Shqipëria, e dyta në Europë për normat më të larta të vdekshmërisë foshnjore! Nga mungesa e mjekëve neonatalë, tek… Ja shkaqet

Jul 11, 2024 | 7:13
SHPËRNDAJE

Lindjet në Shqipëri janë duke rënë me shpejtësi, por treguesi i vdekshmërisë foshnjore mbetet i lartë. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023, në 1000 lindje të gjalla humbën jetën 6.1 foshnja, nga 6.5 në vitin 2022.

Bebe-768x512

Me këto rezultate, Shqipëria ka vdekshmërinë foshnjore dy herë më të lartë se mesatarja europiane më 2022, me 3 vdekje në 1000 lindje të gjalla.

Shqipëria, me të dhënat e vitit 2023, renditet e dyta për vdekshmërinë foshnjore më të lartë në Europë, pas Turqisë (9.2).

INSTAT raportoi se në vitin 2023, janë regjistruar 144 vdekje foshnjore, 52,1% janë neonatal i hershëm (0-6 ditësh), 18,0% neonatal i vonshëm (7 -27 ditësh) dhe 29,9% janë postneonatal (28-365 ditësh).

Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore janë “Sëmundjet që shfaqen në periudhën rreth lindjes” me 49,3%, “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” me 20,1% dhe “Anomali të bashkëlindura” me 9,7% të vdekjeve të regjistruara.

Mjekët pohojnë se Shqipëria ka vdekshmëri të lartë foshnjore për shkak të mungesës së mjekëve neonatalë.

Neonatologjia është një degë e pediatrisë që trajton shëndetin e foshnjave në 28 ditët e para të jetës. Duke pasur fokus specifik dhe për një periudhë të shkurtër jetën e bebes, mjekët pediatër nuk preferojnë të specializohen në këtë drejtim.

Ata e shohin më të udhës të punojnë si pediatër i përgjithshëm, pasi do të mbulojnë problemet shëndetësore për fëmijë deri në 14 vjeç, ndryshe nga neonatologët të cilët duhet të specifikohen për bebet njëmuajshe.

Gjithnjë e më pak mjekë të rinj zgjedhin këtë profesion, ndërkohë që kërkesat për shëndetin e bebeve në ditët e para të jetës janë në rritje. Pothuajse të gjitha spitalet rajonale nuk kanë mjek neonalatë po vetëm obstetër.

Para 6-7 vitesh, në dy maternitetet publike të Tiranës, “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” ishin 20 mjekë neonatalë, ndërsa tani nuk janë as gjysma e tyre.

Si në të gjitha grupet e sëmundjeve, stili i jetesës ndikon te shtatzënitë dhe sëmundjet pas lindjes. Mosha e martesës te gratë po rritet, gjithashtu pirja e duhanit, alkoolit, obeziteti janë gjithnjë e më të përhapura te gratë.

Për shkak të këtyre ndryshimeve, tani gjithnjë e më pak nëna lindin në mënyrë natyrale dhe gjithnjë e më pak zgjedhin t’i ushqejnë foshnjat me gji.

Entet publike përgjegjëse për të shqyrtuar këta faktorë dhe ndikimin e tyre në vdekshmërinë foshnjore ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë studim, por të dhëna të tërthorta tregojnë se, paralelisht me rritjen e kontrolleve mjekësore, modeli i jetës te nënat e reja po ndryshon me shpejtësi. /Monitor

4

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura