Mes 20 punimeve, komisioni zgjodhi fituesin e konkursit
Marijan Kamshi, 21-vjeçari nga Puka është autori i logos zyrtare, që do të shoqërojë çdo aktivitet.
Nuk ka as shqiponjë, as flamur, as pushkë a diçka të ngjashme. Logoja zyrtare e festimeve të 70-vjetorit të çlirimit të vendit do të jetë vetëm një numër (70) kuq e zi me përkrenaren e Skënderbeut mbi krye.
Autor i saj është studenti i vitit të dytë për Pikturë në Universitetin e Arteve, Marijan Kamshi. Për kujtimin e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Galeria Kombëtare e Arteve organizuan Konkursin Kombëtar për ideimin dhe krijimin e një logoje për përkujtimin e kësaj ngjarjeje. Kjo logo do të shoqërojë të gjitha aktivitetet, botimet dhe festimet që do të mbahen për këtë përvjetor gjatë vazhdimit të vitit. Nga organizatorët u mendua që fokusi të përqendrohej te këndvështrimi dhe qasja artistike që i bën një gjeneratë e re shqiptarësh kësaj ngjarjeje, duke pasur si qëllim të njëkohshëm sensibilizimin e këtij brezi ndaj historisë sonë dhe nxitjen e tij për pjesëmarrje direkte në zhvillimet artistike. Për këtë arsye u mendua që forma më e mirë do ishte shpallja e një konkursi kombëtar, ku do të përshiheshin nxënës të shkollave të mesme, studentë të artit dhe artistë të rinj nga e gjithë Shqipëria. Dje, gjatë një konference për shtyp në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku u shpall fituesi i këtij konkursi, u bë e ditur se konkursi pati dy faza seleksionimi, ku u ftuan të marrin pjesë nxënës të shkollave të mesme, si dhe studentë të Dizajnit dhe Grafikës. Një fazë paraprake përzgjedhjeje u zhvillua në institucionet e arsimit parauniversitar. Në fazën përfundimtare juria shqyrtoi rreth 20 punime. Komisioni, i përbërë nga 5 anëtarë, kryesisht punonjës të Galerisë Kombëtare të Arteve, një përfaqësues i Ministrisë së Kulturës dhe një nxënës i gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, u mblodh në datën 3 qershor 2014, ora 12:00 dhe, pasi shqyrtoi me vëmendje të gjitha punimet pjesëmarrëse, vuri re se pjesa më e madhe e konkurrentëve e kishin paraqitur qartë grafikisht logon e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Nuk bëhej fjalë për ndonjë fantazi të jashtëzakonshme. Në përgjithësi simbolet e përdorura nga të rinjtë ishin flamuri, shqiponja, numri 70 dhe teksti, të realizuara sipas kërkesave të publikuara. Pas procesit seleksionues, Komisioni përzgjedhës unanimisht vendosi që fituesi i konkursit të logos së 70- vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë është 21-vjeçari nga Puka, Marijan Kamshi. Ky vendim u dha mbi motivacionin: “Punimi fitues u zgjodh sepse në mënyrë harmonike përputh idenë me estetikën figurative. Logoja bashkon qartë, me harmoni dhe elegancë tre elemente: numrin 70, përkrenaren e Skënderbeut në profil dhe tekstin “70-Vjetori i Çlirimit të Shqipërisë”. Për mendimin tonë, logoja fituese, duke u mbështetur te ngjyrat dhe simbolet kombëtare, ka një impakt pamor të menjëhershëm, të kuptueshëm shpejt dhe përcjell me dinjitet te publiku rëndësinë e ngjarjes dhe veçantinë e saj”. Vlerësimi artistik i çmimit fitues është 150 mijë lekë të rinj.
Komisioni
• Artan Shabani kryetar, Drejtor i GKA
• Nazim Rashiti anëtar, këshilltar i Ministrit në MK
• Ylli Drishti përgjegjës sektori, GKA
• Glindxhet Madhi nxënës i shkollës së mesme të përgjithshme “P.N.Luarasi”
• Suzana V. Kuka Studiuese arti/kuratore në GKA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al