Kryetari komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, foli sot përmes një lidhje Skype për News 24 lidhur me sulmin që u regjistrua mbrëmjen e së premtes në veri të Kosovës.
Mbrëmjen e 29 nëntorit u regjistrua një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit, nga i cili rrezikohet furnizimi me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.
Lidhur më këtë ngjarje, e cila është dënuar gjerësisht nga Perëndim, kryetari i Zubin Potokut tha se bëhet fjalë për një sulm terrorist.
Një sulm i tillë sulm nuk ka ndodhur as gjatë luftës, tha kryetari i Zubin Potokut për News 24. Ai tha se vendi ku ndodhi shpërthimi është afër banesës ku ai jeton. Zeqiri tha se shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha te kanali.
“Jam informuar nga policia lokale se është sulmuar në një kanal, që është arterie jetike për gjithë qytetarët e Kosovës. Unë nuk e kam larg nga shtëpia. Sulmi është terrorist. I tillë sulm nuk ka ndodhur as gjatë luftës. Menjëherë ka shkuar policia në vendngjarje dhe emergjencat e organet e sigurisë. Ka pasur shpërthim paraprak. Ka pasur një dëmtim të madh në kanal. Aty ka pasur edhe bagëti. Pasoja në njerëz nuk ka pasur. Dëmet e mëdha janë në ndërprerjen me ujë të qyteteve kryesore të Kosovës. Akoma nuk është bërë një vlerësim i dëmit, por kjo pasojë mund ta lërë pa ujë gjysmën e Kosovës. Është gjetur një alternativë për furnizim me ujë, janë vendosur disa gypa dhe rregullohen ato thyerje….Ka edhe persona të arrestuar dhe janë kapur edhe arsenal armësh. Janë grupe kriminale e paramilitare, që janë të financuara nga Serbia. Janë grupe, që mbështeten nga Serbia, vetëm që të prishin rendin kushtetues të Kosovës. Liderët e Serbisë kanë dhënë deklarata të rrejshme. Vuçiç nuk është shkëputur nga retorika e Millosheviçit. Qytetarët janë të sigurt në Kosovë, por grupet kriminale vazhdojnë që të veprojnë herë pas here. Në terren janë edhe njësitë amerikane, edhe KFOR është gjithashtu në terren. Ndërkombëtarët po ndihmojnë Policinë e Kosovës, në mbështetje për siguri dhe logjistikë. Ky është një akt kriminal i kryer i qëllimtë. Edhe qytetarët si shqiptarë, ashtu edhe serbët, mos ta dëgjojnë logjikën e shërbimeve sekrete serbe, por t’i kthehen normalitetit dhe të zbatojnë ligjet demokratike të Republikës së Kosovës. Qytetarët të bashkëpunojnë me organet e rendit për çdo shqetësim”, u shpreh Zeqiri.
Të dielën Beogradi mohoi sërish çfarëdo përfshirjeje në sulmin që dëmtoi kanalin furnizues në Zubin Potok rreth 60 kilometra në veri të Prishtinës, nëpërmjet të cilit furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit që janë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike.
Të shtunën autoritetet thanë se janë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin për të cilin policia dyshon se është përdorur një sasi e mjeteve shpërthyese prej rreth 15 deri në 20 kilogramë.
Prishtina e cilësoi sulmin si një akt terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian, i cili bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë.
Të dielën Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha hodhi poshtë akuzat e Prishtinës se Beogradi qëndron parapa sulmit.
“Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga (kryeministri Albin) Kurti”, tha Presidenti Vuçiç, duke nënvizuar se Serbia ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën evropiane të Serbisë, meqë javën e ardhshme pritet vendimi për hapjen e kapitujve të rinj në kuadër të negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al