Shqiptarët po shtegtojnë, në fole mbetën politikanët?!

Sep 24, 2024 | 9:30
SHPËRNDAJE

NGA BEN ANDONI Ben Andoni1

Pak ditë më parë, një mësues italian, më i vjetri ndër bashkëkombësit e tij të pasdemokracisë në Shqipëri, mundohej të apelonte te cilido që haste për rënien e frikshme të numrit të nxënësve. Është e tmerrshme, pohonte dhe përmendte rastin e Durrësit, ku jep mësim prej vitesh, për një bjerrje të frikshme të fëmijëve në bankat e shkollës. Apeli i sinqertë më shumë fliste për fenomenin e një hemorragjie, që nuk di të ndalet dhe mbi të gjitha, konstatimin se nuk shihte asnjë predispozitë për një politikë kombëtare ta ndalë. Kuptohet veç sloganeve të pushtetarëve dhe premtimeve, që vetëm ata në pushtet mund ta ndalin! Po të njohësh gjuhën e shifrave trandesh.

Në vitin shkollor 2024-2025 u regjistruan rreth 238 mijë fëmijë për të ndjekur arsimin në sistemin publik 9-vjeçar, referuar të dhënave nga Ministria e Arsimit. INSTAT-i në këtë nivel arsimi në vitin shkollor 2023-2024 llogariti të regjistruar 258 mijë nxënës në të njëjtin sistem. Me një llogari të thjeshtë mbi këto të dhëna, numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare në këtë sezon është 7.8% më pak se viti i kaluar, ose 20 mijë nxënës më pak (Monitor, 2024). Nëse politikanët e referojnë si plan problematik, duket se pakkush e ka një ide se çfarë do të thotë mungesa e fuqisë punëtore ose injektimi i këtij parametri për ekonominë. Mbi bazën e analizës së kujdesshme statistikore të disa vendeve në zhvillim, Ruchir Sharma te libri i tij “Ngritja dhe rënia e kombeve” nxjerr se mosinjektimi i fuqisë punëtore është një nga shkaqet e fillimit të krizave të mëdha të vendeve në zhvillim.

Kësaj i shtohet mungesa e prodhimit, duke marrë si shembuj kampionë me vendet që kanë ngjitur shkallët drejt stadit të vendeve në zhvillim, shtuar këtu dhe me mbështetjen e ekonomisë mbi eksportin e vazhdueshëm e të palogjikshëm mbështetur te lëndët e para, pa inkurajuar prodhimin vendës. Specialistët e ekonomisë vendosin dhe argumente të tjera, por një gjë duket qartë: mungesa e adresimit të politikave të duhura për bjerrjen nuk tregon thjesht shkurtpamësi nga politika, por më shumë se kaq përfitimin e momentit, atë që u intereson fare pak njerëzve të lidhur me pushtetin dhe të panginjurve për para (lexo: të korruptuarit).

Censi i këtij viti tregoi edhe zyrtarisht bjerrjen e shqiptarëve, ndërkohë shifrat e nxjerra po anatemohen nga opozita! Kuptohet ndodhi vetëm ditët e para, sepse edhe ata tashmë mendojnë vetëm sesi të vinë në pushtet. Veçse të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave për Censin e dymbëdhjetë në historinë e shtetit shqiptar konsiderohen alarmante: Popullsia rezidente ishte 2.402.113 banorë. Dymbëdhjetë vjet më parë, në Censin e vitit 2011, popullsia faktike ishte ndalur tek shifra 2.8 milionë banorë ndërsa shtesa natyrore për periudhën 2012-2023 është vetëm 88 mijë veta (Reporter, 2024).

Nuk është se problemi nuk po gjen adresime, por ende tek ne nuk ka alarm. Shqetësimi është më i madh, kur kupton se fenomeni është edhe larg mundësive të politikës, madje deri në politikën që po bëjnë vendet e fuqishme ndaj atyre të varfër si yni, me këtë rast. Fajin e ka demokracia apo BE-ja? Nëse BE-ja kërkon fuqi punëtore dhe për këtë mbase ndihu dhe liberalizimin e vizave për të gjithë vendet tona, pse duhet të fajësojmë veç politikanët tanë? Pse pushtetarët tanë nuk i thonë disa të vërteta?! Në parantezë, pak vite më parë në Vlorë u rihap pas shumë viteve thashethemet se do kishte sërish eksod dhe në qytet mbërritën njerëz nga të gjithë qytetet. Ngjante qesharake që pas dy eksodeve në momentet e vështira të vendit, të shtohej një e tretë, kur vendi po ruante një lloj stabiliteti politik dhe ekonomik. Asokohe autoritetet diplomatike gjermane e mohuan dhe madje u shprehën ashpër ndaj atyre që kishin krijuar këtë fabul, duke kërkuar që fajtorët të vendoseshin para përgjegjësisë. Paradoksi ishte se vetëm pak javë më pas masiviteti i ikjes së shqiptarëve nuk do ndalej. Kuotat e regjistrimeve të infermierisë ishin në maksimum. Të mjaftonte të shikoje e dëgjoje regjistrimin e atyre kohëve në Qendrën “Gëte” për mësimin e gjermanishtes dhe tmerroheshe se deri ku arriti e gjitha psikoza e ikjes? Sa të mbaroj gjimnazin dhe do iki, na thanë asokohe në një reportazh që realizuam me KAS, çdo i ri që pyesnim. Hapur. Cinikë. Të ftohtë. Nuk kishin asnjë sens frenimi dhe shprese. Prindërit i inkurajonin dhe të gjithë planifikonin sesi të iknin një orë e më parë… nga mallkimi shqiptar, ku nuk flitet për rregull, ligj dhe meritokraci.

Letërsia ka gjetur udhë të tjera dhe na e ka disi lehtësuar qasjen. Bullgaria është një vend, që është po kaq i shqetësuar e mbase më shumë për fenomenin, i cili nuk ndalet dhe sot që gjendet në gjirin e vendeve të BE-së, por intelektualët e saj mbeten vazhdimisht kritikë falë edhe fuqisë së artit. Politologu Ivan Krastev na tregon fabulën e romanit satirik “Misioni Turan” i një autori plot peshë bullgar, Alek Popov, përkthyer edhe në shqip. Presidenti i vendit të tij, për të marrë një mandat të ri dhe për të plotësuar mungesën e qytetarëve të vet votues që iknin, përdori dhënien e pasaportave të qytetarëve që kishin pasur prej kohësh të harruara një lidhje origjine historie me Bullgarinë. Por, të ashtuquajturit bullgarët e rinj, sapo i morën pasaportat, ia mbathën në Perëndim duke i shkaktuar humbje në zgjedhje! Paradoksi e kishte vrarë me aktin e vet presidentin. Për fat të keq, arti ynë nuk tregon shumë vëmendje për këto gjëra dhe madje nuk është se i trajton bindshëm.

Në gjë është e sigurt: tashmë humbja e popullsisë shihet ngado, madje edhe në vetë Perëndimin po kthehet në dhimbje koke. Veçse, ata e zgjidhën dhe po e adresojnë duke e treguar realisht përmes mirëqenies së tyre dhe mbi të gjitha sigurisë dhe rregullit të shtetit ligjor. Nuk duhet të harrojmë se në mungesë të emigracionit në shkallë të gjerë edhe shtetet evropiane të mirëqenies janë të dënuara. “Por qeveritë që mbrojnë kufijtë e hapur janë në telashe në shumicën e vendeve anëtare të BEsë dhe, veçanërisht në Evropën Lindore. Pra, Evropa ka nevojë dëshpërimisht për emigrantë për të ruajtur modelin e saj social, por votuesit nuk janë të gatshëm t’u hapen kufijtë. Romani na ndihmon të kuptojmë se në një demokraci njerëzit zgjedhin qeveritë e tyre, por qeveritë po përpiqen gjithashtu të zgjedhin njerëzit e tyre, duke hartuar ligje për shtetësinë, duke hartuar ligjet zgjedhore dhe duke përdorur praktika deri si mashtrimi dhe shtypja e votuesve. Dhe ndërsa tundimi i qeverive për të zgjedhur ‘popullin’ është një tipar i vazhdueshëm i politikës demokratike në momentet e ndryshimeve dramatike demografike, sociale dhe kulturore, në ndërkohë mënyra se si qeveritë përpiqen të zgjedhin njerëzit e tyre po bëhet e një rëndësie kritike”, – referon Krastev në artikullin e tij “Demography and the EastWest Divide in Europe” (Demografia dhe ndarja Lindje-Perëndim në Evropë).

Në momentet e tilla, ku po kalon edhe Shqipëria, politika e migrimit, diasporës po kthehen në çështje qendrore në politikën elektorale dhe emigranti më i mirë konsiderohet ai që do të votojë për partinë në pushtet. Jemi akoma larg përfshirjes si duhet të diasporës, madje në një vend që po përball vështirësi shumë të mëdha për fuqinë e saj të rrudhur punëtore. Çka shihet qartë është se adresimi i duhur nuk e zë vendin, që i takon në retorikat e liderëve tanë, bashkë me mënyrën e zgjidhjes, ashtu si të çudisin miopitë e politikës që ka ndezur motorët e fushatës zgjedhore me një narracion shumë të vjetër. Ndërkohë shifrat janë të frikshme, kurse fenomeni të trand: “Projeksionet vlerësojnë se deri në vitin 2050, Bullgaria do të ketë humbur 39% të popullsisë së saj krahasuar me 1989, Bosnja 37%, Rumania 31%, Serbia dhe Kroacia 24% dhe Shqipëria 25%… Që nga periudha e rënies së komunizmit dhe fundit të luftërave në Jugosllavi, banorët e Ballkanit bënë më pak fëmijë dhe emigruan masivisht. Kjo të favorizuar edhe nga mungesa e fuqisë punëtore në rajone të caktuara të Evropës, si Gjermania”. (The Economist, 2020). Ndaj, e kuptoja mirë apelin e zëshëm dhe frikën e mosreagimit të autoriteteve shqiptare, kur mësuesi italian, që lëviz përditë me një biçikletë të vjetër, ma thoshte para fytyrës. Veçse jam i pafuqishëm, ashtu si shumë të tjerë, para një mali që s’bëzan. Në vendin tonë lartësohen vetëm flamujt larushë të partive dhe masa e servilëve të frikshëm, që brohorasin liderin që është dhjetë hapa para! Dhe… Shqiptarët po shtegtojnë, në fole ppo mbeten politikanët. (Homo Albanicus)

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura