Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri arriti në 8.96 miliardë kWh vitin e kaluar, me një rritje prej 70% në krahasim me vitin e mëparshëm si dhe 410 milionë kWh më shumë se sa rekordi i mëparshëm vjetor i shënuar në vitin 2018 si rrjedhojë e kombinimit të rreshjeve të bollshme dhe hyrjes në punë hidrocentraleve të reja, kryesisht hidrocentralit të Moglicës mbi lumin Devoll.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave të enjten tregojnë gjithashtu se viti 2021 ishte një nga të paktat vite me bilanc pozitiv në shkëmbimet ndërkufitare të elektricitetit. Eksportet e energjisë elektrike ishin rreth 550 milionë kWh më të larta se sa importet.
Shqipëria vijon të mbetet një vend deficitar sa i përket energjisë elektrike në terma shumëvjeçarë. Përgjatë tre viteve të fundit, deficiti mesatar vjetor ka qenë 1.3 miliardë kWh.
Aktualisht rreth 40% e energjisë së prodhuar në Shqipëri vjen nga hidrocentralet nën pronësi private, të ndërtuara me koncesion ose të privatizuara ndërsa 60% vjen nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit, të cilat mbeten nën pronësi shtetërore.
Prodhuesi më i madh privat është Devoll Hydropower, kompania e koncesionit që ndërtoi dy hidrocentrale mbi lumin Devoll, me 683 milionë kWh të prodhurara gjatë vitit 2021 ose 7.6% të totalit të energjisë së prodhurar në vend. Prodhuesi tjetër i madh privat është Kurum me 406 milionë kWh. Kurum menaxhon hidrocentralet Bistrica 1 dhe 2 dhe Hec Ulëza dhe Hec Shkopeti në lumin Mat, të cilat u privatizuan nga qeveria shqiptare një dekadë më parë. Ashta, hidrocentrali i ndërtuar mbi lumin Drin nga Verbund, prodhoi vitin e kaluar 295 milionë kWh ose 3.2% të totalit duke u renditur prodhuesi i tretë më i madh privat.
AYEN AS ENERGJI, pronarja e hidrocentralit Fang në Mirditë ishte prodhuesi i katërt më i madh privat me 237 milionë kWh./BIRN
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al