Shqipnia e “pazbulueme”

Aug 31, 2024 | 7:56
SHPËRNDAJE

Filip GuraziuFILIP GURAZIU

Duket si lojë fjalësh, por asht reale e plotësisht e vërtetë! Na shqiptarët interesohemi e studiojmë vendet ma të largëta të Globit, tregojmë e flasim me hollësi e entuziazëm për të gjitha pikat turistike të Ballkanit, Europës e të tanë Botës, por nuk njohim vlerat turistike të vendit tonë! Kështu ndodh edhe me ne që jetojmë ne veri-perëndim të Shqipnisë; nuk dimë e as nuk njohim “vlerat mjedisore turistike”, që i kemi rreth nesh, për rreth Shkodrës! Në asnji agjendë ekzistuese të publikueme deri sot, prej institucioneve që trajtojnë fushën e turizmit në Shkodër e rreth saj (Bashkia Shkodër, Bashkia Vau Dejës, Ministria e Turizmit, universiteti “Luigj Gurakuqi”, agjencitë turistike, shoqatat e fushës së turizmit) nuk përmendet e nuk ekziston asnjë material tregues, sado modest, për një perlë të turizmit alpin që ndodhet vetëm 36 km larg qytetit të Shkodrës.

Po të marrim rrugën drejt Urës së Mesit, katundit të Drishtit, Murit të Turkut (Shllak) e të vazhdojmë nëpër rrugën ekzistuese të shfrytëzimit pyjor, mbas pak do të gjendemi në “Fushën e Liqenit” të Cukalit, që ka nji sipërfaqe prej 20 ha, e pozicionueme në naltësinë 1350 m mbi nivelin e detit (qendra e dikurshme e shfrytëzimit pyjor në malin e Cukalit). Fusha ka nji pjerrësi natyrale të amel dhe asht e rrethueme pothuej prej të tana anëve me pyje ahu që mbushin naltësitë malore të Cukalit (rreth 250 m. mbi fushën) prej ku buron edhe ujë i pijshëm. Gjelbërimi dhe lulet alpine ekzistuese i japin mjedisit nji pamje fantastike që të kujton pikturat ekspresioniste të Monne-s së Madh. Morfologjia e terrenit formon nji ultësinë të rrethueme pothuej krejtësisht prej kreshtave malore, e cila gjatë periudhës së shkrimjes së borës rezulton me ujë (disa cm. thellësi), për këtë arsye ultësina ka marrë emnin “Fusha e Liqenit”.

Rruga prej qendrës së Shkodrës deri te Muri i Turkut (Shllak) e gjatë 24 km me gjanësi 6 m asht e asfaltueme vetëm në 10 km e para. Vazhdimi i rrugës (prej Murit te Turkut) e deri në destinacion, prej 12 km ka gjanësi 5m. Rruga gëzon nji taban solid shkambor me pjerrësi minimale e kthesa të buta në përputhje me normat teknike të ndërtimit të rrugëve malore. Kamionët e shfrytëzimit pyjor si dhe mosmirëmbajtja prej shumë viteve e rrugës, kanë krijue në mesin e saj të ashtuquejtën “karrexhatë”, nji “kurriz” në mesin e saj që mundet me shqetësue udhëtimin e veturave të ulëta, por jo të naltat. Panoramat që të mundëson rruga për në destinacion janë të veçanta e mbresëlanëse deri te “Muri i turkut” rruga kalon afër pyllit të kshtejave, kurse pamjet prej nalt të liqenit të Vaut të Dejës, qytetit e liqenit të Shkodrës mbeten të paharrueshme… Afërsia prej qytetit të Shkodrës, vetëm 36 Km., naltësia prej 1350 m mbi nivelin e detit si edhe kushtet ekzistuese mjedisore të tregueme ma sipër, i japin pikës alpine të “Fushës së liqenit” nji vlerë shumë të madhe për zhvillimin e turizmit malor.

Gjatë periudhës së verës konsiderohet vend ideal për jetesë me freskinë klimës malore, ku shtigjet kambësore ekzistuese favorizojnë ma së miri sportin e ecjes sportive, shumë të preferuem prej turistave të huej e tashma edhe vendas. Rruga kambësore që ndërlidhë Fushën e Liqenit (Cukal) me pikën turistike të lumit të Shalës mundëson panorama të rralla të rrafshnaltës së Dukagjinit gjatë kalimit nëpër Livadhfez e katundin Malagji dhe realizohet për rreth katër orë ecje normale. Kuptohet se ndërlidhja e këtyne dy pikave me vlerë turistike zmadhon së tepërmi interesin e vizitorëve. Gjatë periudhës dimnore relievi i “Fushës së liqenit” paraqet nji vend shumë të përshtatshëm për zhvillimin e sporteve dimnore (të skive etj.) Naltësia, e pozicioni i relievit të “Fushës së Liqenit” favorizojnë borën për nji periudhë relativisht të gjatë.

Merret me mend se për shfrytëzimin turistik (të organizuem) të resurseve sipërtregue duhet të parashikohen disa ndërhymje në infrastrukturën ekzistuese, si zgjanimi i rrugës ekzistese deri 6m, furnizimin me energji elektrike dhe sigurimin e prumjes së ujit gjatë sezonit veror. Kujtojmë se mungesa e ndërhymjeve në infrastrukturë, si ma sipër tregue, nuk pengon organizimet spontane turistike që duhet të kenë për qëllim, përveç kënaqësisë që fitohet prej pjesëmarrësve edhe publicitetin e vlerave mjedisore turistike të “Fushës së Liqenit”. Autori i këtyne rreshtave, së bashku me nji grup qytetarësh shkodranë dashamirë të promovimit të vlerave turistike të zonës, para pak kohe organizuen nji shëtitje me karakter njohës të zonës në fjalë dhe entuziazmi që u fitue nuk mund të harrohet! Si fillim, për nxitje të interesit dhe njohjes publike të këtij mjedisi turistik mund të rekomandohet organizimi i nji feste lokale në nji datë që malësia e Shllakut e ka në traditën e sajë, ku të paraqiten vlerat e zonës; tradita gastronomike, punimet artizanale të banorëve, etnografia e veshjeve karakteristike, të shoqnueme me koncerte me kangë e valle folkroristike etj.. Kjo pikë turistike alpine jo vetëm që konsiderohet, por asht realisht “vlerë shtesë” me shumë randësi për zhvillimin e turizmit (veror dhe dimnor) në zonën rreth Shkodrës.

Distanca e shkurtë dhe mjedisi i freskët (falë naltësisë) gjatë ditëve të nxehta të verës, favorizojnë popullsinë e zonës së Shkodrës e të rrethinave për nji jetesë me kushte klime ideale, kurse në periudhën e dimnit turistët amatorë të sporteve dimnore nuk do të kenë ma nevojë që të spostohen me qindra km deri në Kolashin ose në Brezovicë, por vetëm 36 km larg qendrës së qytetit të Shkodrës. Uroj e shpresoj që shkrimi të mos të bijë në “veshë të shurdhuem”, por të ngacmojë sadopak “gjumin letargjik” të atyne që e kanë për detyrë promovimin e vlerave turistike mjedisore në veri të Shqipnisë!/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura