Shpifja dhe fyerja bëhen publike

Sep 28, 2024 | 9:01
SHPËRNDAJE

NGA GENCI GJOKUTAJ Genc-Gjokutaj-1-770x442

Kallëzimi i rremë bëhet në Prokurori apo Polici. Kjo sepse kallëzimi i një krimi ka qëllim zbulimin e krimit dhe të autorëve.. Në rastin e deputetit Salianji kemi të bëjmë me denoncim publik, ashtu sikundër emisionet investigative bëjnë çdo natë! Policia dhe Prokuroria kur çmojnë se në atë denoncim publik ka indicie apo të dhëna që lidhen me një aktivitet të paligjshëm, fillojnë dhe hetojnë aferën dhe personat e denoncuar publikisht!

Por në asnjë rast nuk mund të procedojnë denoncuesin publik! Për asnjë lloj vepre! Nëse në denoncimin publik ka elemente të shpifjes apo të fyerjes së bërë publikisht tagrin e kallëzimit ndaj shpifësit apo fyesit e ka subjekti i denoncuar kundër denoncuesit publik! Procedurialisht pa një veprim aktiv kallëzimi nga kallëzuesi te Prokuroria apo Policia nuk mund të ekzistojë subjekti i veprës penale të kallëzimit të rremë e për pasojë, as vepra penale! Le pastaj të flasësh për bashkëpunim në një lloj të tillë vepre! Vepra penale e kallëzimit të rremë hyn në kategorinë e krimeve kundër drejtësisë!

Ligjvënësi e ka konceptuar dhe vendosur këtë dispozitë për të penguar abuzimin me organet e drejtësisë dhe vënien e tyre në lëvizje për të hetuar rrethana dhe persona të paqenë! Rasti i deputetit Salianji nuk ka lidhje me asgjë çka ligji kërkon! Po sot ai po shkon në burg jo për shkak të ligjit, por të politikës së këtij regjimi, që nuk njeh garën me kundërshtarin, por goditjen nëpërmjet drejtësisë politike!

E dhimbshme dhe e turpshme për Shqipërinë e 2024-ës, ku deputeti rrëmbehet “juridikisht” për t’u linçuar politikisht me vendime gjykatash e prokurorish patronazhiste dhe të gatshme për të goditur cilindo që pengon shtetin e kriminalizuar drejt mandatit të ardhshëm! Bashke me deputetin Salianji po burgoset edhe fjala e lirë! Në një institucion riedukimi ku mësohet se si duhet mbyllur goja dhe se si fjala të mos jetë e lirë dhe të mos qarkullojë pa doganë!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura