Në 93-vjetorin e lindjes së tij, Bashkia e Tiranës çeli mjediset e “Shtëpisë Studio Agolli”, pjesë e strukturës muzeu vendor “Shtëpia Studio Kadare-Agolli”.
Muzeu kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli do të prezantojë një pjesë të historisë dhe kulturës materiale e shpirtërore, duke pasqyruar jetesën e shkrimtarit shumë të njohur për publikun, si brenda edhe jashtë vendit. Veliaj u shpreh se sot familja e Dritëroit janë të gjithë shqiptarët kudo ku janë.
“Jam vërtet i emocionuar sepse është një rikthim në një hapësirë për qytetin. Më shumë se shtëpia e tij, kjo ka qenë një zyrë pritje e popullit, aspak tradicionale. Njerëzit te Dritëroi shihnin një institucion. Ne të gjithë kemi ecur mbi supet e gjigantëve, prandaj jemi këtu sot. Pa supet e tyre, ne do kishim ngelur akoma një vend i shtypur, i izoluar. Ndaj, do të doja shumë që ky vend të ishte një oaz refektimi. Sot familja e Dritëroit është gjithë Tirana, të gjithë shqiptarët kudo ku janë, edhe të huajt që kanë një tërheqje për të njohur vendin tonë, nga ky turizëm i jashtëzakonshëm”, deklaroi Veliaj.
Elona Agolli, vajza e Dritëro Agollit, vlerësoi nismën dhe këmbënguljen e kryebashkiakut Veliaj për ta realizuar këtë projekt.
“Do të doja shumë që im atë të ishte në jetë dhe ai të ishte udhërrëfyesi i këtij muzeu, të na lexonte librin e hapur të jetës së tij. Gjithsesi, unë kam shumë besim se secili vizitor i këtij muzeu do të ketë eksperienca të paharrueshme dhe të pazëvendësueshme me asgjë tjetër, pasi ky nuk është një muze i thjeshtë. Aty nuk kuptohet vetëm historia dhe biografia, epoka e jetuar nga shkrimtari, por aty ndjehet dhe fryma e tij. Sot uroj dhe përgëzoj Erionin, Kryetarin e Bashkisë, i cili ishte nismëtari i këtij projekti të bukur. Ai në asnjë çast nuk ndali së besuari në misionin e lartë të nismës, edukues për brezat në radhë të parë, por dhe pasurues të shpirtit dhe nxitës të përparimit dhe të civilizimit”, deklaroi Elona Agolli. Vera Ibrahimi, bashkëshortja e Feim Ibrahimit, tha se hapja e kësaj shtëpie tingëllon si një zile që i thërret të gjithë për të vizituar trashëgiminë që la pas Dritëro Agolli. “Për mua është emocion shumë i madh sot. Më vjen shumë mirë që sot kjo derë u hap. Sa herë që ngjisja shkallët vetvetiu doja të pyesja Sadijen si është Dritëroi sot. Tani që u hap, më tingëllon në zemrën time sikur një zile na thërret të gjithëve për të ardhur këtu dhe për ta shijuar edhe më shumë këtë që Dritëroi i madh la trashëgimi. Një homazh dhe për Sadijen se ishte një grua shumë e rrallë, që nuk u mërzit kurrë së pritur njerëz në shtëpi. Gjithmonë dera ka qenë hapur”, tha ajo.
MESAZHI
Në 93-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale shkruan se “përkujtojmë dhe nderojmë frymën e pavdekshme të një mendjeje që vazhdon të na mësojë artin e të jetuarit përmes fjalës”. Sipas ministrit “vargjet e tij si një burim i përjetshëm drite e urtësie”. Gonxhja ndau një video teksa shkrimtari Dritëro Agolli reciton vargjet një prej poezive së tij më të njohura “Kur të jesh mërzitur shumë”.
“Në këtë ditë të veçantë, kur kujtimi i Dritëro Agollit merr peshën e një epike të pashuar, rikthehemi tek vargjet e tij si një burim i përjetshëm drite e urtësie. Sot, në përvjetorin e tij të lindjes, përkujtojmë dhe nderojmë frymën e pavdekshme të një mendjeje që vazhdon të na mësojë artin e të jetuarit përmes fjalës! I paharruar!”- shkruan Gonxhja.
Dritëro Agolli ka qenë poet, prozator, gazetar dhe publicist i njohur. Ai la pas një krijimtari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Dritëro Agolli u nda nga jeta në moshën 86 vjeçare, në vitin shkurt të vitit 2017 në Tiranë.
JETA E SHKRIMTARIT
U lind më 13 tetor 1931 në Menkulas të rrethit të Devollit afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ai ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”.
Për 30 vite me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash, etj. Agolli është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në perëndim e në lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e tij, Agolli e vendosi veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e tij krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi dinjitozë përballë botës së madhe. Si shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.
Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sado që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”.
Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij, Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën. Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare pas një sëmundje kronike në mushkëri, por ai mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare.
KRIJIMTARIA
Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll, Poemë malore, Hapat e mia në asfalt etj.). Vepra e tij poetike më e shquar është “Nënë Shqipëri” (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik.
Në poemën “Baballarët” theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash, Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj…). Në prozë, bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës Nacional – Çlirimtare. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme.
Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri. Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al