Shoqëria dhe “kriza e turpit” moral

Sep 26, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

GËZIM TUSHIGËZIM TUSHI

Shoqëria po përballet me një situatë morale dhe ekzistencë sociale shumë  të shqetësuar. Ngjarje të shumta, sjellje të përditshme anormale, veprime ekscentrike, amorale e kriminale, janë dukuri që kanë marrë përmasa sociale në zgjerim. Nuk mund dhe nuk duhet të mbyllim sytë, përballë realitetit të zgjerimit të dimensioneve të asocialitetit dhe amoralitetit. Nuk është e qetë shoqëria, nuk ndihet mirë dhe i sigurt qytetari dinjitoz, që kërkon jetë normale përballë realitetit të përditshëm, kur paradoksalisht pothuaj në “dimension gjeometrik” po shtohen me shumicë në të gjitha institucionet e jetës sociale, publike, private e shoqërore njerëzit e paturpshëm, me sjellje të pamëshirshme kriminale kudo: në familje, shkollë, jetën komunitare dhe strukturat e jetës publike.

Duhet të jemi realistë. Si kurrë më parë është rritur pesha sociale e sjelljeve brutale, shfaqjet e zgjeruara të deformimit të gjuhës dhe zgjerimi i komunikimeve të vrazhda interpersonale në jetën e përditshme. Janë shfaqje të zakonshme, tipike të jetës së përditshme dhuna mbi gratë, fëmijët dhe të moshuarit, përdhunime, sjellje pedofile e incestuale, që shfaqen si fenomene të dukshme të çrregullimit të disiplinës dhe vetëpërmbajtjes seksuale. Shoqëria është e tronditur nga ky intensitet i dëmtimit të “cipës” morale dhe emocionale, si kusht për një jetë normale. Të gjithë jemi të “inonduar” përballë këtyre realiteteve empirike, por në jo pak raste edhe teorikisht konfuzë, lidhur me shkaqet që determinojnë këtë situatë të agravuar amorale, kur po shtohet dhe zgjerohet individualisht një prirje devijante antisociale, kundër humaniste, si sjellje e komportim individual te disa njerëz “rregullthyes dhe anarkistë” socialë. Paralelisht me këtë humbje të sensit të “turpit social” është zgjerimi i tronditjes së rolit dhe funksioneve të institucioneve të autoritetit moral e social, që kanë aftësi e kapacitete të ndikimit etik individual e institucional. Personalisht mendoj se në mënyrë sintetike, esenca e kësaj situate, në thelbin e vet, po shfaqet si fenomenologji e një “krize turpi” e përhapur në forma nga më të larmishmet.

E gjithë “tabloja sociale” e këtyre anomalive morale është në thelb tregues i gjendjes së kapërcimit të kufirit, që ndan sjelljen qytetare nga “turpi moral”. Mungesa e ndjenjës së turpit dhe sensit social, janë shkaktarë të kësaj anarkie morale, të kësaj gjendjeje kur shëndeti i shoqërisë është përfshirë nga “tumori” i përhapjes së akseletruar të veprimeve, sjelljeve e të qëndrimeve të paturpshme. Sjelljet e turpshme intensive, me natyrë të theksuar agresive janë shqetësime të thella, që shfaqen si anomali që përjeton qytetërimi ynë në këtë fazë postmoderne, si kriza të thella me natyrë ekzistenciale, qëndrime nihiliste ndaj vlerave morale dhe kërkesave ontologjike për garantimin e shëndetit të shoqërisë. Kudo përballemi për fat të keq, gjithnjë e më shumë me njeriun ekscentrik, amoral, “fre lëshuar”, narcizist, egoist, lakmitar, agresiv i dominuar nga sjellje e veprime instiktive të pakontrolluara, të paadministruara nga arsyeja humane. Kjo situatë duhet vlerësuar, sepse deformimet e natyrës së njerëzve nuk janë më probleme sporadike apo eksese të shkëputura individuale. Kjo është shqetësuese, sepse deformimet e natyrës së njerëzve tanë kanë tendencë që të bëhen “fenomen kolektiv”, madje “kriza e turpit” shfaqet jo vetëm në individë të veçantë, por ka filluar të shfaqet edhe në grupe sociale të caktuara.

Personalisht mendoj se kjo e keqe që shfaqet si “krizë e turpit”, apo si mungesë morale, nuk është e metë etike e thjeshtë. Përkundrazi, problemi është polivalent e shumëdimensional, që tani shfaqet në nivel alarmant. Mungesa e ndjenjës së turpit apo “kriza” e saj është kthyer në plagë sociale të agravuar. Madje, ndërlikimi i “fenomenologjisë së turpit” me ingranazhet e lirisë, abuzimin me të drejtat e njeriut apo konceptin e “trupit si pronë private”, e ka bërë të komplikuar “diagnostikimin” për të përcaktuar shkaqet ekzistuese, akoma më të vështirë detyrën sociale për të ndërmarrë “operacione terapeutike”, për ta dominuar këtë patologji sociale. Për fatin tonë të keq, në shoqëri ka një anomali konceptuale që po ngatërron shumë tipare e tipologji të sjelljes, për shkak të shikimit të njëanshëm të idesë, se tani vendin e “moralit social” po e zë “morali i personalizuar”. Kjo situatë e relativizmit moral është bërë shkau që gradualisht është smfumuar, është jo vizibile dhe e nënvleftësuar nevoja për të pasur krahas lirisë individuale, edhe një “vijë turpi” të përbashkët, si kusht për të bërë të mundur ekzistencën e “kufirit të përbashkët” social dhe moral, për të bërë dallimin e së mirës nga e keqja, të bukurës nga e shëmtuara, të lejueshmes nga e ndaluara. Kjo është e domosdoshme, nëse duam të konturojmë qartë e të shmangim atë thyerje brutale të “vijës ndarëse” midis sjelljes humane nga recidivat e sjelljeve brutale dhe egërsisë kriminale animaleske.

Gjendja nuk është e mirë. Dhe nuk parashikohet të bëhet më mirë, përkundrazi do të bëhet më keq, nëse nuk luftojmë me vendosmëri për të frenuar enklavat e krimit dhe amoralitetit, të vesit dhe irracionalitetit si faktorë bazalë, që kanë sjellë deformime të sjelljeve sociale, deri në kufijtë e shfaqjes së “krizës” dhe mungesës flagrante të turpit individual nga njëra anë, por edhe të reagimeve të vendosura sociale të shoqërisë kundër tyre, nga ana tjetër.

Pikërisht ndjenja e turpit social është në “krizë”, sepse shoqërisë sonë ka kohë që po i dobësohen institucionet me funksione të ekuilibrimit të sjelljes sociale, e shoqëruar kjo edhe me një epidemi anormale të armiqësisë së dukshme për edukimin e njeriut si proces human dhe rolin vendimtar, që kanë institucionet e edukimit. Nuk ka asnjë dyshim: sa më i dobësuar të jetë procesi i edukimit human të njerëzve, aq më i zgjeruar, më i thellë do bëhet “hendeku social” që determinon humbjen e vazhduar të “ndjenjës së turpit”, aq më shumë ekzistenciale do të jenë pasojat në jetën sociale të shoqërisë.

Padyshim, shumë të këqija sociale të shpirtit, mendjes, sjelljes dhe marrëdhënieve midis njerëzve të bëjnë të pyesësh, nëse këto dukuri sociale të deformuara që kanë tiparet e kristalizuara të “krizës së turpit” moral, kanë vetëm shkaqe objektive të lidhura me ndryshimin e kushteve materiale, jetës politike, shoqërore dhe ekonomike? A është ndryshimi i sistemit politik, social, ekonomik shkaku që në jetën tonë erdhën këto pasoja negative kaq eruptive, shoqëruar me anomali etike asociale, shqetësuese, determinuese për shfaqjen e “krizës së turpit”, si cenim i jetës morale, parametrave civile standarde që i nevojiten qytetërimit tonë.

Apo ka edhe arsye të tjera, që nuk janë domosdo të lidhura me kushtet e jetës së sotme politike dhe materiale? Pse ka marrë përmasa të tilla zgjerimi i ndjenjave të tilla johumane si egoizmi, individualizmi, ftohtësia sociale, shkëputja e lidhjeve, dhuna, agresiviteti, divorci, amoraliteti? Pse ato gati po eklipsojnë disa vlera të mëdha të shoqërisë dhe qytetërimit modern, që janë instrumente të ndërtimit të marrëdhënieve njerëzore në shoqëri? Pse po ndodh që në vend të qëndrimeve të arsyeshme, zhvillohet një “krizë morale” e shoqëruar me veprime individuale iracionale? Pse humanizmi po mbytet nga egoizmi, pse dashurisë po ia zë vendin urrejtja?

Nuk ka ditë të mos ketë fakte, ngjarje, ndodhi të cilat tregojnë se tani shumë të këqija që kanë hedhur rrënjë në realitetin tonë, e kanë kaluar kufirin e turpit moral dhe të keqes njerëzore, janë bërë sjellje gati animaleske, që po e kalojnë të keqen në kufijtë e papranueshëm të së tmerrshmes dhe tragjikes. Vrasjet në familje, krimet për pronë apo xhelozi, rrëmbimet e personit, vjedhjet me armë e shumë dukuri të tjera nuk janë më veprime njerëzore të këqija apo në nivelin e “krizës së turpit”. Jo, ato janë veprime ekstremisht të shëmtuara, të shfaqura në përmasa antihumane me pasoja tragjike.

Kjo situatë morale e “krizës së turpit” duke qenë e turbullt, megjithatë tregon se shoqëria është duke jetuar në pikën më kritike vorbullën e shqetësimeve sociale, morale dhe psikologjike. Praktikisht, jemi përballë një situate kaotike dhe “anomie” vlerash, mungese përcaktimi të rregullave morale që i duhen qytetërimit tonë për të qenë i ekuilibruar brenda vetes.

Në këto situata paqartësie konceptuale dhe kaotizmi social është e natyrshme që shumica e njerëzve janë të hutuar, të çoroditur për atë që po ndodh në shoqëri, në të cilën dobësimi i humanizmit dhe moralitetit, forcimi treguesve të “krizës së turpit” po krijojnë përshtypjen e zgjeruar se në këto situata nuk ka më vlera të sjelljes personale, mënyra adekuate të komportimit social midis njerëzve, ngaqë orientimi i jetës dhe veprimtarisë individuale është në boshllëk moral, në rrjedhje të lirë sociale, pa “akseologjinë sociale” të vlerave të përbashkëta e të pranuara konsensualisht.

Një kaos metafizik dhe moral, bashkë me sjelljet ekscentrike të njerëzve në familje, shkollë, administratë dhe jetën publike e bën njeriun të jetë i hutuar, pesimist, skeptik për të ardhmen. Në këto kushte, çështja që duhet shtruar është: A duhet ta kapërcejmë këtë situatë të zgjerimit të “krizës së turpit” moral? A mund të ecim në rrugën e qytetërimit pa një sistem të qartë vlerash morale dhe qytetare? A mund të mendohet normaliteti social, duke kaluar nga një shoqëri me sistem të ngurtë vlerash morale, drejt një “shoqërie të bardhë”, në të cilën mbretëron kaosi, anomia, arbitrariteti dhe anormaliteti moral?

Sociologët e etikës janë të mendimit që “kriza e turpit” është e lidhur me defektin e “mekanizmit” të vlerësimit të vlerës së moralit nga individi me deformim të skajshëm dhe kuptim të ngushtë e semplist, të raporteve midis relativizmit dhe opsionales personale etike. Në këtë klimë të përgjithshme të mbivlerësimit të ndjenjës së relativizmit moral, që nuk është ekuivalente me cenimin e etikës dhe shfaqjet e “krizës së turpit”, nuk është e lehtë që konsensualisht të gjesh “përkufizime morale” të pranuara nga të gjithë, si kusht për të pranuar një “vijë etike” të përbashkët, që mundëson dallimin konsensual midis së mirës dhe së keqes apo për t’i ndarë ato midis tyre.

Duke parë kurbën e zhvillimeve morale dhe procesin e përshpejtuar të degradimit etik të jetës sociale dhe sjelljes individuale, të krijohet përshtypja se “kriza e turpit” është shkaku që morali në shoqërinë tonë është i sëmurë rëndë, i prekur nga një kjo diagnozë e vështirë, që nganjëherë të duket pa “rrugëdalje etike”. Problemi i thellimit të “krizës së turpit”, dobësimi standardeve të vlerave morale që janë evidente në shoqërinë tonë, kërkon që kjo situatë të vendoset në rendin e ditës të diskutimeve publike dhe në strategjinë e institucioneve specifike të edukimit sikurse janë familja, shkolla, institucionet fetare, shoqëria civile, media etj.. Kjo sepse kemi nevoja urgjente për të bërë rregullime morale. Mbi të gjitha, është momenti i duhur kur duhet nxitur procesi i madh kombëtar, për emancipimin etik të njerëzve tanë. Por, këto nuk mund të arrihen me leksione e propagandë, nëse nuk mendojmë se si do të organizohemi si shoqëri për të rindërtuar dhe vënë në veprim forcën sociale dhe veprimin etik të shtetit dhe institucioneve të sigurisë dhe garancisë morale.

Nuk ka vlerë as analiza e sipërfaqshme e këtyre dukurive, nëse ato mbeten thjesht si konstatime etike, të vështruara sociologjikisht si qëllim në vetvete. Çështja është të mendojmë, të bëjmë gjithçka për të filluar atë cikël të ri të organizimit të jetës sociale, si kusht për përmirësimin etik të sjelljes individuale dhe tipologjinë morale, që mund të ndihmojë procesin e vështirë, të komplikuar të “ripërtëritjes morale” të natyrës së njeriut dhe strukturave të organizimit të shoqërisë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura