Organizata “Demokracia në Veprim” shprehu më herët shqetësim për fshirjen e lehtë të bojës nga gishti i votuesve.
Ata thanë se kjo përbën problem për procesin e votimit në Kosovë.
“Problem që mund të ndikoj dhe t’i hapë rrugë votimit të dyfishtë”, tha më herët Eugen Cakolli nga DnV .
Lidhur me këtë shqetësim ka rezaguar KQZ e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se procesi i zgjedhjeve në Kosovë është duke shkuar mirë, pa ndonjë problem që do të mund ta cenonte mbarëvajtjen e tij.
Zëdhënësi Valmir Elezi tha se ngjyra që i vihet në gisht qytetarit pas votimit, fshihet shpejt. Sakaq ai theksoi se kjo nuk është e vetmja masë e sigurisë që aplikon KQZ-ja.
“Të gjithë personat që votojnë, pasi që identifikohen me një dokument zyrtar të Republikës së Kosovës, nënshkruajnë në hapësirën tek emri i tyre, pasi votojnë. Ky nënshkrim ia pamundëson një votuesi të votojë sërish”, tha Elezi.
Qytetarët e Kosovës i drejtohen sot kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare.
KQZ njoftoi se deri në orën 15:46, kanë votuar 534,210 qytetarë ose 27.10% e zgjedhësve. Në garë janë 28 subjekte politike, të cilat garojnë me 1280 kandidatë për 120 karriget në Kuvendin e Kosovës.
Kandidatët kryesorë për Kryeministër të Kosovës janë Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al