Njëmbëdhjetë persona u vranë në një shpërthim në një depo armësh pranë një zone industriale në periferi të Damaskut , sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili foli për sulm izraelit, diçka që ushtria izraelite e mohoi.
“Ne nuk jemi në dijeni të ndonjë sulmi nga ushtria izraelite në këtë zonë. IDF nuk e goditi zonën”, tha një burim ushtarak i pyetur për shpërthimin në zonën industriale Andhra, 30 kilometra larg kryeqytetit sirian.
Rami Abdel Rahman, drejtori i Observatorit, tha se “të paktën njëmbëdhjetë njerëz u vranë në shpërthimin që ndoshta ishte shkaktuar nga një sulm izraelit“.
Magazina i përkiste forcave të regjimit të presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad. Sipas Abdel Rahman, shifra nuk është përfundimtare.
“Viktimat janë, në pjesën më të madhe, civilë,” tha ai, duke siguruar se pas rënies së Asadit më 8 dhjetor, shumë janë duke kërkuar instalimet ushtarake “për të gjetur çdo gjë që mund të shitet dhe t’u bëjë atyre para“, si lëndë druri apo metale.
Një zyrtar lokal nga një komunitet fqinj, i cili kërkoi të mbetet anonim, konfirmoi për AFP se kishte pasur një shpërthim, por shkaku nuk dihej.
“Ka viktima,” shtoi ai, pasi foli me një inxhinier në zonën industriale. Ai shpjegoi gjithashtu se një operacion kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar për të gjetur çdo person të lënduar të bllokuar në mbeturina.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al