Shqipëria, ja zonat më të rrezikuara nga tërmetet

Mar 11, 2013 | 9:21
SHPËRNDAJE
Eduard Sulstarova

Shqipëria përcaktohet nga studiuesit si një nga vendet me veprimtari sizmike, ndër më të lartat në Europë. Rreziku nga tërmetet është gjithnjë prezent në të gjithë territorin. Ekspertë të fushës, duke vlerësuar këtë risk, kanë konkluduar se çdo 5 vjet mund të bjerë një tërmet i fuqishëm mbi 7 ballë dhe çdo dhjetë vjet një tërmet mbi 8 ballë.

E ndërsa kjo dukuri natyrore nuk mund të parashikohet saktësisht se kur ndodh, e vetmja masë që mund të merret është zbatimi i kushteve teknike për ndërtimet, duke bërë më parë studime sizmike për intensitetin dhe lartësinë e një pallati, apo godine të re. Për të realizuar këtë proces të detyrueshëm për çdo ndërtues, specialistët bazohen mbi hartat që tregojnë shpërndarjen sizmike të vendit.

Në Shqipëri, në dy dekadat e fundit, kur bumi i ndërtesave shumëkatëshe ka mbërthyer sidomos qytetet e mëdha, i vetmi dokument i njohur ligjërisht, për të vlerësuar nëse një shesh apo një zone e caktuar ka risk nga tërmetet, është një hartë e miratuar 34 vjet më parë. Në shumë raste, studimet janë bërë shkel e shko dhe pas marrjes së lejes së ndërtimit, është devijuar nga projekti fillestar. Shqetësimi i ekspertëve të fushës, të cilët e dinë më mirë atë që mund të ndodhë nga lëkundjet e fuqishme, është i madh, por në fakt të gjithë i kemi bërë pyetje vetes se çfarë mund të ndodhë nëse një tërmet i fuqishëm bie në Tiranë, apo në Durrës dhe Sarandë ku nuk mungojnë pallatet super të larta? Në intervistën e tij për gazetën “Panorama”, profesor doktor Eduard Sulstarova, një prej hartuesve të hartës së re sizmike, e cila bëhet për herë të parë pas 34 vjetësh me vulë të Akademisë së Shkencave, tregon pse është i domosdoshëm zbatimi i saj nga ndërtuesit dhe cilat janë zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Shqipëri.

“Kjo hartë është monografi me 4 bashkautorë. “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”, është një studim që përmban zonimin e ri sizmik në përputhje me metodologjinë e kohës. Harta e vitit 1979 nuk i përmbush më kërkesat e kohës, ndaj ishte domosdoshmëri hartimi i një tjetër harte të ndërtuar me standarde dhe parametra europianë, që mund t’u shërbejë ndërtuesve për të ngritur vepra antisizmike. Ne pretendojmë që këto harta të jenë të detyrueshme, por të tilla nuk i bëjmë ne, por qeveria. Studimi i vitit 1979 përmbante vetëm një hartë që vlerësonte sizmologjinë e vendit, me këtë punim ne kemi 12 harta për spektra të ndryshëm. Aty përfshihen 9 zonat e burimeve sizmike në vendin tonë. Kemi arritur në përfundimin se rezultatet e këtij vlerësimi probabilitar të rrezikut sizmik duhet të shërbejnë si bazë për kodin e ri të ndërtimeve antisizmike në vend, duke zëvendësuar Hartën e Rajonizimit Sizmik të Republikës së Shqipërisë në shkallën 1:500.000, miratuar nga Këshilli i Ministrave në dhjetor 1979, e cila është ende në fuqi”- thote ai.

Në këtë studim pasqyrohet edhe një vlerësim i rrezikut sizmik në Shqipëri, mund të na sqaroni sa realisht rrezikohemi nga tërmetet?

Shqipëria është një vend me veprimtari të zhvilluar sizmike. Kjo gjë dihet. Në studimin që ne kemi kryer, një rëndësi e veçantë i është dhënë vlerësimit të rrezikut sizmik probabilitar, duke analizuar shpërndarjen në kohë dhe hapësirë të aktivitetit sizmik në Shqipëri. Mbi këtë bazë është vlerësuar se në territorin e Shqipërisë, me probabilitet 80%, mund të ndodhë një tërmet VII ballë një herë në çdo 5 vjet, një tërmet VIII ballë çdo 10 vjet, ndërsa një tërmet IX ballë çdo 30-40 vjet dhe tërmeti maksimal i mundshëm arrin magnitudën Ms=7.5. Janë përfshirë gjithashtu vlerat e rrezikut sizmik për 370 bashki e komuna, si edhe vlerat e plota spektrale për 36 qytete.

Cilat janë ato që ju veçoni si zonat më problematike?

Janë tri grupe . Zonat jonike- adriatike, (Saranda, Himara, Vlora, Durrësi, Shkodra, Lezha) renditen të parat për nga veprimtaria sizmike. Më pas kemi zonat e dyta aktive (Korça, Liqeni i Ohrit, Kukësi, Dibra). Zona tjetër është ajo që ne e quajmë brez tërthore dhe përfshin Vlorën, Lushnjën, Dibrën.

(Intervisten e plote marre nga Zirina Llambro e lexoni sot ne Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura