“Shqipëria s’do të ketë kurrë paqe, pa u dënuar krimet e komunizmit”- Letra për krerët e shtetit dhe trupin diplomatik! Ndregjoni: Heshtja e shtetit sjell përçarje dhe urrejtje

Jun 28, 2024 | 12:34
SHPËRNDAJE

krimet e komunizmit

Unioni mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve Politikë apelon drejtuesit e shtetit shqiptar dhe trupin diplomatik në Tiranë për mosdënimin e krimeve të komunizmit. Drejtuesi i kësaj shoqate, Besim Ndregjoni, shpreh shqetësimin se heshtja e shtetit për mosdënimin e krimeve të komunizmit sjell përçarje dhe urrejtje ndër shqiptarët. Ndregjoni u drejton thirrjen: “Kur do t’i dënoni krimet e komunizmit me ligj si gjithë Europa”?!

Besim-Ndregjoni-537x360

******

DR.BESIM NDREGJONI/ Heshtja e shtetit shqiptar për mosdënimin e krimeve të komunizmit sjell përçarje dhe urrejtje ndër shqiptarët!

Ka mbi 6 muaj që Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në bashkëpunim dhe dakordësim të plotë me tri komuniteteve fetare myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe bektashian i janë drejtuar shtetit shqiptar dhe kanë mbështetur kërkesën e Konferencës Ipeshknore të Shqipërisë, drejtuar institucioneve të shtetit shqiptar, që të dënohen krimet e komunizmit me ligj, siç i ka dënuar Europa në post-komunizëm.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj; kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetari i Këshillit të Ministrave, Edi Rama, opozita e ashtuquajtur e djathtë antikomuniste vazhdojnë të heshtin ndaj kësaj kërkese sa kushtetuese, njerëzore, aq edhe e domosdoshme për zhvillimet politike shoqërore në Shqipëri, duke dëmtuar rëndë ekuilibrat e shoqërisë në vend. Ka 34 vite që mijëra familje shqiptare kërkojnë një varr për familjarët e vrarë pa faj nga diktatura, janë mbi 6000 familje shqiptare, që presin një përgjigje nga ky shtet që e quan veten “demokratikë”, por drejtuesit e shtetit vetëm heshtin! Kur do t’i dënoni krimet e komunizmit me ligj që t’u bëjmë një varr në tokën e tyre martirëve të lirisë, lajmëtarëve të Europës demokratike? Këta shqiptarë të pafajshëm i vrau banda e katilit, tradhtarit të Shqipërisë, Enver Hoxha, të cilin ju që drejtoni Shqipërinë sot, vetëm e imitoni për të mbajtur pushtet dhe heshtni për krimet e tij makabre.

Një President që nuk nderon historinë e qëndrestarëve antikomunistë, që hesht ndaj krimeve të komunizmit, që nuk i jep përgjigje për 6 muaj rresht kësaj kërkese njerëzore kombëtare, si mund të drejtoi shtetin shqiptar? Një Parlament qesharak, që flet për gjenocidin e Luftës së Dytë Botërore dhe nuk flet asnjë fjalë për krimet e komunizmit 50-vjeçar, një Parlament që hesht për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës e tregon kujdes hipokrizie për krimet e serbëve në Bosnje. A mund t’i shërbejë shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së lirive të qytetarëve të vet?! Një Kryeministër që promovon në pushtet xhelatët e vrastarët e këtyre shqiptarëve dhe i shpërblen me poste drejtuese, dhe me pensione marramendëse, a mund t’i shërbejë një shteti dhe sistemi demokratik? Një opozitë apatike që ka ardhur në Parlament me votat e antikomunistëve dhe familjarëve të zhdukurve i bashkohet heshtjes së pushtetit për krimet e komunizmit.

Cilën përfaqëson kjo opozitë? Shqipëria vazhdon agoninë komuniste. Ka më se tri dekada që politikanët e viteve ‘90 morën përsipër përpara shqiptarëve të traumatizuar nga diktatura komuniste për të ndërtuar një sistem demokratik dhe bilanci mbas tri dekadash është jo shtet i së drejtës, por rilindje të stalinizmit shqiptar. Kjo klasë politike e krijuar mbas shembjes së Murit të Berlinit jo vetëm që nuk ndërtoi sistem demokratik, ku të zhvilloheshin zgjedhje të lira, ku të kishte një drejtësi të pavarur, ku prona private të shkonte tek i Zoti, ku të drejtat dhe liritë e njeriut të ishin të barabarta për të gjithë qytetarët. Këta politikanë në mënyrë të kamufluar rindërtuan stalinizmin e ri shqiptar me anën e korrupsionit dhe duke mos dënuar krimet e stalinizmit enverist, shkatërruan sistemin e zgjedhjeve të lira dhe i krijuan shoqërisë një sistem stalinist, ku partitë politike dhe kryetarët e tyre u kthyen në sundues dhe të pazëvendësueshëm duke mbajtur peng demokracinë e shumëpritur, të cilën e kanë mbërthyer për fyti duke mos e lejuar as të vdesë, as të jetojë.

Këto veprime antidemokratike që shfaqin sot politika e pushteti me urrejtje ndaj shtresës më fisnike, qëndrestare ndaj diktaturës dhe paqedashëse ndaj shoqërisë janë kambanë alarmi për mosfunksionimin e shtetit shqiptar. Sot jemi i vetmi vend europian që nuk dënuam krimet e stalinizmit shqiptar dhe i krijuam shoqërisë fenomenin e shpopullimit nga Shqipëria si vend që s’ka shtet të së drejtës. Sot politikën në Shqipëri e bëjnë stalinistët e rinj, të cilët për tri dekada nuk lejuan as nuk lejojnë zgjedhje të lira, ndërrim elitash. Ata që përvetësuan politikën më ‘90, ata sundojnë si barbarë Shqipërinë. Partia e Punës së Shqipërisë që kreu krime ndërroi emrin në Parti Socialiste, duke luftuar me çdo lloj mjeti për të mbrojtur krimet e Enver Hoxhës. Partia Demokratike që u shit si e djathtë më ‘90, bashkëpunoi me partinë që ndërroi emrin vetëm me mbajt pushtet dhe aspak për liri e demokraci për të drejtat dhe liritë e njeriut, siç u sakrifikuan për 50 vite antikomunistët shqiptarë dhe familjarët e të zhdukurve të komunizmit, që sot nuk kanë një varr në tokën e tyre. Si mund të heshtte opozita e ashtuquajtur e djathtë për 6 muaj rresht ndaj kërkesës së Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë dhe komuniteteve fetare, ndaj familjeve të zhdukurve të 6000 shqiptarëve të vrarë pa faj, që sot nuk kanë një varr në tokën e tyre.

TRI DEKADA DUKE KËRKUAR ESHTRAT E TË ZHDUKURVE

A kanë ndërgjegje kombëtare këta drejtues të shtetit shqiptar, që për masakrat që janë kryer në popullin e tyre heshtin ndaj vrasjeve dhe vuajtjeve të bashkëkombësve të tyre?! Si mund të ndërtojnë demokracinë këta, kur shkelin, dhunojnë të drejtën e shqiptarëve për të pasur një varr në tokën e tyre?! Ka 34 vite që politika nuk lejon asnjë antikomunist të drejtojë institucionet e shtetit shqiptar. Në qoftë se në Shqipëri nuk ke lidhje me diktaturën, nuk mund të bëhesh pjesë e politikës apo të zgjidhesh e të drejtosh institucionet shtetërore. A nuk është dhunim i të drejtave dhe lirive të njeriut kjo në Shqipëri?! Sot piskama e mijëra të zhdukurve jehon me thirrjet “Ku i keni vorret o burra e gra shqiptare”?!

MARTIRËT QË KËRKOJNË NJË VARR NË TOKËN E TYRE

Kjo piskamë njerëzore duhet të tronditë të gjithë ata shqiptarë, media, shoqëri civile që sistemi demokratik të funksionojë dhe t’u japë qetësinë shpirtnore mijëra shqiptarëve që u sakrifikuan për liri demokraci dhe barazi dhe sot nuk kanë një varr në tokën e tyre. Askush nga vrasësit e tyre deri më sot jo vetëm nuk është penalizuar për krimet që kanë kryer, por njohën poste drejtuese në shtetin e ashtuquajtur “demokratik” dhe në anën njerëzore nuk kërkuan falje.

Zotërinj ambasadorë, që përfaqësoni demokracinë e lirinë e vendeve tuaja, mos heshtni ndaj kësaj tragjedie kombëtare që i ka ndodhur popullit shqiptar e që sot vuan akoma heshtjen dhe bërjen palë tuajën me sunduesit e shtetit shqiptar! Ju sjellim në vëmendje se historia përsëritet, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore heshtja e juaj e la vendin tim për 50 vite nën diktaturë. Shpresojmë se gjaku i pafajshëm i shqiptarëve që deshën liri dhe Shqipërinë si Europa dhe në partneritet e në miqësi të përjetshme me SHBA t’ju ndërgjegjësojë ju që t’u bashkëngjiteni kërkesës tonë legjitime që të dënohen krimet e komunizmit me ligj dhe jo të bëheni palë me heshtjen e sunduesve shqiptarë! Nga tragjedia e krimeve të komunizmit po ju sjellim në vëmendje një masakër të vitit 1948, juve që drejtoni shtetin dhe politikën shqiptare: U pushkatuan pa faj në një natë marsi 1948, në orën 5:00 të mëngjesit, pranë Rrëmajit në Shkodër, e vazhdojnë të mos kenë një varr në tokën e tyre:

  1. Imzot Frano Gjini, (Zv.Nunci Apostolik i Vatikanit)
  2. Imzot Nikoll Deda, Ipeshkëv
  3. At Mati Prennushi, Provinçial i Françeskanëve Shqiptarë
  4. At Çiprian Nika, Rektor i Françeskanëve Shqiptarë
  5. Caf Dragusha
  6. Cin Serreqi
  7. Guljelm Suma
  8. Ing. Fahri Rusi
  9. Abdullah Kazazi
  10. Pjetër Pali
  11. Dulo Kali,
  12. Xhelal Hardolli
  13. Gaspër Simon Gaspri
  14. Murat Hysen Haxhija

Qenia e mbi 6000 shqiptarëve pa varr s’u falet kurrë kriminelëve barbarë, as bijve të tyre, të cilët sundojnë demokracinë dhe heshtin ndaj këtyre krimeve.

Cila Europë ju pranon ju, që fyeni bashkëkombësit tuaj duke mos u lejuar dhe një varr në token e tyre?!

Si nuk turpëroheni përpara botës demokratike, që nuk e dënoni krimin dhe kriminelin komunistë, përkundrazi fyeni këtë pjesë të popullsisë së martirizueme duke nderuar xhelatët. Si mund të drejtoni mbi gjakun e pafajshëm të shqiptarëve, që s’kanë një varr në token e tyre?

Kjo heshtje që ka zgjedhur Presidenti, Kryetarja e Parlamentit, Kryeministri, apo opozita, ky veprim i juaj si drejtues të shtetit sjell vetëm përçarje e urrejtje ndaj shqiptarëve. Kjo heshtje është tradhtia ndaj atdheut.

Shqipëria nuk do të ketë kurrë paqe, pa u dënuar krimet e komunizmit dhe ju që drejtoni këtë shtet do t’ju dënoi historia për heshtjen tuaj vrastare si bashkëfajtorë me krimin e kriminelët! Ne, të mbijetuarit e diktaturës që përçuam paqe për 34 vite presim përgjigjen tuaj publike: Kur do t’i dënoni krimet e komunizmit me ligj si gjithë Europa!

Dr. Besim Ndregjoni

Aktivistë i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut

Presidenti i Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura