Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të hënën se vendi i tij dënon në nivelin më të lartë sulmin “e tmerrshëm” që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, dhe që ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka ftuar korin diplomatik në Kosovë për t’i njoftuar për më të rejat lidhur me këtë sulm që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë.
Serbia, në anën tjetër, mohon të gjitha akuzat dhe ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.
“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”.
Hovenier ka thënë se sulmi ka rrezikuar qytetarët e Kosovës dhe që “përgjegjësit duhet të japin llogari”.
Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar fillimisht tetë të dyshuar lidhur me këtë sulm dhe kanë kryer bastisje në pjesën veriore të vendit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të dielën se të pandehurit D.V ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.
Sulmi është dënuar ashpër edhe nga faktori ndërkombëtar.
Bashkimi Evropian e ka cilësuar sulmin si akt terrorist dhe sabotues, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të mbështesin gjetjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve për sulmin ndaj Ibër-Lepencit./REL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al