“Shtet arbitrar policor”- Kishte apo jo armë efektivi? Gazment Bardhi reagon sërish: Gënjeshtrat i sajojnë aq trashë, sa edhe vetë propaganda e Qeverisë…

Oct 17, 2024 | 18:10
SHPËRNDAJE

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar sërish në lidhje me tensionet në Kuvend dhe konkretisht për rastin kur u pretendua se një efektiv tentoi t’i drejtonte armën deputetit demokrat Luan Baçi.

bardhi

Sipas Bardhit, efektivi i Forcave Speciale ishte i armatosur, duke theksuar se nuk mund t’i besohet kësaj policie, e cila ka gënjyer në disa raste, thotë ai.

Gazment Bardhi thotë se policia ka gënjyer në rastin e Klodian Rashës, Egli Progës apo edhe në rastet kur ka thënë se në Shqipëri nuk ka sipërfaqe të mbjella me kanabis.

Reagimi:

Është e njëjta Polici që tha sot se polici i Forcave Speciale nuk kishte armë brenda Kuvendit, ajo që më parë na ka thënë:

👉 Që i ndjeri Klodian Rasha ishte i armatosur prandaj e vrau Policia e Shtetit – GËNJESHTËR,

👉 Që i ndjeri Egli Proga vdiq se ishte i dehur dhe u rrëzua – GËNJESHTËR,

👉 Që në Shqipëri ka zero sipërfaqe të mbjella me kanabis – GËNJESHTËR, apo

👉 Që në protestën e 7 Tetorit nuk kishte asnjë protestues të lënduar dhe që ndodhej në spital – GËNJESHTËR, e plot e plot të tjera.

Gënjeshtrat i sajojnë aq trashë, sa edhe vetë propaganda e Qeverisë që Shqipëria është vend në lulëzim e sipër, ndërkohë që jemi të parët në Europë për numrin e qytetarëve në varfëri ekstreme.

Propaganda dhe dezinformimi nuk e mbulojnë dot të VËRTETËN! Sot shteti personal i Edi Ramës degradoi në mashtrim, për shkak se doli zbuluar ashtu siç është -shtet arbitrar policor!

TENSIONET NE KUVEND

Kujtojme qe seanca e sotme e parlamentit u shoqërua me tensione jashtë dhe brenda sallës. Deputetët e opozitës, të cilët erdhën në grup drejt godinës ku zhvillohen seancat, gjetën në hyrje, një gardh me barriera metalike, pas të cilave qëndronin, në numër të shtuar, forcat e Gardës së Republikës. Shumë prej deputetëve demokratë, janë përjashtuar për periudha të gjata nga punimet e parlamentit pas akteve të dhunshme në dy javët e shkuara.

Gjate tensioneve opozita pretendoi se njëri prej efektiveve te policise, kishte tentuar t’i drejtonte armën deputetit Luan Baçi, moment që i acaroi gjakrat, duke çuar në përplasje të forta.

Policia mohoi më vonë kategorikisht, akuzat për praninë e armëve nga ndonjë punonjës i saj, duke saktësuar se ligji ndalon që policia të jetë e armatosur gjatë tubimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura