndërsa Sanjol, trajneri i tyre na ka studiuar mirë dhe na ka vlerësuar. Diçka të tillë, për mendimin tim nuk mendoj se Silvinjo e ka bërë dhe nuk mund të dalësh pas ndeshjes të falënderosh lojtarët kur nuk ke bërë asnjë goditje në portë. Trajnerët bëjnë gabime dhe janë me famë botërore ata që e pranojnë diçka të tillë. Ku është loja jonë, si e kemi stilin ne? Ne kujtojmë se do të presim vetëm Asanin të godasë nga larg.

Si ju duken alternativat që kishte Silvinjo në këtë ndeshje?

Unë nuk e kuptoj grumbullimin e disa lojtarëve. Kam shumë respekt për Abrashi, për atë që ka kontribuar për ekipin kombëtar. Edhe ai vet e kupton që nuk ka vend më atje. Detyron Cikalleshin që të tërhiqet nga Kombëtarja se nuk e merr në Europian. Këtë ndeshje, me mungesat që kishim, ai mund të kontribuonte sadopak. Nuk është e drejtë dhe e pastër. Ballafaqimi me lojtarët nuk ndodh. Intervistat e tij janë skandaloze dhe një trajner nuk flet me atë gjuhë. Tha se Gjeorgjia është e fortë se ka mundur Portugalinë. Po, e mundi se portugezët luajtën me formacionin e dytë, ndërsa ne Spanja na luajti me rezerva dhe nuk shkuam asnjëherë në portë. Ky është ndryshimi.

Mendoni se ky ekip është në rrugën e duhur për t’u kualifikuar në Botëror?

Trajnerë të tillë që kanë frikë dhe me këtë brez shumë të mirë lojtarësh që kemi, nuk e di se kur do të bëjnë atë hapin e madh. Nuk pashë një reflektim pas ndeshjes, për një paraqitje që ishte zero në aspektin tekniko-taktik. Këto janë mendimet e mia, si e shoh unë, mund ta kem edhe gabim. Por, duhen thënë disa gjëra sepse nuk vazhdohet kështu. Nuk mund t’ia lesh gjithçka rastësisë.

Që tek Europiani, trajneri duhet të niste dhe të mendonte për Botërorin 2026. Kështu punohet. Italia ndryshoi brenda 2-3 muajve. Kjo është dora e trajnerit, të cilën nuk e shoh te skuadra jonë. Nuk e shikojmë sesi luan kjo skuadër. A është e shpejtë? A luan me sulm gradual? A qarkullojmë topin apo a jemi më mirë teknikisht apo fizikisht se kundërshtari. Jo, të gjitha paraqesin dobësi. Ne përfitojmë vetëm nga gabimet që bën kundërshtari, jo aftësitë tona.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura