“Shqipëria në terr për shkak të korrupsionit”, Blushi: Dy TEC-et në Vlorë hanë qindra mln euro, por ende nuk prodhojnë asnjë kilovat energji

Jan 5, 2025 | 20:30
SHPËRNDAJE

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka bërë një postim në rrjetin e tij social në Facebook, ku komenton ndërprerjen e energjisë elektrike në disa qytete të vendit tonë sot për shkak të disa defekteve, ende të panjohura.

Screenshot 2025-01-05 202902

Blushi thotë se Shqipëria është në terr për shkak të korrupsionit dhe se ndonëse digat janë plotë, për qytetarët nuk ka energji elektrike.

Më tej ai komenton edhe dy TEC-et në Vlorë “Tigri 1” dhe “Tigri2” për të cilat janë investuar miliona euro por që deri më tani sipas tij këto TEC-e nuk prodhojnë asnjë kilovat energji elektrike.

Postimi i plotë nga Tedi Blushi

“Shqipëria në terr për shkak të korrupsionit! Digat plot dhe energji elektrike nuk ka!

Miliona euro investime për rrjetin energjitik dhe gjysma e vendit në errësirë totale.

Qindra milion euro hanë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” (dy TEC-e lundruese në Vlorë) dhe ende nuk prodhojnë asnjë kilovat energji. Këto janë “krimet intelektuale” që e kanë zhytyr sot vendin në terr.

Shqiptarët në errësirë, SPAK-u “ndriçon” si yll në fanarin e Partisë dhe “ngrohet” nën sqetullën e Edi Ramës dhe Qeverisë.”

Disa qytete të vendit kanë mbetur pa enegji elektrike pasditen e kësaj të diele. Raportohet se rreth orës 17:40, Durrësi, Vlora, Fieri, Lushnja, Saranda, Kavaja, Shkozeti e Rrogozhina  u përfshinë nga terri.

Burime nga OSHEE  bëjnë me dije se ka rënë linja e OST Fier dhe Elbasan. Gjithashtu mësohet se ka pasur një defekt të rëndë në një linjë të tensionit të lartë në zonën e Beratit.

Sakaq nuk dihet ende se cili ka qenë shkaku që ka shkaktuar defektet në linjat përkatëse.

Nuk dihet sa do të zgjasë situata pa energji elektrike. Me përcaktimin e defektit pritet që furnizimi të kalojë nga linjat dytësore.

Lexo edhe: Shqipëria në “errësirë”, ndërpritet energjia elektrike në disa qytete të vendit

Lexo edhe: Disa qytete në errësirë totale, reagon Berisha: Shqipëria në terr, digat plotë! Shkaku vjedhjet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura