Shqipëria dërgon “Pikë uji” në çmimet Oscar, filmi do të përfaqësojë vendin në kategorinë International Feature Film

Sep 20, 2024 | 10:49
SHPËRNDAJE

Në ambientet e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, u mblodh Komisioni Përzgjedhës i filmit që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences” për vitin 2025.

1726810554_pikeuji

Pas thirrjes së hapur nga QKK, aplikoi vetëm shtëpia kinematografike Era Film me filmin artistik me metrazh të gjatë “Pikë uji” me regji të Robert Budinës. Komisioni votoi unanimisht pro kandidaturës së paraqitur nga shtëpia kinematografike Era Film për filmin, për të qenë filmi “Pikë uji” përfaqësues i Shqipërisë, në kategorinë International Feature Film, në edicionin e 97-të të Çmimeve OSCAR. Qendra Kombëtare e Kinematografisë i uroi suksese regjisorit Robert Budina dhe producentes Sabina Kodra. Filmi “Pikë uji” pati premierën vetëm 1 javë më parë në kinematë e kryeqytetit. Në qendër të historisë, shkruar nga Robert Budina, Doruntina Basha e Ajola Daja, qëndron Aida. Ajo ka arritur majat e pushtetit në qytetin e saj, por kur djali i saj Marku përfshihet në një akuzë të rëndë, bota e Aidës fillon të lëkundet. Sa larg do të shkojë Aida për të mbrojtur të birin?

“Pikë uji” është një thriller emocionues që zbulon çmimin e vërtetë të pushtetit dhe dashurisë prindërore. Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, MIBAC, QKK Kosovë, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut, Creative Europe Media, SEE. Historia ka në qendër rrugëtimin e Aidës, një zyrtare me shumë pushtet në bashkinë e një qyteti të vogël, e cila gjendet papritur në një situatë dramatike në familjen e saj. I biri Marku është arrestuar i akuzuar si përdhunues i shoqes së tij të klasës. Duke shfrytëzuar pushtetin dhe paratë, Aida përpiqet me dëshpërim të shpëtojë djalin por gjendet shpejt në vorbullën e korrupsionit që vetë ka ngritur në institucionin ku sundonte. Filmi na përball me dilema të shumta ndër të cilat dhe më kryesorja se deri ku mund të shkojë një nënë për të mbrojtur fëmijën e saj pavarësisht përmasave të krimit të kryer? Personazhi kryesor Aida, shfaqet në rrugëtimin e saj kur ngjit shkallët e pushtetit, duke sakrifikuar gjithçka njerëzore.

Nis të kujtohet se për para e pushtet kishte lënë vetë ti shkatërrohej qetësia, ëndrra, dinjiteti, dashuria e tani ndjen t’i shembet toka nën këmbë kur sheh të birin pas hekurave të akuzuar për përdhunim. Megjithatë, Aida, përpiqet dhe kërkon me ngulm të besojë se i biri Marku është i pafajshëm, pavarësisht dëshmive që e provojnë fajësinë e tij. Ajo e kërkon fajin tek bashkëpunëtori i saj në korrupsion. Ka kuptuar se Denisi, i biri i kryetarit të bashkisë është, gjithashtu, bashkëpunëtor në përdhunim me Markun. Por Aida nuk ia del dhe detyrohet t’i nënshtrohet pushtetit të kryetarit. Ndër momentet pikante të filmit është kur Beni, dashuria që kishte braktisur për pushtet e para, shfaqet i akullt përballë dramës së Aidës. Ai hyn në skenë si prokuror për të vendosur fatin e djalit të saj. Fundi i filmit nuk jep drejtësinë që triumfon, përkundrazi. Budina e lë të hapur skenarin që secili shikues ta përcaktojë vetë fatin e secilit personazh; viktimës, vajzës së përdhunuar, Makut dhe shokut të tij autorë të krimit; fatin e Aidës dhe rrugën që ajo do të zgjedhë pasi ka njohur fuqinë e pushtetit të korruptuar dhe ka parë veten viktimë të tij.

“Pikë uji” është një nga ata filma shqiptarë që bën përpjekjen më të arrirë për rikthimin me dinjitet të filmit shqiptar në kinema, duke qëndruar larg komercialitetit dhe ndikimit të ndonjë sipërmarrje politike apo biznesi, larg kopjimit të kinematografisë perëndimore, por me një përqasje origjinale të plotësuar artistikisht, për të cilën pa dyshim ka meritë i gjithë stafi.

AKTORËT

Robert Budina ka mbledhur një kast të mrekullueshëm aktorësh që sjellin në jetë karaktere të ndërlikuara dhe plot emocion. Gresa Pallaska, një nga aktoret më të dashura për publikun mbarëshqiptar, interpreton rolin e Aidës, ndërsa Arben Bajraktaraj, aktor shqiptar me famë botërore që jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij teatral dhe filmik në Paris, luan rolin e Ilirit. Adem Karaga, një aktor shqiptar shumëdimensional nga Maqedonia e Veriut, interpreton Elvisin, ndërsa Gerhard Koloneci, një aktor që ka filluar të luajë role të rëndësishme në kinemanë italiane, luan rolin e Benit.

Në film interpretojnë, gjithashtu, Kodjana Keco, një aktore shqiptare që zhvillon aktivitetin e saj artistik në New York, e cila ka sjellë një rol tronditës në këtë film, dhe talentet e reja natyrale si Paolo Iancu, i cili jeton në Bukuresht dhe ka filluar të luajë role në kinemanë dhe teatrin rumun, gjithashtu, Henri Topi, një i ri nga Pogradeci që premton të jetë një nga zbulimet aktoriale shqiptare në të ardhmen. Në kinema Milenium u shfaq filmi “Pikë Uji”, i regjisorit të mirënjohur Robert Budina.

Publiku shijoi për 90 minuta thrillerin e regjisorit Budina që u përjetua si realiteti i shoqërisë që po jetojmë. Pas premierës më 12 shtator, filmi “Pikë uji”, do të vazhdojë të shfaqet në Tiranë dhe në të gjitha kinematë e Shqipërisë. Më pas filmi do të vazhdojë të shfaqet në kinematë e Ballkanit, Spanjës, Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë. Ky film pritet të jetë një sukses i rëndësishëm për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura