Shpresa e gabuar

Apr 6, 2021 | 9:13
SHPËRNDAJE

BLENDI KAJSIU

BLENDI KAJSIU

Dëshpërimi me qeverisjen e Edi Ramës dhe me mungesën e lidershipit të Lulzim Bashës ka bërë që shumë opozitarë t’i varin shpresat te LSI dhe Ilir Meta. Shumë analistë shpresojnë se Meta dhe LSI, me luftën e tyre të egër dhe pa kompromis kundër ekzekutivit, do ta shpëtojnë demokracinë shqiptare nga kthetrat e Ramës dhe spiralja ku ka rënë.

Është një shpresë e çuditshme po të kemi parasysh që LSI është një biznes politik privat, që i shërben pasurimit të pronarëve të saj duke e reduktuar politikën në klientelizëm dhe qytetarin në klient. Natyrisht, klientelizmi është një karakteristikë themelore e të dyja forcave politike kryesore, PS dhe PD, por ndryshe nga to LSI nuk ka asnjë skrupull ideologjik, historik apo identitet social.

Ata që shpresojnë te rrëzimi i Ramës nëpërmjet LSI-së, i dinë të gjitha këto fakte, por ofrojnë tri argumente. Së pari, një koalicion PD-LSI është e keqja më e vogël krahasuar me PS-në. Së dyti, Meta në presidencë shërben si kundërpeshë ndaj Ramës në ekzekutiv.

Së treti, për demokracinë është më mirë të kesh dy banda në pushtet (PD-LSI) sesa një bandë (PS). Të tria këto argumente janë të gabuar jo vetëm logjikisht, por edhe empirikisht. Le të fillojmë me argumentin e fundit pasi, është më i përhapuri dhe është zhvilluar nga një analist serioz si Fatos Lubonja.

Argumenti pretendon se duke pasur dy banda në pushtet, krijohet më shumë liri politike dhe më pak korrupsion sepse bandat përplasen dhe kontrollojnë njëra-tjetrën. Pra, kemi të bëjmë me njëfarë “checks and balances” dhe një plasaritje të pushtetit që krijon liri.

Teoria e bandave duket se është frymëzuar nga teoria e ndarjes së pushteteve. Problemi është se teoria e ndarjes së pushteteve supozon përplasje të vazhdueshme mes tyre. Për vetë natyrën e shtetit, ekzekutivi gjithmonë do të futet në hapësirën e gjyqësorit dhe anasjelltas. Kufijtë mes pushteteve nuk janë të qartë ndaj përplasja është e paevitueshme.

Por ky nuk është rasti i dy bandave në pushtet. Ato nuk kanë përse të përplasen sepse kufijtë mes tyre janë shumë të qarta. Secila ka ministritë e veta dhe zhvat pjesën e saj të shtetit.

Ato jo vetëm që nuk do të përplasen në emër të lirisë apo kundër korrupsionit, por do bashkëpunojnë për të fundosur demokracinë nëse dikush vë në rrezik pushtetin e tyre. Kjo, në fakt, ndodhi në qeverisjen Berisha– Meta. Berisha jo vetëm e la të lirë Metën të vidhte, por kur vjedhja doli në pah ai vrau demokracinë për ta mbrojtur Metën. Jo vetëm u vranë protestues në shesh, por edhe u shantazhua gjyqësori që të mos e hetonte vjedhjen ashiqare.

Dy banda në pushtet vjedhin më shumë, prodhojnë më shumë papërgjegjshmëri sepse për çdo problem fajin ia hedhin njëra-tjetrës, më pak efikasitet në qeverisje dhe më pak demokraci. E thënë ndryshe, nuk ka asnjë arsye logjike të argumentosh se është më mirë të qeverisesh nga dy hajdutë se nga një.

Por nuk kemi pse te spekulojmë logjikisht në lidhje më këtë çështje. Kemi të dhëna empirike rreth demokracisë shqiptare që na tregojnë se është më mirë të kesh një bandë se dy banda në pushtet. Raporti më serioz dhe koherent që mat demokracinë shqiptare është ai “Freedom House”, “Nations in Transit”. Ky raport vlerëson çdo vit nivelin e demokracisë në vend në përgjithësi si dhe qeverisjen qendrore, efikasitetin dhe transparencën e saj, në veçanti.

Në tabelën numër 1 kam llogaritur mesataren e vlerësimit të “Freedom House” nga viti 2005 deri në vitin 2020 si për demokracinë në përgjithësi, ashtu edhe për qeverisjen qendrore, gjatë katër qeverisjeve: PD (2005-2008); PD-LSI (2009-2012); PS-LSI (2013-2016) dhe PS (2017-2020).

Vlerësimi është në një shkallë nga 1 (autoritarizëm) në 7 (demokraci e plotë). Sikurse tregon tabela e mësipërme, niveli i demokracisë dhe cilësia e qeverisjes, si për sa i përket korrupsionit, ashtu edhe efikasitetit, përkeqësohet me LSI-në në pushtet.

Koalicioni PD-LSI (2009-2012) prodhoi një demokraci dhe qeverisje më të dobët se qeverisja e PD-së (2005-2008) vetëm. Po kështu, niveli i demokracisë dhe i qeverisjes ishte më i ulët gjatë qeverisjes së koalicionit PS-LSI (2013- 2016) sesa gjatë qeverisjes së PS-së vetëm (2017- 2020). Këtu vijmë tek argumenti i dytë se LSI dhe opozita në përgjithësi, është e keqja më e vogël. Po t’i referohemi tabelës 1 më sipër, në pamje të parë duket se një koalicion PD-LSI është vërtetë një e keqe më e vogël.

Gjatë qeverisjes PD-LSI (2009-2012), niveli mestar i demokracie ishte më i lartë dhe niveli i qeverisjes njësoj me mesataren e katër viteve të qeverisjes së PSsë (2017-2020). Problemi është se mesataret nuk tregojnë tendencën e qeverisjes. Koalicioni PD-LSI kish një tendencë degradimi, si në demokraci, edhe në qeverisje, shumë më të madhe se qeverisja e fundit e PS-së. Shiko tabelën 2 më poshtë.

Sikurse tregon qartë tabela 2, koalicioni PDLSI ka prodhuar rënien më të madhe si në nivelin e demokracisë, ashtu edhe në nivelin e qeverisjes gjatë 15 viteve të fundit në Shqipëri. Ky koalicion e filloi punën me një nivel demokracie 4,18 dhe nivel qeverisje 3,75 në vitin 2009 dhe e mbylli me nivel demokracie 3,86 dhe nivel qeverisje 3,25 në vitin 2012. Ndërkohë, në qeverisjen e PS-së, ndonëse niveli i demokracisë është më i ulët, tendenca e degradimi është më e vogël se në koalicionin Berisha – Meta.

Demokracia mbetet pothuajse në të njëjtin nivel: nga 3,86 në 2017 në 3,82 në 2020, ndërsa qeverisja bie nga 3,50 në 3,25, një rënie kjo më e butë sesa ajo e PD-LSI. Këtu, dikush, me të drejtë, mund të pyesë përse tendencën rritëse që kemi si në nivelin e demokracisë, edhe në qeverisje gjatë qeverisjes PS-LSI, nuk ia atribuojmë LSI-së?

Arsyeja është sepse në vitin 2013, risia në qeverisje ishte PS-ja dhe jo LSI. Ndaj ndryshimi në tendencë nga rënie në rritje nuk mund të shpjegohet nga faktori konstant (LSI), por nga faktori që ndryshon (PS).

Në fakt, tendenca në rritje në demokraci vazhdon edhe në vitet 2018 dhe 2019 kur LSI nuk është më në pushtet. Natyrisht, nuk mund të parashikojmë me siguri se qeveria Basha – Kryemadhi do ketë të njëjtën tendencë degradimi si qeveria Berisha – Meta.

Ama, është e vështirë të argumentosh se Basha do jetë më i aftë se Berisha të kontrollojë orekset e LSI-së në pushtet. Në këtë pikë, shumë nga ata që janë të dëshpëruar me qeverisjen e Ramës argumentojnë se pavarësisht mëkateve të shumta, Meta dhe LSI i kanë shërbyer demokracisë në opozitë si kundërpeshë ndaj qeverisjes autoritare dhe jo transparente të Ramës.

Shembull i kësaj rezistence janë kthimi i disa ligjeve problematike të qeverisë Rama nga Presidenti Meta. Është e vërtetë se rezistenca e Metës shpesh ka qenë mjaft pozitive përballë tendencave korruptive të qeverisë Rama. Problemi është se kjo rezistencë nuk është produkt i pavarësisë kushtetuese, por i politizimit të Presidencës në funksion të opozitës. Këtu, në fakt, faji nuk është i Metës, por i Ramës. Jo thjesht sepse pranoi Metën President, por mbi të gjitha sepse ndërmori ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 që e degraduan institucionin e presidencës.

Ishin këto ndryshime që prodhuan precedentin e një Presidenti të politizuar që nuk është mbi palët, siç ishte Bujar Nishani dje. Problemi është që Meta sot e ka çuar politizimin e Presidencës në një ekstrem të ri, duke e ulur m tej standardin e këtij institucioni që supozohet se është mbi palët dhe që duhet të përfaqësojë të gjithë shqiptarët, majtas e djathtas. Në këtë aspekt, Presidenca e Metës ofron standardin më të ulët që nga viti 1997. Opozita politike e Presidentit Meta hedh poshtë vetë argumentin e rrotacionit.

Nuk mund të duartrokasim sot opozitën e Presidentit Meta kundër Ramës dhe njëkohësisht të mbështesim ardhjen në pushtet të koalicionit PD-LSI. Në kushtet aktuale, ky rrotacion do prodhonte shkrirjen e ekzekutivit me Presidencën, më pak ndarje pushtetesh dhe, për pasojë, më pak demokraci. Pa përmendur këtu precedentin e rrezikshëm të një Presidenti tërësisht politik (imagjinoni nesër Gramoz Ruçin President).

Riciklimi i LSI-së në pushtet nëpërmjet koalicionit PD-LSI jo vetëm nuk ofron asnjë garanci përmirësimi të demokracisë, por rrëzon edhe standardin e vendosur në vendin tonë të reformimit të opozitës para kthimit në pushtet.

PD erdhi në pushtet në vitin 2005 pasi bëri një reformë dhe hapje të thellë të partisë. Berisha pranoi publikisht gabimet e qeverisjes së parë 1992- 1997 dhe u hap ndaj të larguarve si Imami, Pashko apo Zogaj, pa përmendur prurjet e reja të KOP-it. Po kështu, PS-ja, pasi doli në opozitë në vitin 2005, pësoi një reformim të thellë të lidershipit. Ndryshoi realisht kryetarin dhe PS u distancua publikisht nga gabimet e qeverisjes së mëparshme.

Rama e fitoi garën për kryetar, duke e kritikuar qeverisjen e mëparshme të Fatos Nanos. Pas 8 vitesh në opozitë të PD-së dhe 4 të LSI-së, çfarë reformimi ka bërë opozita? Jo vetëm nuk është distancuar, por i ka mbrojtur fenomenet më negative të qeverisjes së saj që nga Gërdeci deri te 21 janari.

Ndërkohë, nuk kemi asnjë rinovim real as në lidership dhe as në personelin politik, janë po të njëjtat fytyra të lodhshme të tranzicionit që nga Berisha e Mediu deri te Duka, që dje ishte i krimit dhe sot është i ndryshimit. Pikërisht për këtë arsye, një fitore e kësaj opozite në zgjedhjet e 25 prillit nuk e rrëzon, por e riciklon Ramën. Nëse PS-ja del në opozitë si parti e parë në 25 prill, siç thonë të gjitha sondazhet, Rama nuk ka asnjë arsye të largohet, as të distancohet nga qeverisja e tij.

Thjesht duhet të presë 4 vite sa të transformohet në të ashtuquajturën e keqja më e vogël apo sa të ndërrojë krahun LSI, për t’u rikthyer në pushtet. Ndaj, t’i kërkosh llogari sot qeverisë Rama me standardet e qeverisë apo opozitës BashaBerisha-Meta, do të thotë të përjetësosh në pushtet jo vetëm Ramën si individ, por keqqeverisjen si fenomen.

Synimi ynë nuk mund të jetë thjesht të rrëzojmë një të keqe për të sjellë në pushtet një tjetër, por të krijojmë një standard demokratik që nuk lejon një mandat të tretë apo riciklim për një qeverisje si kjo e Ramës. Dhe kjo nuk arrihet, duke ricikluar LSI-në në pushtet.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura