DEBATI/ Helmim masiv nga gazi në Marinzë, 36 veta në spital. Banori-Beqajt: Maskarenjtë, kam 35 vjet që po më rripet trupi mua

Apr 7, 2015 | 10:51
SHPËRNDAJE

UPDATE/ “Mos na mashtroni, po sëmuremi nga gazi. Na keni lënë në harresë. Mos na gënjeni”. Kanë qenë këto ankesat që banorët e fshatit Marinzë të Fierit i kanë përcjellë ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili inspektoi mëngjesin e sotëm qendrën shëndetësore të fshatit Marinzë në rrethin e Fierit për të ndjekur nga afër situatën e shëndetit publik të banorëve të kësaj zone pas shpërthimeve të dy puseve të administruara nga kompania “Bankers Petroleum” në zonën naftëmbajtëse.

Ministri Beqaj në Marinzë

Banorët e revoltuar i kanë kërkuar ministrit largimin e kompanisë “Bankers”, si dhe subvencionim të medikamenteve. “As detestim falas nuk është bërë, që firma detyrohet me ligj ta bëjë, bashkë me mjekimin”, thanë banorët. 

Debate te ashpra ka pasur mes banoreve ne ambulancen e zones, ku pervec dyndjes se njerezve me probleme, banoret i jane versulur ministrit, per ankesat e shumta qe kane: 

Nje pjese nga debati qe u filmua edhe nga kamerat 

Nje banor: “Kam 35 vjet, po më rripet trupi mua. Maskarenjtë,… 35 vjet naftëtar unë,… jam shumë i revoltuar se je i vetmi burrë që ka ardhur mes popullit këtu, ndërsa ai ministri…”

Minitri Beqaj:
 Mos bërtit se jemi në ambulancë dhe ka të sëmurë.

Banori: Jo, jo, brras se jam i revoltuar une.. 

Banori tjetër : “Kryetari i Komunës nxorri pistoletën, se neve nuk na lanë për t’u vizituar”

 

Për të siguruar shërbim të vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor në kushtet e emergjencës për banorët e kësaj zone, ministri Beqaj bëri me dije se do të vihen në dispozicion dy njësi të lëvizshme të ndihmës mjekësore, në përbërje të të cilave do të jenë një mjek, një infermier dhe një punonjës social, të cilët do të vizitojnë banorët e kësaj zone në shtëpitë e tyre.

Beqaj u siguroi punonjësit e kësaj qendreje shëndetësore dhe banorët e Marinzës se Ministria e Shëndetësisë ka marrë gjithashtu masat për stacionimin e një autoambulance shtesë në këtë zonë deri në normalizimin e situatës. Ai tha se nga dje, në qendrën shëndetësore të Marinzës ka oksimetër dhe bombul oksigjeni.

Ndërkohë ministri tha se janë marrë të gjitha masat për të siguruar furnizim shtesë me barna dhe materiale mjekësore për qendrën shëndetësore të këtij fshati.

Ekipi i kryesuar nga Ministri Beqaj vizitoi gjithashtu edhe Spitalin Rajonal të Fierit për të parë nga afër shkallën e gatishmërisë për pritjen e flukseve të mundshme në rritje të pacientëve.

Helmim masiv në zonën ku shpërtheu gazi javën e kaluar. Janë 36 banorë të zonës së Marinzës në Fier që kanë shfaqur simptoma të intoksikacionit nga lëndë helmuese. Pesë prej tyre janë paraqitur në spitalin e qytetit, ndërsa 31 të tjerë në qendrën shëndetësore të fshatit. E ndërsa numri i banorëve që shfaqin simptoma të helmimit shtohet, asnjë prej institucioneve nuk jep një raport të saktë mbi gjendjen që është aktualisht në Marinzë. 

Gjatë shpërthimeve në Marinzë

Dje në spitalin e Fierit janë paraqitur për të marrë ndihmën mjekësore edhe tri gra të tjera. Pacientët shprehen se kanë dhimbje të forta barku, koke, të vjella e marrje mendsh.

Mjeku i spitalit të Fierit, Lulëzim Banushaj, tha se gratë e paraqitura nuk kanë qenë në gjendje të rënduar dhe pas terapisë disaorëshe janë rikthyer nëpër banesa. Ndërkohë ai deklaron se banorët nuk duhet të ngatërrojnë shenjat e helmimit me virozat e stinës.

Megjithatë, mjeku thotë se kompania “Bankers” duhet të ketë një skemë depistimi për banorët e zonës së prekur e deri në mjekim nëse ka nevojë, ashtu siç bën kontrolle për punonjësit e saj. Por vetë banorët ngrenë shqetësimin e neglizhencës së institucioneve pas kësaj që u ndodhi.

Marie Karamani, banore e Marinëzës

“Nuk po na merr njeri seriozisht. Po na trajtojnë si objekte. Na thonë nuk ka gjë. Na thonë këto nuk janë shenja helmimi, por viroza stine. Ku ta kërkojmë ne të drejtën, kur askush nuk e merr parasysh gjendjen tonë, por e kalojnë të gjithë në heshtje, sikur këtu çdo gjë po shkon për mrekulli. Ka Zot a s’ka? Ndërhyni të na ndihmoni. Ne kemi një jetë të tërë me fenole në gjak. Tani kemi marrje mendsh e s’na beson njeri. Ça është kjo kështu?!”, thotë Marie Karemani, nga fshati Marinzë.

Nga ana tjetër, kreu i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier, Kreshnik Tërnova, ka thënë se banorët e paraqitur në spital këto ditë nuk kanë shenja intoksikimi. Kreu i Shëndetit Publik u shpreh se analizat nuk tregojnë shtim të fenolëve (helmeve) në gjak që të flasim për një helmim nga gazi. Megjithatë, sipas tij, janë marrë të gjitha masat dhe në qendrën shëndetësore të fshatit janë çuar edhe bombola gazi në raste urgjencash për banorët. Tërnova thekson se nga matja e ajrit ka rezultuar se ndotja është vetëm 2 shkallë mbi normë.

“Rreth 24 pacientë kanë shkuar në qendrën spitalore në fshatin ku ndodhi shpërthimi. Nga kontaktet që kemi pasur me mjekët, asnjëri nga pacientët nuk ka intoksikim dhe nuk ka mbetje fenolesh në gjak, të shkaktuara këto ditë. Pra situata nuk është alarmante për sa u përket banorëve dhe shëndetit të tyre. Theksoj se nga matja e ndotjes së ajrit në bashkëpunim me Drejtorinë e Mjedisit, ndotja ka qenë vetëm 2 shkallë më e lartë se normalja, çka do të thotë se është shumë e papërfillshme dhe nuk mund të ketë ndikim te shëndeti i banorëve”.

I vetmi problem që konfirmohet nga Shëndeti Publik është ndalimi i përdorimit të ujit të pijshëm, si për njerëzit, edhe për kafshët. Kompania “Bankers” ka marrë përsipër që të furnizojë me autobote fshatin, por banorët thonë se kjo është e pamjaftueshme.

Kjo situatë po zgjat prej datës 1 prill, kur dy puse shpërthyen si pasojë e ndërhyrjes së kishin bërë aty specialistët e kompanisë së shfrytëzimit të zonës naftëmbajtëse. Prokuroria e Fierit ka nisur procedim penal për kompaninë kanadeze, me akuzat e shkatërrimit të pronës dhe ndotje të ajrit. Pritet që sot të dalin konkluzionet e grupit të specialistëve që po merren me këtë çështje.

MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura