Shuhet Mihal Luarasi, regjisori që u dënua 11 vjet burg nga Enver Hoxha

Oct 30, 2017 | 18:13
SHPËRNDAJE

Regjisori që u mbijetoi 11 viteve në ferrin komunist, që pati guximin dhe forcën të ngrihet e të ngjitet sërish në skenën e teatrit, Mihal Luarasi ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.

mihalluarasi

Edhe pse në një gjendje shëndetësore të rënduar, Luarasi deri në fund të jetës mbeti një zë i fuqishëm për çështjet e teatrit. Nuk dëshironte shumë të fliste për veten, madje edhe kur në muajin janar, miku i tij Përparim Kabo ngriti zërin që të ndërhyhej sa më shpejt për të shpëtuar jetën e regjisorit Mihal Luarasi, ai me zërin e shuar do të na thoshte në telefon se për shkak të dashamirësisë, miku i tij e “ekzagjeronte” pak.

Por nuk do të kalonin shumë muaj dhe filli i jetës së regjisorit e dramaturgut të njohur do të këputej. Mihal Luarasi është një nga emrat më të rëndësishëm të regjisë dhe dramaturgjisë në Shqipëri. Ai ishte një partizan i dramës shqipe, duke dhënë kontributin e tij që ajo të zinte vendin që meritonte në kalendarin e teatrit. “Mihal Luarasi do të mbetet gjithmonë i paharruar për kontributin e tij të lartë në rritjen artistike të teatrit shqiptar, duke sjellë në skenë shfaqje të nivelit të lartë artistik”, shkruan në njoftimin e shkurtër për lajmin e humbjes, Teatri Kombëtar.

Ashtu si para viteve ’90 edhe më pas, Luarasi do të ishte një opozitar i politikave kulturore dhe drejtuesve të institucioneve, me qëllim që teatri të dilte nga periudha e gjatë e tranzicionit. Për shpirtin e tij rebel, regjisori që do të dënohej me urdhër të vetë diktatorit Enver Hoxha, nga skena e teatrit përfundoi në qeli e më pas si bojaxhi, ndërsa bashkëshortja e tij, aktorja e njohur Edi Luarasi, do të përfundonte si rrobaqepëse në NPV, sepse nuk pranoi të divorcohej prej tij. Homazhet për nder të regjisorit do të zhvillohen sot në orën 12:00-14:00, në ambientet e Teatrit Kombëtar.

REGJISORI DHE DRAMATURGU

Mihal Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929, në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja”, në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë. U ngjit në skenën e Teatrit Popullor për herë të parë në vitin 1957, me tragjedinë e Shilerit “Intrigë dhe dashuri”. Një vepër shumë e suksesshme, që qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt më se 300 herë. Mihal Luarasi ishte njëri nga tre regjisorët e shquar të periudhës më të ndritur e cilësore të teatrit shqiptar në vitet 1957-1973: Luarasi – Spahivogli – Mani. Luarasi ngjiti në skenë veprat “Dragoi i Dragobisë”, “Dhelpra dhe rrushtë” (fituese e të gjitha çmimeve të para në Festivalin e II-të Kombëtar të teatrove), “Mosha e bardhë”, “Banorët e shkallës nr. 6”, “Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tillë”. Në vitin 1966 vë për herë të parë në skenë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”. Në vitin 1972, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit vuri në skenë dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” të Fadil Paçramit, një vepër që do të dënohej si “liberale”.

Dënimi i Festivalit të 11-të do të rëndonte edhe mbi regjisorin e tij, Mihal Luarasi, por goditjen më të rëndë do ta marrte pas dramës “Njollat e murrme”. Vetëm tri ditë pasi ajo u pa nga vetë Enver Hoxha, Mihal Luarasi do të arrestohej. “Më kishin thënë që kjo vepër ka diçka, por ajo nuk ka një gjë, ajo është e gjitha armiqësore”, kishte deklaruar Enver Hoxa, sipas rrëfimeve të vetë Luarasit në intervistën e tij të fundit, në maj të këtij viti, dhënë për gazetarin Enkel Demi, në TVSH.

Pas 8 muajsh hetuesie, do të dënohej me tetë vjet burg e më pas edhe me tre të tjerë. Pas lirimit punoi si bojaxhi deri në vitin 1990. Në dhjetor 1990 largohet në Hungari. Në 1991-1992, vë në skenë në Budapest dramën e Rexhep Qosjes, “Vdekja e një mbretëreshe”. Në vitin 1995 e fton Teatri Kombëtar në Tiranë dhe vë në skenë dramën “Hekurat” të dramaturgut hungarez Göncz Arpad. Mihal Luarasi është regjisor i disa spektakleve të mëdha në Teatrin e Operës dhe Baletit, si “Karmen”, “La traviata”, “Pranvera”, “Opera për tre grosh” etj.

Gjatë qëndrimit në Hungari, ka botuar një sërë shkrimesh mbi teatrin në shtypin hungarez dhe atë shqiptar. Në vitin 2003, u botua libri i tij “Teatri Kombëtar në udhëkryq” dhe pas dy vjetësh libri i dytë me shkrime mbi teatrin dhe arte të tjera, “Kujtesa që nuk fle”. Ne vitin 2001, ai kthehet përfundimisht nga Hungaria dhe vë në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e Ruzhdi Pulahes, “Streha e të harruarve”, në 60-vjetorin e Teatrit Kombëtar. Drama e fundit e vënë në skenë prej tij ishte 10 vjet më parë: “Korbi i bardhë”.

Mihal Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929 në Korçë është regjisor i njohur shqiptar.

Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.

Në teatër për herë të parë si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në 1957 me shumë sukses në Teatrin Popullor, spektakël qe qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt më së 300 herë.

Mihal Luarasi është njeri nga tre regjisoret e shquar të periudhës më të ndritur e cilësore të teatrit shqiptar në vitet 1957-1973 : Luarasi – Spahivogli – Mani. Për arsyet që dihen, në Teatrin Kombëtar Luarasi vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si : “Dragoi i Dragobisë”, “Dhelpra dhe rrushtë” (fituese e te gjitha çmimeve te para në Festivalin e II-te kombëtar të teatrove), “Mosha e bardhë”, “Banorët e shkallës nr. 6”, “Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tille”. Më 1966 ve për herë të parë në skenë në Teatrin Migjeni të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”. Në 1973 vuri në skenë dramën e Tennessi Wiliamsit “Orfeu zbret në ferr”, dramë që u ndalua në provat e përgjithshme.

Është regjisor i dramës “Njolla te murrme” me trupën e Korçës me të cilën fitoi të gjitha çmimet e para në Festivalin e IV kombëtar të teatrit 1969. Pas tre ditësh spektaklin e pa diktatori Enver Hoxha dhe e dënoi si vepër armiqësore. Ne teatrin AZC të Korces punoi pesë vjet dhe realizoi një sere shfaqjesh të paharruara, si “Te pamposhtur”, “Pas dy vjetësh”, “Flake në shtepi”, etj. Më 1972 në teatrin A. Moisiu të Durrësit vuri në skenë dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” të Fadil Pacramit, vepër që u dënua. Me festivalin 11 në RTVSH 1972, Luarasi u ndesh përsëri me Diktatorin i cili kësaj herë nuk ia fali “fajet” e vazhdueshme dhe urdhëroi burgosjen e tij. U dënua me tetë vjet heqje lirije. Pas lirimit punoi si bojaxhi deri në vitin 1990.

Ne dhjetor 1990 largohet në Hungari. Më 1991-1992, vë në skenë në Budapest dramën e Rexhep Qosjes “Vdekja e një mbretëreshe”. Më 1995 e fton Teatri Kombëtar në Tiranë dhe vë në skenë dramën “Hekurat” të dramaturgut hungarez Göncz Arpad. Mihal Luarasi është regjisor i disa spektakleve te mëdha në Teatrin e Operas e dhe Baletit, si “Karmen”, “La traviata”, “Pranvera”, “Opera për tre grosh”, etj.

Gjate qëndrimit ne Hungari, ka botuar një sere shkrimesh mbi teatrin në shtypin hungarez dhe atë shqiptar. Në vitin 2003 u botua libri i tij “Teatri Kombëtar në udhëkryq” dhe pas dy vjetësh libri i dyte me shkrime mbi teatrin dhe arte të tjera “Kujtesa që nuk flë”.

Ne vitin 2001 Luarasi shkruan dramën “Gomone” që u vu në skenë në TK, në 2003, nga regjisori Gezim Kame. Në këtë vit ai kthehet përfundimisht nga Hungaria. Vë në skenë në TK dramën e Ruzhdi Pulahes “Streha e të harruarve” në 60 vjetorin e Teatrit Kombëtar. Në 2006 shkruan dhe vë në skenë dramën “Korbi bardhe” që vazhdon të shfaqet me sukses (2007).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura