Shqipëria, midis patriarkalizmit e demokracisë

Oct 17, 2024 | 7:49
SHPËRNDAJE

NGA ANITA LIKMETA Anita Likmeta

Shqipëria ndodhet sot në një fazë të brishtë politike, e cila pasqyron përpjekjen e saj të vazhdueshme për t’u shkëputur nga e kaluara diktatoriale dhe për të ndërtuar një demokraci ende të lëkundur. Megjithatë, pavarësisht disa përparimeve, komunitetet e margjinalizuara dhe gratë vazhdojnë të mbeten në periferinë e diskutimeve publike dhe të pushtetit. Një postim i fundit e aktivistes Xheni Karaj, një zë i fortë për të drejtat e komuniteteve LGBTI në Shqipëri, ka hedhur dritë mbi një çështje thelbësore: manipulimin politik të narrativave mbi të drejtat civile dhe sociale, veçanërisht në lidhje me komunitetet më të cenueshme. Karaj ka denoncuar publikisht dy fytyra të reja të politikës shqiptare, Adriatik Lapaj dhe Pano Soko, figura që po afirmohen në skenën politike me një retorikë populiste që ngjall parulla të vjetra si “Zoti, Atdheu, Familja”. Një thirrje që, në një kontekst patriarkal të thellë, rrezikon të përforcojë më tej një kulturë që i mban gratë dhe pakicat në një pozicion të nënshtruar. Propaganda për të cilën flet Karaj reflektohet në thirrjen drejtuar qytetarëve për të nënshkruar një peticion kundër ligjit nr. 22/2018 për Banesat Sociale, një legjislacion që synon mbrojtjen, ndër të tjera, të anëtarëve të komunitetit LGBTI, viktima të diskriminimit.

Kjo fushatë populiste, që përdor konceptin e “familjes tradicionale” si mburojë kundër të drejtave të pakicave, është thellësisht e rrezikshme për shoqërinë shqiptare. Siç na mëson Hannah Arendt, manipulimi i retorikës familjare dhe ndjenjave patriotike mund të çojë shpejt në ndërtimin e regjimeve totalitare që shtypin diversitetin dhe pluralitetin e mendimit. Në një vend ende të shënuar thellë nga diktatura e Enver Hoxhës, rreziku që politikanët e rinj të shfrytëzojnë frikën e ndryshimit social për të ushqyer një politikë përjashtimi është i pranishëm dhe real. Simone de Beauvoir e ka theksuar se si, në një shoqëri patriarkale, gruaja trajtohet si “Tjetra”, një qenie e padukshme që ekziston vetëm në raport me burrin. Kjo është pikërisht ajo që ndodh sot në Shqipëri, ku politika vazhdon të dominohet nga figura mashkullore, ndërsa zërat e grave, edhe pse të pranishme, shpesh margjinalizohen ose injorohen. E njëjta gjë vlen për komunitetet LGBTI, të cilat luftojnë të njihen jo si përjashtime apo anomali, por si qytetarë të plotë. Mungesa e përfaqësimit politik të grave dhe mungesa e lidereve femra në skenën politike reflekton një sistem ende të bllokuar në logjika të vjetra pushteti, të paaftë për t’u hapur drejt një emancipimi të vërtetë. Adriatik Lapaj, në një postim të tij në “Facebook”, ka shkruar: “Kushdo që prek konceptin e familjes, meriton vetëm përbuzjen tonë. Rroftë familja! Rroftë nëna! Rroftë babai!”. Kjo lloj retorike është një shembull i narrativës tradicionaliste, që përpiqet të lidhë identitetin kombëtar me një koncept statik dhe të pandryshueshëm të familjes, duke përjashtuar çdo formë të diversitetit. Thirrja ndaj vlerave tradicionale është një grackë e rrezikshme, siç na mëson filozofja Ayn Rand, e cila shihte në kolektivizëm shkatërrimin e individualitetit dhe të lirisë personale.

Pyetja që duhet të shtrojmë, pra, është: Çfarë lloj Shqipërie duam të ndërtojmë? Një vend që kapet pas vlerave patriarkale, që përjashton dhe margjinalizon, apo një Shqipëri liberale, e aftë të përfshijë të gjithë qytetarët e saj, duke njohur të drejta të barabarta për burrat, gratë dhe komunitetet e margjinalizuara? Demokracia nuk mund të reduktohet në një çështje të thjeshtë të fytyrave të reja në skenën politike, por duhet të reflektojë një ndryshim të vërtetë social dhe kulturor. Është interesante të vërehet se janë kryesisht burrat, dhe pothuajse kurrë gratë, që paraqiten si liderë të rinj politikë në Shqipëri. Kjo tregon një problem struktural: politika shqiptare nuk po bën asgjë për të krijuar hapësirë që gratë të shfaqen si figura me pushtet. Nëse shikojmë historinë, kuptojmë se çdo lëvizje emancipimi është shoqëruar me rezistenca të ashpra, të ushqyera nga një retorikë konservatore. E megjithatë, është pikërisht në momentet e krizës kur popujt mund të bëjnë hapin cilësor drejt një hapjeje dhe përfshirjeje më të madhe. Prandaj, apeli i Xheni Karajt nuk duhet të bjerë në vesh të shurdhër: komunitetet LGBTI dhe gratë nuk kërkojnë privilegje, por të drejta themelore, të drejta që çdo demokraci e vërtetë duhet t’i garantojë. Siç e kishte kuptuar Pasolini, rreziku nuk qëndron vetëm në politikë, por edhe në një kulturë që normalizon shtypjen dhe pabarazinë. Detyra e intelektualëve dhe e atyre që besojnë në një Shqipëri ndryshe, është të demaskojnë hipokrizinë, të denoncojnë retorikat boshe dhe të punojnë për një shoqëri më të drejtë, ku çdo qytetar të mund të marrë pjesë vërtet, pavarësisht nga gjinia apo orientimi seksual. Urimi përfundimtar është për një Shqipëri liberale, ku diversiteti të festohet, jo të frikësohet. Një Shqipëri që nuk fshihet pas maskave të patriarkalizmit dhe populizmit, por që përqafon të ardhmen me guxim, duke ndërtuar një demokraci që nuk është vetëm formale, por thelbësore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura